1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet sulmi me mjet shpërthyes ndaj parlamentit të Kosovës

Bekim Shehu5 Gusht 2016

Sulmi ndaj godinës së kuvendit të Kosovës u dënua fuqishëm nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike.

https://p.dw.com/p/1Jc3d
Kosovo Hauptstadt Pristina
Fotografi: picture-alliance/dpa

Me një mjet shpërthyes u sulmua mbrëmjen e së enjtes (04.08)godina e kuvendit të Kosovës, duke shkaktuar dëme materiale, por pa pasoja në njerëz. Sipas policisë, sulmi ka ndodhur me mortajë dore nga dy persona me një motoçikletë në lëvizje. Tani për tani nuk dihen motivet e këtij sulmi, sikundër nuk dihen as autorët e tij. Shpërthimi ndodhi në kohën kur kishte lëvizje të qytetarëve në shëtitoren e qytetit të Prishtinës. Policia më vonë gjatë natës ka gjetur të djegur motoçikletën, me të cilën besohet se kanë lëvizur sulmuesit.

Sulmi mbi godinën e kuvendit të Kosovës është dënuar fuqishëm nga udhëheqësit e institucioneve të Kosovës dhe ata të partive politike, të cilët u kanë bërë thirrje organeve të drejtësisë që të zbardhin sa më shpejt rastin dhe të sjellin përpara drejtësisë autorët e sulmit.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ndodhet në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike në Brazil, ka theksuar se "ajo për të cilën të gjithë duhet të pajtohemi është se dhuna nuk duhet të ketë vend në Kosovë. Sulmuesit janë njerëz që nuk e duan Kosovën, që nuk ia duan të ardhmen evropiane qytetarëve tanë dhe nuk duan që fëmijët e Kosovës të rriten në paqe", thotë Presidenti Hashim Thaçi.

Qeveria e Kosovës nga ana e saj e dënoi ashpër sulmin mbi godinën e kuvendit të Kosovës duke e cilësuar si një sulm qyqar i drejtuar kundër të gjitha institucioneve dhe shtetit të Kosovës. "Pa dashur të paragjykojmë nëse është në linjën e akteve të dhunshme të paralajmëruara, Qeveria e Kosovës konsideron se akte të tilla nuk do të arrijnë të ndalin përkushtimin dhe punën e institucioneve të Kosovës për realizimin dhe mbrojtjen e interesave të vendit. Sulmet mbi institucione publike, mbi drejtuesit e tyre dhe policinë, si dhe mbi objektet private, janë veprime të ulëta dhe antidemokratike, të cilat në asnjë rrethanë nuk mund të frikësojnë bartësit e institucioneve të Kosovës për kryerjen e obligimeve të tyre për realizimin e vullnetit të qytetarëve për lëvizje të lirë në BE, për zhvillim ekonomik dhe fuqizim të gjithanshëm të shtetit", thuhet në reagimin e qeverisë.

Partia politike opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se "sulmi në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, është një sulm mbi shtetin dhe mbi demokracinë, është një sulm mbi të gjithë qytetarët e Kosovës. Kushdo që qëndron prapa këtij shpërthimi apo sulmi, çfarëdo që të jetë ai, është kundër Kosovës dhe qytetarëve të saj", thuhet në reagimin e AAK-së.

Edhe subjekti tjetër politik opozitar Lëvizja Vetëvendosje në reagimin e saj, thotë se "nuk mund të këtë motiv që do të justifikonte aktet e tilla të papranueshme dhe nuk i bëjnë mirë kurrfarë kauze. Ne ftojmë këdo që është kundër rrjedhave politike të vendit tonë të bashkohet në protestat paqësore, qytetare dhe publike, sepse vetëm përmes aktiviteteve të tilla do të mund ta ndryshojmë gjendjen në Kosovë", thuhet në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.