1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Carla del Ponte: Polarizuesja heton në Siri

Claudia Witte/Aida Cama1 Tetor 2012

Në fillim në ndjekje të mafiozëve, pastaj të kriminelëve të luftës. Tani ish-prokurorja e OKB-së, do të marrë pjesë në një komision hetimor që do të hetojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri.

https://p.dw.com/p/16HxL
Carla del Ponte
Carla del PonteFotografi: Reuters

Ka qenë momenti më i rëndësishëm i jetës për Carla del Ponten si edhe pika kulminante për drejtësinë ndërkombëtare. Më 12 shkurt 2002 juristja zvicerane hapi në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, procesin kundër Sllobodan Millosheviçit. Ai akuzohej për krime lufte, genocid dhe krime kundër njerëzimit, të kryera gjatë luftës jugosllave në vitet 1990. Kjo ishte hera e parë që një ish-kryetar shteti dilte para një tribunali ndërkombëtar për të dhënë llogari për krimet e kryera gjatë kohës që ka qenë në pushtet.

Simbol i një drejtësie funksionuese

Duke qenë kryeprokurore, Carla Del Ponte bëri të ditur se: "Ky tribunal dhe sidomos ky proces janë dëshmi se kërkush nuk mund t`i shpëtojë ligjit dhe drejtësisë ndërkombëtare". Carla Del Ponte u kthye në simbol për një drejtësi që nuk i përmbahet vetëm kufijve kombëtarë dhe që dërgon në bankën e të akuzuarve udhëheqës ushtarakë dhe shtetërore për të dhënë llogari për krimet e kryera ndaj popullsisë së tyre. Në vitin 2003 ajo kryesonte jo vetëm një tribunal të KB për Jugosllavinë, por edhe për Ruandën. Ishte Kofi Annan, ai që e bëri në vitin 1999 prokuroren nga kantoni italishtfolës Tessin, në Zvicër, kryeprokurore të Gjykatës së KB.

Ishte Kofi Annan ai që e emëroi Del Ponten kryeprokurore
Ishte Kofi Annan ai që e emëroi Del Ponten kryeprokuroreFotografi: Reuters

Me Falconen në ndjekje të mafias

Kontakti më i rëndësishëm që i kalonte kufijtë ishte pa dyshim Giovanni Falcone. Duke qenë prokurore në Tessin, Carla Del Ponte pati bashkëpunuar ngushtë në vitet 1980 me ndjekësin e mafias italiane për zbulimin e transferave ilegale të parave në Zvicër. Duke qenë prokurore federale në Zvicër, Carla del Ponte vazhdoi luftës kundër larjes së parave dhe kriminalitetit të organizuar.

"Unë dhe krimet e luftës"

Në vitin 2007 ajo hoqi dorë nga posti i kryeprokurores së Hagës dhe pak para se të merrte postin e ambasadorës zvicerane, botoi kujtimet e saj. Libri i shkruar së bashku me gazetarin amerikan Chuck Sudetic, nuk i kursen akuzat në shumë drejtime. Ministria e Jashtme në Zvicër e tmerruar i dha një shuplakë. Kritikët e saj morën shkak nga titulli i origjinalit në italisht, për ta kritikuar për autokrati: "Gjuetia- Unë dhe krimet e luftës".

Kurse ata që e admirojnë e lëvduan duke thënë se Carla del Ponte tregon pa zbukurime si funksionon gjykata ndërkombëtare. Ndryshe nga teoria dhe komentarët idealistë, politika luan një rol shumë më të madh se sa pranohet në publik. Nëse komuniteti i shteteve dhe kryesisht superfuqitë duan vërtet, atëherë krimet e luftës mund të vendosen në kohën e duhur para bankës së të akuzuarit, tregon bindjen e vetë Del Ponte.

Pension në ferr?

Carla del Ponte ka pasur në jetën e saj shumë admirues por edhe shumë armiq. Kryesisht në Ballkan. Kur në vitin 2000 ajo i kërkoi ndihmë ish-ministrit të atëhershëm jugosllav të Drejtësisë Petar Jojiç, mori prej tij një letër 25 faqëshe të mbushur me fyerje. Letra i drejtohej "lavires pise Del Ponte" dhe i uronte marrëses ndër të tjera "fund të keq jete" dhe "pension në ferr". Del Ponte ka dalë para pak kohësh në pension dhe nuk e ka fshehur që krah lojës së golfit kërkon të ketë edhe sfida të tjera. Si anëtare në një komision për hetimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Siri, ajo ka gjetur detyrën e duhur.