1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cilat do të jenë pasojat e tragjedisë në Lampedusa?

K.Hoffmann/Bahri Cani8 Tetor 2013

Kur të varrosen shumë të vdekur nga tregjedia e Lampedusës, do të shtrohet edhe pyetja: Çfarë do të ndodhë me ata që e mbijetuan katastrofën? Italia dhe Evropa po përpiqen të gjejnë përgjigje, por deri tani pa sukses.

https://p.dw.com/p/19w4c
Fotografi: Reuters

Sharifi rri ulur nën hijen e një muri prej betoni në kampin për refugjatë në Marina Granda, në pjesën më të largët veriore të Sicilisë. Ai jeton këtu qysh prej një viti. Ai ka ikur me anije nga Afrika në Evropë dhe ka përfunduar në Lampeduza, prej nga është sjellë në këtë kamp në Sicili. Sharifi është me origjinë nga Somalia. "Atje kemi probleme, sepse është luftë, e cila nuk dihet se kur do të përfundojë. Në Itali është po ashtu shumë vështirë për ne, por është më mirë se në vendin tonë", thotë ai.

Sharifi jeton së bashku me 100 persona të tjerë në një sallë të madhe. Nga kampi ka të drejtë të largohet, por ai është me kilometra larg prej qytetit tjetër më të madh Trapani. Sharifi nuk e di se kur mund ta fillojë jetën e re në Evropë. Vala më e re e refugjatëve me anije e ka dyfishuar kohën e pritjes së përpunimit të kërkesave për azil. Mund të ndodhë që do të zgjasë edhe një vit deri në përpunimin e kërkesës së tij. Burokracia italiane është e ngarkuar tepër me kërkesa për azil.

Flüchtlingslager in Sizilien Porto Empedocle
Fotografi: DW/K. Hoffmann

Të mbyllur dhe pa të drejta

Sharifi duhet të ketë durim. Në kushte shumë më të rënda jetojnë imigrantët të cilët janë të mbyllur në një kamp për identifikimin dhe dëbimin e tyre, në të ashtuquajturin "CIE". Ata mund të mbahen deri në 18 muaj këtu, pa ndonjë proces gjyqësor, me shpjegimin se po bëhet identifikimi i tyre. Të gjithë ata që kanë mundësi ikin prej këtij kampi i rrethuar me mure me gjemba. Njëri prej tyre shpjegon: "Pikërisht tani kanë ikur disa prej tyre. Kjo ndodhë çdo ditë. Natën nuk mund të flesh, për shkak të zhurmës së madhe në kamp. Njerëzit në kamp bërtasin tërë kohën, sepse janë të revoltuar."

Sistemi italian i pranimit të azilkërkuesve është i stërngarkuar. Shteti po përpiqet që me metoda të ndryshme të frikësojë imigrantët që të vijnë në këtë vend, por shumë prej refugjatëve me të arritur këtu përpiqen të ikin diku tjetër. Rojet e pranojnë hapur se nuk mund të bëjnë asgjë kur më shumë se 100 njerëz e marrin arratinë. Ministri i Brendshëm i Italisë Angelino Alfano ka paralajmëruar ndërtimin e kampeve të reja në këtë vend. Ai tha se do të shtohet edhe numri i nëpunësve të cilët merren me përpunimin e kërkesave për azil.

Flüchtlingslager in Sizilien Porto Empedocle
Kampi i refugjatëve në Porto të SicilisëFotografi: DW/K. Hoffmann

Italia kritikon të drejtën evropiane për azil

Por nëse këto gjëra do të ndryshojnë diçka nuk mund të thuhet, sepse shumë prej refugjatëve duan që pa asnjë letër të vazhdojnë rrugën për në vendet e tjera evropiane. Alfano ka kërkuar që të ndryshojnë rregullat e tanishme evropiane për azilkërkuesit, ku thuhet se imigrantët duhet të mbeten në vendin ku kanë ardhur së pari. "Sicilia nuk është vetëm kufiri i jashtëm i Italisë, por edhe i Bashkimit Evropian. Njerëzit që vijnë këtu me anije, nuk vijnë për pushime në bregdet. Ata duan të vazhdojnë rrugën në vendet e tjera evropiane, ku kanë edhe familjarë. Ne angazhohemi me të gjitha fuqitë që të ndryshojnë rregullat për azilkërkuesit në këtë pikë. Evropa nuk mund të kërkojë prej nesh që ne të kujdesemi për refugjatët, ndërsa vendet e tjera të rrijnë duarkryq“, thotë Alfano. Edhe kryetarja e Parlamentit të Italisë Laura Boldrini, e cila më parë ka qenë zëdhënëse e komisionerit të OKB për refugjatë në Romë kundërshton rregullat e tanishme për refugjatët, në veçanti pas katastrofës në Lampedusa. Në 28 vendet anëtare të BE-së ka 28 rregulla të ndryshme për azilkërkuesit dhe refugjatët. Nëse në këto çëshje nuk gjenden zgjidhje të përbashkëta atëherë nuk mund të flitet as për një BE të përbashkët.

Kritikat janë të ashpra edhe brenda Italisë. Peshkatarët e kanë të ndaluar që të marrin refugjatë në anije, derisa këto anije janë në gjendje të lundrojnë vetë. Peshkatarët duhet t'i inoformojnë autoritetet qendrore në Romë, të cilat i alarmojnë rojet bregdetare. Këto procedura u kanë kushtuar me jetë shumë refugjatëve në katastrofën e fundit në Lampedusa. Ministri i Brendshëm Alfano i ka mbrojtur rregullat vetëm pak ditë para katastrofës së fundit: "Ne nuk do të lejojnë që ardhja e anijeve me refugjatë të shndërrohet në rrezik të sigurisë sonë. Italia ëshë një vend mikëpritës, por qytetarët tanë kanë të drejtë që të jetojnë në siguri dhe në liri."

Angelino Alfano Popolo della Libertà
Ministri Angelino AlfanoFotografi: AP

Pas fatkeqësisë në Lampedusa ka ardhur koha që të debatohet edhe për sigurinë dhe lirinë e migrantëve. Këtë duan tani ta bëjnë edhe ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE.