1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cili është kushti i pakicave për themelimin e FAK-ut?

Bekim Shehu30 Prill 2014

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës duket se do të kushtëzojnë votimin pro Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK) me zgjatjen edhe për një mandat të ulëseve te rezervuara për pakicat.

https://p.dw.com/p/1BrZ0
Fotografi: DW/R. Breuer

Të hënën me datën 05.05. Kuvendi i Kosovës do të votojë për ndryshimet kushtetuese që do të mundësojnë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK). Për këto ndryshime kushtetuese nevojiten dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Ndryshimet kushtetuese, po kushtëzohen nga një kërkesë e serbëve të Kosovës që parlamenti të votojë edhe për vazhdimin e ulëseve të rezervuara për ta për të paktën edhe një mandat të legjislativit. Sipas Kushtetutës së Kosovës, pas përfundimit të mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë që ndodhi në vitin 2012, vende të rezervuara për pakicat nuk do të ketë më. Kjo nënkupton që pakicat nga zgjedhjet e ardhshme që pritet të mbahen shumë shpejtë, nuk do të mund të marrin sikurse deri tash 20 ulëse në Kuvend që në fillim, plus ulëset që mund t'i fitojnë me vota, por gjithsej mund t'i kenë vetëm 20 ulëset e tyre të garantuara. 10 ulëse për komunitetin serb dhe 10 të tjera, për komunitetet tjera pakicë.

Nëse ndërrohet Kushtetuta për FAK të ndërrohet edhe për vendet e rezervuara

Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në qeverinë e Kosovës, i tha DW-së, se që nga maji i vitit 2013, përfaqësuesit e pakicave kërkojnë ndryshimin e kushtetutës për vazhdimin e mandateve të rezervuara, mirëpo, kjo kërkesë e tyre është refuzuar nga pothuaj gjysma e deputetëve të partive politike shqiptare. Meqenëse tashmë si duket nuk ka kohë që të arrihet ndonjë marrëveshje, atëherë, Nenad Rashiq, thotë se përfaqësuesit e serbëve në Kuvendin e Kosovës, nuk mund të votojnë për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai thotë se serbët në seancën e së hënës, ose do të votojnë kundër formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës ose do të largohen nga punimet e seancës nëse nuk arrihet ndonjë kompromis. “Dy opsionet janë të mundshme, vetëm nëse ndodhë e kundërta. Pa vende të rezervuara, me një refuzim agresiv të disa subjekteve politike edhe pse ne jemi të gatshëm për biseda, atëherë humbja politike, morale, institucionale e serbëve është e madhe, apo nëse mund të them është vetëvrasje politike për serbët e Kosovës nëse votojmë për themelimin e FAK-ut dhe nuk kalon kërkesa jonë për vazhdimin e ulëseve të rezervuara edhe për të paktën një mandat tjetër”, thotë Nenad Rashiq.

Partitë politike, pro dhe kundër vazhdimit të vendeve të rezervuara

Partitë politike më të mëdha të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë të ndara sa i përket kërkesës së serbëve. Partia Demokratike e Kosovës, ( PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ( AAK ) nuk e kundërshtojnë kërkesën e serbëve, por, është Partia me e madhe opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, ( LDK ) dhe lëvizja Vetëvendosje, të cilat në mënyrë kategorike janë kundër vazhdimit të ulëseve të rezervuara për pakicat edhe për një mandat.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha për mediat lokale në Prishtinë se kjo parti do të votojë për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, por asnjëherë nuk do të pajtohet që formimi i tyre të ndërlidhet me vendet e rezervuara. “Qëndrimi ynë është i qartë dhe konsiderojmë se vendet e rezervuara janë konsumuar dhe se komunitetet i kanë shfrytëzuar këto vende sipas Kushtetutës, sipas Pakos së Ahtisaarit dhe çdo shkuarje më tutje me to do të ishte ‘Ahtisaari Plus' gjë që do ta relativizonte krejtësisht Pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Isa Mustafa.

Ndërkohë, shefi i grupit parlamentar të PDK-së në pushtet, Adem Grabovci, thotë se “çështja e vendimit për vendet e rezervuara për pakica në Kuvendin e Kosovës, është e ndarë nga ajo e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës. Ai thotë se partitë politike opozitare duhet të reflektojnë edhe në raport me vendet e rezervuara për pakicat”.

Dëmtim i demokracisë funksionale

Nga ana tjetër, disa organizata të shoqërisë civile që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës thonë se çdo ndryshim i kushtetutës sa i përket çështjes së pakicave dhe përfaqësimit të tyre në Kuvendin e Kosovës do ta dëmtonte demokracinë në Kosovë”. Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ( KDI ), thotë për DW:

“Çështjen e ulëseve të rezervuara e ka zgjidhur Kushtetuta e Kosovës dhe ato vende tashmë transformohen në vende të garantuara. Çdo qasje për ta ndryshuar pakon gjithëpërfshirëse të Presidentit Ahtisari dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, do të kishte pasoja në ndërtimin e një demokracie funksionale në Kosovë”.

Sidoqoftë, votimi javën e ardhshme në Kuvendin e Kosovës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës mund të pasohej nga vendimi për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, që mund të mbahen gjatë muajit qershor. Por, kjo çështje varet edhe nga kompromisi që mund të arrihet me përfaqësuesit e pakicave kombëtare të cilët e kushtëzojnë votimin për Forcat e Armatosura të Kosovës ( FAK ) me shkallën e përfaqësimit të tyre në parlamentin e ardhshëm të Kosovës.