1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet dhuna në parlamentin e Kosovës

Bekim Shehu8 Tetor 2015

Ambasada e SHBA-së: Armët nuk kanë vend në parlamente. Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të Kuvendit nga radhët e opozitës përbën tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës.

https://p.dw.com/p/1GkSE
Parlament des Kosovo Medien
Fotografi: Kosovo assembly

Nuk ka të ndalur bllokada në Parlamentin e Kosovës megjithë thirrjet edhe të përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare për zhbllokim të seancave. Partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma, nuk lejuan të enjten(08.10) zhvillimin e seancës së parlamentit. Ata fizikisht bllokuan sërish foltoren e kuvendit dhe hodhën bombola me gas lotsjellës brenda kuvendit, duke pamundësuar mbajtjen e seancës. Disa herë krijuan situata tensioni ndërmjet deputetëve, të cilët hidhnin ujë në drejtim të njëri-tjetrit. Deputetja më e vjetër në kuvendin e Kosovës, Flora Brovina dhe një deputete tjetër Blerta Deliu u alivanosën nga gazi lotsjellës. Atyre ju desh të marrin ndihmë mjekësore. Tash për tash akoma është e paqartë sesi deputetët e opozitës kanë arritur ta fusin gazin lotsjellës brenda mjediseve të kuvendit të Kosovës.

Reagimi i presidentes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa dhe ambasada e SHBA-së në Kosovë, e dënuan dhunën e përdorur në seancën e së enjtes(08.10) në parlamentin e Kosovës, ku për të bllokuar punimet e seancës, partitë opozitare hodhën edhe gaz lotsjellës. Disa deputetë dhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare morën ndihmë mjekësore nga pasojat e gazit lotsjellës. Tri subjektet politike opozitare Lëvizja Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, thonë se ato do të vazhdojnë ta bllokojnë kuvendin derisa siç thonë, "qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa të heqë dorë nga zbatimi i Marrëveshjes për Themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe i asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi".

Presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga veprimet e opozitës në kuvendin e Kosovës i cilësoi të papranueshme dhe të shëmtura. "Këto veprime të deputetëve të opozitës janë të shëmtuara dhe në kundërshtim me praktikën demokratike dhe sjelljen institucionale të cilën po mëtojmë ta ndërtojmë. I ftoj deputetët e Kuvendit të Kosovës të distancohen nga dhuna, të respektojnë institucionet që janë ndërtuar me shumë mund dhe sakrificë, përfshirë me sakrificën e tyre personale. Mospajtimet konceptuale dhe politike duhet të diskutohen me forcën e argumentit dhe kulturës parlamentare", thotë në reagimin e saj presidentja Jahjaga. Ajo më tej thekson, se "qytetarët e Kosovës presin nga të zgjedhurit e tyre, si në pozitë dhe në opozitë, që të avancojnë proceset e konsolidimit të Republikës së Kosovës, e jo t'i shndërrojnë ata në spektatorë të tensioneve, krizave dhe bllokadave të vazhdueshme që pengojnë përparimin e Kosovës dhe rrezikojnë mirëqenien e qytetarit".

Në të njejtën linjë në reagimin e saj ishte edhe Qeveria e Kosovës e cila shpreh keqardhje sic thotë "për dhunën që një grup i deputetëve të opozitës përdori sot në seancën e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku për pasojë disa deputetë morën lëndime dhe kërkuan ndihmë mjekësore".

"Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje grupit të deputetëve opozitarë, të cilët me sjelljet e tyre të dhunshme, në veçanti sot, tejkaluan çdo kufi të sjelljes institucionale dhe demokratike, që t'i japin fund dhunës dhe çfarëdo veprimi në kundërshtim me interesat vitale të qytetarëve, të shtetit si dhe partneritetin e çmuar të Republikës së Kosovës me SHBA-të dhe vendet e BE-së".

