1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Centrali atomik Fukushima evakuohet krejtësisht

23 Mars 2011

Kthim mbrapa në Fukushima: Ambienti i centralit atomik duhet të evakuohej krejtësisht. Për shkak të rrezeve radioaktive u tërhoqën të gjithë teknikët dhe zjarrfikësit. Nga reaktori del tym.

https://p.dw.com/p/10gO3
FukushimaFotografi: AP/dapd/Ministry of Land, Infrastructure, Transport/Kyodo News

Faktikisht zjarrfikëset duhet të hidhnin sërish ujë mbi reaktorin 3, i cili është me defekt, por aksioni u ndërpre. Stacioni televiziv japonez NHK njoftoi se i gjithë impianti atomik është zbrazur për shkaqe sigurie. Tym i zi del nga reaktori në të cilin ndodhet pluton me rrezikshmëri të madhe. E paqartë është se si do të vazhdojë puna në reaktorin fatkeq.

Lëkundje të mëdha të tokës shkundën zonën ku ndodhet centrali katastrofal. Por impianti nuk ka pësuar dëmtime të tjera, bënë të ditur autoritetet e sigurisë së reaktorit. Tërmeti më intensiv ndodhi në orën 7: 12, sipas orës lokale me fuqi 6,0 ballë. Matësit amerikanë të lëkundjeve matën një fuqi prej 5,7. Epiqendra e lëkundjeve ndodhej 72 kilometra në jug të qytetit Fukushima dhe 180 kilomrtra në verilindje të Tokios. Toka në Japoni u trondit 24 orët e fundit 18 herë me radhë.

Flash-Galerie Japan Erdbeben und Tsunami Nachwirkungen
Radioaktivitet prej 500 milisievertë në orëFotografi: dapd

Sipas një njoftimi të agjencisë së lajmeve Kyodo në Fukushima u regjistrua radioaktivitet prej 500 milisievertë në orë. Për krahasim, i ashququajturi "rrezatim natyror" ka një nivel prej 2 milisevertë në vit.

Infektohet uji i pijshëm në Tokio

Radioaktivitet i lartë është matur edhe në ujin e pijshëm në Tokio. Uji nuk u duhet dhënë fëmijëve, bënë të ditur autoritetet. Rrezatimi i ambientit përreth centralit atomik të Fukushimës ka bërë që qeveria të ndalojë furnizimin me perime nga rajoni. Ministria japoneze e Shëndetësisë publikoi një listë me 11 lloje perimesh tek të cilat janë parë rritje të mëdha radioaktiviteti. Ndër to bëjnë pjesë spinaqi, brokoli, lakra dhe perimja gjethore japoneze, komatsuna.

Zëdhënësi i qeverisë, Yukio Edano, tha në një konferencë shtypi se përdorimi i këtyre perimeve nuk e dëmton ende shëndetin. "Megjithatë ne vërejmë se vlerat janë në rritje dhe mendojmë se do të arrijnë deri në nivelin e dëmshëm. Prandaj mendojmë se duhet bërë ndalimi i furnizimeve". Për të qenë të sigurt, konsumatorët nuk duhet të përdorin më perime që vijnë nga prefektura e Fukushimës.

Tepcos i mbarojnë paratë

Katastrofa në centralin atomik ka vënë nën presion edhe financiar firmën Tepco, e cila mirëmban centralin. Ndërmarrja ka kërkuar në bankat e mëdha të vendit kredi emergjente në shumën e 1,5 bilionë jenëve (13,1 muiliardë euro). Kjo shumë duhet paguar mundësisht deri në fund të muajit, në mënyrë që Tepco të mund të përballojë pasojat e fatkeqësisë në centralin atomik të Fukushimës.

Tërmeti dhe cunami në Japoni kanë shkaktuar deri tani dëme që arrijnë deri në 220 miliardë euro. Pas katastrofës natyrore është konfirmuar numri i viktimave prej 9.400 vetësh, bëri të ditur policia në Tokio. Gati 14 mijë vetë konsiderohen ende të humbur. Rreth 300 mijë vetë jetojnë në temperatura nën zero dhe në ambiente emergjence.

Autor: DW/ Dr. Pandeli Pani

Redaktoi: Aida Cama