1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Buxheti i Kosovës për vitin e ardhshëm 1.5 miliardë euro

18 Nëntor 2011

Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, konstatojnë se Kosova nuk është ndikuar shumë nga kriza në euro-zonë, për faktin që ajo ka qasje të kufizuar në tregjet ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/13CwZ
Ministri kosovar i Financave, Bedri Hamza.
Ministri kosovar i Financave, Bedri Hamza.Fotografi: DW/Bekim Shehu

Buxheti i Kosovës për vitin2012, parashihet të jetë 1.5 miliardë euro. Ky buxhet i miratuar nga qeveria e Kosovës, sipas përfaqësuesve të saj parashihet të jetë i qëndrueshëm. Sipas tyre, burimet për të hyrat e buxhetit do të sigurohen nga Dogana e Kosovës, me një shumë prej 860 milionë eurosh, nga administrata tatimore pritet të mblidhen 285 milionë euro, nga bilanci i trashëguar bankar 120 milionë euro, ndërsa, 260 milionë euro pritet të sigurohen nga burime të tjera. Ministri i ekonomisë dhe financave, Bedri Hamza, thotë se planifikimet për qëndrueshmërinë e buxhetit tregohen edhe nga vlerësimi i Bankës Botërore se Kosova gjatë këtij viti, shënoi rritje ekonomike prej 5.3 %.

Buxheti i Kosovës do të jetë i qëndrueshëm

“Kjo tregon se ministria e financave është treguar mjaft profesionale me rastin e parashikimeve të ecurive ekonomike dhe indikatorëve makroekonomik për vitin që po lëmë pas dhe kjo tregon se edhe planifikimet për vitin e ardhshëm do të jenë të qëndrueshme”, thotë ministri Bedri Hamza.

Buxheti të mos lihet në mëshirën e burimeve të pasigurta

Por ekspertët e ekonomisë, thonë se qeveria e Kosovës duhet të tregojë kujdes që buxheti për vitin 2012 të mos lihet në mëshirën e burimeve që nuk janë të sigurta.

Lumir Abdixhiku, nga instituti Riinvest, thotë: "Të hyrat e planifikuara nga Qeveria e Kosovës mbështeten shumë në ndihmat financiare nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, në borxhet e Trustit Pensional dhe në shitjen nga privatizimi. Në qoftë një nga këto tri burime nuk sigurohet atëherë Kosova në fund të vitit do të mbetet me mungesë likuiditeti”, thotë Lumir Abdixhiku.

Sipas tij Kosova nuk e ka luksin që të hyjë në borxhe, meqenëse është një barrë që nuk do të mund ta paguajë asnjëherë.

Edhe partitë politike opozitare nuk pajtohen me konstatimet e qeverisë për qëndrueshmërinë e buxhetit për vitin e ardhshëm, madje atë e cilësojnë një buxhet të varfërisë, thotë Abdullah Hoti, nënkryetar i partisë politike opozitare LDK-së.

“Ne vlerësojmë se ashtu sikurse gjatë këtij viti që po lëmë pas edhe buxheti i vitit 2012, ka të njëjtat probleme strukturore. Deficiti buxhetor pritet të jetë 3.5 % që është mbi normën e lejuar të standardeve evropiane prej 3% të GDP-së”, thotë Abdullah Hoti.

Por, a do të preket Kosova nga rreziqet e krizës financiare evropiane? Banka Botërore në një hulumtim të saj, thotë se deri tani Kosova nuk është ndikuar shumë nga kriza, ndonëse monedhë zyrtare ka euron. Sipas shefit të zyrës së Bankës Botërore në Kosovë, Borko Handjinski, Kosova është mbrojtur nga fakti se ka qasje të kufizuar në tregjet ndërkombëtare.

Një burrë i moshuar kosovar merr bankënota euroje në bankë.
Në Kosovë nuk ndihen pasojat e krizës së euros, edhe pse përdoret si mjet pagese.Fotografi: AP

Kosova nuk është prekur nga kriza në eurozonë

“Fakti se Kosova është mbrojtur në afat të shkurtër, nuk do të thotë se ajo duhet të qëndrojë në gjendjen aktuale, por duhet te punojë për t'u integruar më thellësisht në ekonominë evropiane. Sikurse për Kosovën edhe për vendet tjera të rajonit, ardhmëria evropiane është rrugëdalja nga gjendja aktuale, me gjithë problemet ekonomiken në zonën euro, meqë ajo paraqet një burim të rëndësishëm të të ardhurave për të gjitha vendet e Evropës Juglindore”, thotë Borko Handjinski.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport për Kosovën të publikuar tri ditë më parë, konstaton se për arsye të qasjes së kufizuar në tregjet financiare botërore, Kosova ka shmangur çrregullimet serioze të krizës që po trondit eurozonën. FMN-ja në maj të këtij viti, uli statusin e Kosovës në këtë organizatë financiare në partneritet joformal, duke i shkurtuar në këtë mënyrë mbështetjen financiare, për faktin që Qeveria e Kosovës vazhdoi me rritjen e rrogave për shërbyesit civilë, megjithë restrikcionet buxhetore. FMN, këshillon Kosovën që të ketë qëndrueshmëri buxhetore vitin e ardhshëm, duhet ta shesë kompaninë e vet më profitabile Post-telekomin.

Procesi i shitjes së Postës, sipas zyrtarëve qeveritarë do të përsëritet vitin e ardhshëm për faktin që disa blerës potencialë janë tërhequr nga tenderi. Sidoqoftë, Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë me përqindjen e papunësisë mbi 40 për qind dhe ku investimet e huaja janë më të ulëtat në rajon.

Autor: Bekim Shehu / Prishtinë

Redaktoi: E. Xhani