SHBA dhe BE dënojnë dhunën

Në seancën e sotme në cilësinë e vëzhguesve ishin edhe përfaqësues të pranisë ndërkombëtare, përfshirë edhe shefin e zyrës të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe përfaqësues të disa ambasadave në Kosovë. Edhe në radhët e tyre u desh ndërhyrja mjekësore nga pasojat e gazit lotsjellës. Në reagimin e ambasadës së SHBA-së, thuhet se armët nuk kanë vend në parlamente. "Armët nuk kanë vend në parlamente. Sjellja e tmerrshme e anëtarëve të caktuar të kuvendit nga radhët e opozitës, e cila çoi te kërkimi i kujdesit mjekësor për anëtarët tjerë të kuvendit si dhe për vëzhguesit ndërkombëtarë, përfshirë personelin nga Ambasada e SHBA-së, përbën tallje me njërën nga institucionet më të rëndësishme demokratike të Kosovës. Dhuna e sotme, së bashku me atë të tri javëve më parë, i ka pamundësuar kuvendit që të plotësojë mandatin e vet në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është demokraci. Kjo është pengim i procesit demokratik. Sikurse që kemi bërë edhe në të kaluarën, Shtetet e Bashkuara fuqimisht kërkon nga opozita që të heq dorë nga përdorimi i dhunës si taktikë politike, dhe që të angazhohet konstruktivisht në punën e rëndësishme të Kuvendit për të avancuar interesat e popullit të Kosovës", thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Edhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare janë shprehur të shqetësuar për bllokadën që po i bëhet kuvendit të Kosovës. Ata thonë se në parlamentin e Kosovës duhet mbizotërojë gjuha e argumentave. Përfaqësuesi i lartë i BE-së në Kosovë, Samuell Zhbogar, ka thënë se "opozita nuk duhet ta bllokojë kuvendin, pasi kjo nuk është demokratike. Zhbogar e ka dënuar edhe hedhjen me vezë që iu bë në seancën e parafundit, kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. "Dhuna nuk duhet t'i zëvendësoj argumentat kur ato mungojnë", tha Zhbogar.

Brenda partive politike opozitare ka zëra që po kërkojnë zgjedhje të reja, për shkak të situatës politike të krijuar në Kosovë. Mirëpo, është ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, e cila tha për mediat lokale se "kjo gjë nuk do t'i kontribuojë Kosovës", pasi sipas saj, me zgjedhjet e reja Kosova duhet ta harroj liberalizimin e vizave dhe vullnetin e mirë të investitorëve të huaj. "Unë jam e shqetësuar në lidhje me zërat e papërgjegjshëm të interesuar për zgjedhje të reja edhe pse Kosova ka një qeveri funksionale me një shumicë bindëse në parlament. Pas zgjedhjeve të vitit të kaluar dhe një bllokim gjashtë muaj, ku Kosova në shumë aspekte ra, edhe më tej pas kësaj do të jetë një rast skenari më i keq për popullin e Kosovës", thotë ambasadorja gjermane, Angelika Viets.

AAK: presidentja pozicionohet politikisht

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti opozitare e cila së bashku me Vetëvendosjen dhe Nismën për Kosovën po bllokojnë punimet e kuvendit, vlerësojnë se reagimi i presidentes së Kosovës për zhvillimet në kuvend është i pamatur, politikisht i gabuar dhe veç sa e acaron situatën më shumë.

Sipas AAK-së, presidentja përpara se t'i vlerësojë sjelljet e opozitës në kuvend, do të duhej të merrej me shkaqet që e kanë çuar opozitën në këto veprime. "Presidentja e Kosovës, e cila sipas kushtetutës është faktor uniteti, nuk duhet t'i hedhë benzinë zjarrit, por ta kuptojë rolin që e ka dhe të fillojë, më në fund, që të shqetësohet për shtetin dhe integritetin e tij, i cili mund të dëmtohet edhe me marrëveshjet që po i kundërshton opozita, e jo të merret nëse veprimet e saj janë të shëmtuara. Reagimi i saj i sotëm e shndërron atë në palë politike, dhe kjo është tepër e dëmshme!", thuhet në

Ndërkohë, analistët politik thonë se situata politike në Kosovë nuk është e qendrueshme dhe sipas tyre kanë mbetur vetëm dy mundësi për ta dalë nga kjo krizë. Analisti Blerim Burjani, i tha DW-së: "Pozita duhet dakorduar me opozitën, në mënyrë që ajo mos të vazhdojë me bllokim të kuvendit ose duhet ta pranojë bllokadën dhe vendi të shkojë në zgjedhje. Kështu si është duke shkuar ka humbur sensi dhe arsyeja që e mbledhjes së kuvendit, sepse ata po bllokojnë foltoren", thotë Blerim Burjani.

Sidoqoftë, akoma nuk dihet sesi do të mundësohet zhvillimi i seancave në parlamentin e Kosovës. Kryetari i parlamentit Kadri Veseli thotë se kjo bllokadë nuk do të lejohet në pafundësi. E kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë një mbledhje të qeverisë të mbajtur një ditë më parë tha se proceset në Kosovë nuk mund të kthehen parapa, duke rikujtuar edhe një herë se nuk e ka ndërmend ta tërheqë nënshkrimin nga marrëveshja me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave më shumicë serbe.