1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet furnizimi i Sirisë me raketa ruse

Lindita Arapi18 Maj 2013

Furnizimi i Sirisë me raketat e tipit "Janchot" të Rusisë dënohet nga SHBA. Ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle shprehet skeptik për suksesin e konferencës për Sirinë.

https://p.dw.com/p/18aK9
Ministri i Jashtëm rus Sergej Lawrow
Ministri i Jashtëm rus Sergej LawrowFotografi: KIRILL KUDRYAVTSEV/AFP/Getty Images

SHBA kanë dënuar furnizimin që i bëri Rusia Sirisë me raketat mbrojtëse detare. Komandanti i shtabit të përgjithshëm, Martin Dempsey tha në Uashington se furnizimi me raketat me një teknologji mjaft të zhvilluar do të inkurajojë qeverinë siriane në luftë kundër rebelëve dhe do të ndezë vatra të reja zjarri në Siri. Një aksion i tillë është "më së paku një vendim i pamenduar mirë". Gazeta amerikane "New Jork Times" kishte raportuar se Rusia ka furnizuar Damaskun me raketa të tipit "Jachont", të cilat mund të vihen në përdorim kundër anijeve.

Reagon Rusia

Një furnizim i tillë mund të vështirësojë edhe më tej një bllokadë të mundshme detare kundër Sirisë. Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergej Lavrov hodhi poshtë kritikat kundër furnzimit me armë të Sirisë dhe theksoi se Moska furnizon vetëm me armë që përdoren për mbrojtje. Qeveria e presidentit Bashar Al-Asad nuk fiton me këtë furnizim asnjë lloj avantazhi kundër kryengritësve sirianë.

WDR Europaforum Westerwelle Berlin 16.05.2013
Ministri i Jashtëm gjerman Guido WesterwelleFotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle u shpreh skeptik lidhur me suksesin e konferencës ndërkombëtare që planifikohet me qëllim arritjen e paqes në Siri. "Kjo konferencë ndërkombëtare do të jetë shumë e vështirë, tha ministri i Jashtëm gjerman gjatë një vizite në rajonet palestineze. Politikani liberal gjerman është skeptik mbi mundësinë e paqëtimit të palëve në konfliktin e përgjakshëm, i cili deri më tani ka kushtuar mbi 80.000 jetë njerëzish. "Mbajtja e një konference të tillë është shumë e rëndësishme. Por është shumë e pasigurtë nëse ajo do jetë e sukseshme", tha Westerwelle.