1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëshirat dhe realiteti në grindjet amerikane për buxhetin

28 Korrik 2011

Në SHBA kanë vazhduar mosmarrëveshjet rreth programit ekonomik për tejkalimin e krizës së borxheve mes republikanëve dhe demokratëve. Partitë politike shfrytëzojnë këtë moment më shumë për të dobësuar palën tjetër.

https://p.dw.com/p/125D0
Koment
Fotografi: DW

Kur Obama mori me vrull Shtëpinë e Bardhë në vitin 2008, fare në fillim të mandatit e bëri të qartë se një program i mirë politik për SHBA-në mund të ketë sukses, vetëm në qoftë se ai nuk ka për bazë interesat partiake, por interesat e shtetit. Ai angazhohej për përfundimin e ndarjeve dhe konflikteve mes demokratëve dhe republikanëve, të cilat e kanë paralizuar ekonomikisht vendin dhe e kanë dërrmuar politikisht.

Por qëllimet e mira të Obamës dështuan që në zbatimin e projektit të tij të parë të madh për reformën e sistemit shëndetësor. Vizioni ambicioz i Obamës, që të gjithë të kenë përkujdesje shëndetësore, shkaktoi debate të pafundta, që rezultuan me miratimin e një reformëze që gati nuk i ngjante fare planeve të para. Një skenar i ngjashëm po duket edhe tani në debatet aktuale për ngritjen e nivelit më të lartë të borxheve, që kërcënon shtetin amerikan me humbjen e aftësisë së pagesës.

Kriza s'ka të bëjë vetëm me Obamën

E sigurt është vetëm një: kriza nuk e ka të bëjë vetëm me kohën e Obamës. Që në kohën e paraardhësit të tij George W. Bush ishte e qartë se amerikanët jetonin mbi nivelin e mundshëm, për shkak të shpenzimeve të jashtëzakonshme në luftën e Irakut dhe në Afganistan si dhe krizës së madhe në tregjet botërore financiare.

Në grindjet rreth borxheve frontet janë ashpërsuar që në fillim. Në shikim të parë, më shumë bëhet fjalë për mosmarrëveshje politike dhe ideologjike se sa për dallime përmbajtësore në propozime. Qëllimi është më shumë që të dëmtohet kundërshtari politik, pa marrë parasyshë pasojat negative ekonomike që mund të ketë mosmiratimi i programit të përbashkët, jo vetëm për SHBA-në dhe popullin e vuajtur amerikan, por edhe për Evropën dhe Azinë.

Mungesa e konstruktivitetit të palëve

Shumë domethënëse janë deklaratat e udhëheqësit të republikanëve pakicë në Senat, Mitch McConnell, i cili thotë se detyra e tij është që Obama të mbetet në postin e presidentit vetëm për një mandat.

Në anën tjetër, as demokratët nuk janë tepër konstruktivë. Propozimet e deritanishme për zgjidhjen e krizës më shumë kanë për qëllim dobësimin e kundërshtarit politik, se sa gjetjen e një kompromisi të mirëfilltë për dalje nga situata e tanishme. Është e mundur që ata janë të frustruar për shkak të humbjes në zgjedhjet e fundit për Kongres dhe për shkak të rritjes së influencës së krahut radikal konservator, por kjo nuk justifikon sjelljen e tyre dhe fajësimin e palës tjetër.

Të dy palët do të dëshmonin një madhësi sikur të tejkalonin muret politike dhe të merreshin vesh për tejkalimin e krizës së borxheve. Njëra prej palëve duhet të pajtohet me një humbje të përkohshme politike. Por në shtigje afatgjata votuesit mund të shpërblejnë pikërisht palën që ka bërë kompromise në momentet më të rëndësishme për vendin dhe të votojnë për ta në zgjedhjet e ardhshme.

Presidenti Obama në fjalimin e tij drejtuar kombit në fillim të kësaj jave tha se të dy palët duhet të jenë të arsyeshme me fjalët se kështu nuk mund të qeveriset kombi më i madh në botë. Por ndoshta pikërisht këtu edhe qëndron problemi më i madh i elitës së tanishme politike në Uashington.

Autor: Robert Mudge

Redaktoi: Bahri Cani