1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëmshpërblimet për raste vdekjesh dhe dimensioni njerëzor

Barbara Wesel25 Korrik 2015

Humbja e një njeriu të dashur nuk mund të paguhet me të holla. Por një shumë parash, mund ta bëjë jetën e familjarëve më të lehtë, mendon Barbara Wesel.

https://p.dw.com/p/1G4SR
Fotografi: Reuters/R. Pratta

Ka më shumë se tre vjet që avokatë dhe ekspertë nga Gjermania dhe e gjithë Evropa diskutuan në një konferencë për ligjet për trafikun dhe çështjen e dëmshpërblimit për të afërmit e viktimave të aksidenteve. Presidenti i atëhershëm gjerman Christian Wulff mbajti aty një pozicion të qartë, duke thënë që ligji duhet të zgjerohet në raste të tilla edhe me "të drejtën për një dimension njerëzor". Ekspertët bënë thirrje për një rregullim ligjor: që dëmshpërblimi për të afërmit e të vrarëve mund të quhet edhe "para për hidhërimin". Ky duhet "të kuptohet si simbol i mëshirës për vuajtjet shpirtërore dhe i një ndjenje drejtësie". Por për shkak se mullinjtë e legjislacionit në Gjermani bluajnë shumë ngadalë, deri tani asgjë nuk ka ndodhur. Të Gjelbrit në Bundestag kanë ndëmarrë tani një nismë të re në këtë çështje.

Rregullat në Evropë nuk janë të njësuara

Në vende të tjera evropiane, kjo është e rregulluar tashmë ndryshe. Italia, Franca, Britania e Madhe apo Austria e kanë të saksionuar në ligj një kërkesë të tillë për të afërmit e viktimave të aksidenteve. Dëmshpërblimet shkojnë deri në 100,000 euro ose më shumë. Por në Evropën e kufijve të hapur, kjo është një fushë ligjore e cila me të vërtetë duhet të unifikohet. Është turp që përafrimi i legjislacionit në Bashkimin Evropian ecën kaq me vështirësi. Vështirë se diku tjetër ndesh kaq shumë pengesa, kaq shumë referenca për tradita të ndryshme dhe sisteme ligjore. Por sa më shumë afrohet Evropa, aq më shumë lindin në këtë mes padrejtësi. Kështu në Francë, dëmshpërblime të tilla trajtohen me më shumë bujari – po mos dhimbja e shtetasve gjermanë është me më pak vlerë se ajo e familjeve franceze apo spanjolle?

Trajtimi i pabarabartë cënon ndjenjën e drejtësisë

Barbara Wesel
Barbara WeselFotografi: DW/G. Matthes

Sidomos trajtimi i pabarabartë është ai që ngjall ndër të afërmit e të vdekurve ndjenjën që ka një sistem klasor viktimash. Ndër të vdekurit e avionit Germanwings kishte dhe dy pasagjerë me pasaporta amerikane dhe në këtë rast Lufthansa do të paguaj kompensime më të larta sipas ligjit në SHBA. Shumat në SHBA janë pjesërisht tepër të larta dhe Evropa nuk duhet ta ndjekë këtë shembull. Por një ligj uniform për dëmshpërblimet në rast aksidentesh do të ishte një hap përpara. Ky do t'u vinte në ndihmë familjeve dhe do t'u prishte biznesin avokatëve të specializuar për raste të tilla, që në vendet anglo-saksone i quajnë “gjuetarë ambulancash", sepse paratë që marrin ata si honorar do t'u paguheshin familjeve të viktimave.

Dhimbja nuk mund të paguhet

Sigurisht, debati ka një dimension etik. Humbja e një njeriu të dashur nuk mund të paguhet me të holla. Por një shumë parash, mund ta bëjë jetën e familjarëve më të lehtë. Pra ata do të kenë të holla për psikolog, asistencë, për të ndryshuar banesën apo për të bërë një pushim nga puna – pra gjëra që mund t'ua kehtësojnë zinë. Dëmshpërblimi mund të shihet edhe si një shenjë simpatie nga ana e kompanisë që është shkaktare e aksidentit: "Ne nuk mund ta prapësojmë atë që ndodhi, por mund t'jua bëjmë periudhën pas aksidentit, pak më e lehtë." Kundërshtari më i madh i një ligji të tillë është industria e sigurimeve. Por ato fitojnë mjaft dhe nund të paguajnë edhe dëmshpërblime për të siguruarit. Për familjarët e viktimave një ligj i qartë do të paralandonte sidoqoftë ndjenjën e zemërimit që u është krijuar disa prej tyre, sepse ata i konsiderojnë dëmshpërblimet e Lufthansës si shumë të ulëta dhe për këtë arsye si një fyerje për të vdekurit e tyre. Edhe në qoftë se "vlera" e djalit, vajzës apo bashkëshortit natyrisht që nuk mund të maten asnjëherë me të holla.