1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëbimi i romëve - Mollë sherri mes Italisë dhe Vatikanit

25 Gusht 2010

Ministri i Brendshëm i Italisë Roberto Maroni përkrah dëbimin e romëve nga Franca dhe Italia. Klerikët kritikojnë ashpër dëbimin e tyre. Në debat është kyçur edhe Papa Benedikti i XVI-të.

https://p.dw.com/p/OvCo
Pamje nga dëbimi i romëve nga FrancaFotografi: AP

Në Romë kanë plasur zënkat ndërmjet Vatikanit dhe qeverisë italiane lidhur me trajtimin e romëve nga Rumania dhe Bullgaria. Ministri i Brendshëm italian Roberto Maroni ka kërkuar në një intervistë dhënë gazetës së përditshme "Corriere della Serra" (21.08.2010) që të mund të dëbohen edhe ata qytetarë të Bashkimit Evropian, të cilët nuk arrijnë të dëshmojnë se janë në gjendje të mbulojnë vetë shpenzimet e jetesës dhe strehimit. Ai do ta hapë këtë temë në mbledhjen e ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të BE-së më 6 shtator në Paris.

Roberto Maroni
Roberto MaroniFotografi: AP

Maroni me lëvdata për dëbimin e romëve nga Franca

Politikani nga radhët e partisë armiqësore ndaj të huajve Lega Nord kishte lavdëruar më parë dëbimin e romëve nga Franca për në Rumani i cili kishte filluar më 19 gusht. Ai theksoi se Italia ka vite që përdor këtë "metodë të kthimit vullnetar dhe të mbështetur". Deri në fund të gushtit Franca planifikon dëbimin e rreth 700 romëve.

Dëbimet nuk zgjidhin problemet

Drejtori për çështje të migracionit pranë Konferencës së Ipeshkve, Giancarlo Perego paralajmëroi për diskriminim të të prekurve. Qeveria italiane nuk mund të vendosë me kokën e saj për politikën e BE-së, ka thënë Perego në "Radio Vatikan". Ai paralajmëroi se një dëbim padallim i romëve nuk do t'i zgjidhë problemet e vërteta. Fatkeqësisht Franca ka ndjekur rrugën e Italisë, e cila nuk është treguar e suksesshme, sqaroi Perego.

Flamuri i Vatikanit
Flamuri i Vatikanit

Politika e zbrazjes së dhunshme të kampeve ilegale dhe dëbimet kanë shkaktuar krijimin e ngulimeve të reja ilegale dhe ka shkatërruar integrimin shkollor të fëmijëve. Perego kujtoi se 80 për qind e romëve që jetojnë në Itali posedojnë edhe nënshtetësinë e atjeshme.

Papa Benedikti i përfshirë në debat

Në debat është përfshirë edhe Papa Benedikti i XVI-të. Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot në rezidencën verore Castel Gandolfo, Benedikti me kënaqësi ndalet edhe në çështjet aktuale politike. Në raste të tilla ai flet italisht ose anglisht. Por të dielën (22.8.) ai me qëllim zgjodhi gjuhën frenge. "Teksti i liturgjisë na kujton kërkesën për njohjen e të gjithë njerëzve. Kjo është një thirrrje për njohjen e ndryshimeve legjitime dhe bashkimin e të gjithë njerëzve dhe gjuhëve."

Në Francë, atje ku është zbuluar diplomacia u bë menjëherë e qartë se Papa i referohej dëbimit të romëve, natyrisht pa u përmendur drejtpërdrejt.

Sarkozy fajëson romët për kriminalitet të organizuar

Qysh në vitin 2009 Franca ka dëbuar rreth 10 mijë romë për në Rumani dhe Bullgari. këtë vit presidenti Sarkozy fajësoi romët për kriminalitetin e organizuar dhe arsyetoi kështu vendimin e tij për dëbimin e tyre në vendet prej nga kanë ardhur.

Organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, sindikata dhe opozita franceze e kanë kritikuar ashpër dëbimin e romëve. Edhe atë Arturi, një klerik i njohur katolik nga qyteti verior francez Lille kritikoi hapur politikën e qeverisë. Përveç kësaj ai ka refuzuar pranimin e një dekoratë të cilin deshi t'ia ndaj atij ministri i Brendshëm Brice Hortefeux.

Autor: Fabian Schmidt/Esat Ahmeti

Redaktoi: Lindita Arapi