1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Zonja e hekurt e Lituanisë

Monika Griebeler/ Eliana Xhani6 Maj 2013

Ai konsiderohet si "Oscar i politikës": kush merr çmimin e Karlit, ka bërë emër në politikë në Evropë. Ashtu si mbajtësja e çmimit këtë vit, presidentja e Lituanisë, Dalia Grybauskaitė. Por stili i saj edhe kritikohet.

https://p.dw.com/p/18Sxz
Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite në intervistë me DW.
Presidentja e Lituanisë Dalia Grybauskaite në intervistë me DW.Fotografi: Delfi

Supet drejt. Vështrimi përpara. E përqendruar. E fokusuar. Ky është imazhi i saj përhershëm: Dalia Grybauskaitė, sundimtarja e rreptë e politikës lituaneze.

"Karakteri im në thelb është formuar në luftën për mbijetesë", tregon 57-vjeçarja dhe e sheh bashkëbiseduesin me vëmendje, pa emocione. "Unë nuk vij nga një familje e pasur, nuk kam pasur asnjëherë dikë që të më mbështeste. Ndoshta kjo është arsyeja pse dukem kaq e rreptë." Që prej 2009 Grybauskaitė është presidente e Lituanisë, e para grua në këtë post. Mediet shpesh e përshkruajnë si "zonja e hekurt" në analogji me modelin e saj, ish kryeministren britanike Margaret Thatcher.

Dhe me vendosmëri të hekurt e ndjek Grybauskaitė karrierën e saj: pas pavarësisë së Lituanisë në 1990 ajo fillimisht u caktua drejtuese sektori në Ministrinë e Tregtisë së Jashtme dhe më pas në Ministrinë e Jashtme. Ajo ishte kryenegociatore për marrëveshjen e tregtisë së lirë me BE-në, pas kësaj ambasadore e Lituanisë në SHBA, ministre e Financave ddhe në fund në 2004 Komisionere e BE-së për Financat dhe Buxhetin. "Çdo sukses mendoj se varet jo vetëm nga talenti, por duhet patjetër të mbështetet në shumë punë dhe disiplinë. Kështu punoj unë dhe këtë pres edhe nga të tjerët", thotë ajo.

Armike e fjalëve pa bukë: Dalia Grybauskaite
Armike e fjalëve pa bukë: Dalia GrybauskaiteFotografi: dapd

Presidentja urren fjalët pa fund

"Ajo prezantohet me dëshirë si person i fortë dhe i saktë: si dikush që nuk pëlqen bisedat e gjata pa bukë. Si dikush që kërkon të arrijë në përfundim, që do t'i shohë punët të kryera", thotë Ramūnas Vilpišauskas, drejtor i Institutit për Shkenca Politike në Universitetin e Vilniusit. "Njëkohësisht ajo i jep postit një karakter shumë personal." Presidentja di karatenë dhe madje ka në këtë sport Rripin e Zi. Efikasitet, këmbëngulje, disiplinë, ambicie - karakteristika që i nevojiten në sport, por që janë ndihmë edhe në biznesin politik.

Dhe tani kurorëzimi i punës së saj: çmimi i Karlit i qytetit të Ahenit, i cilësuar si "Oscar i politikës". Grybauskaitė është "një personalitet i spikatur në rajonin balltik" dhe çmimi është një "vlerësim për meritat e saj të konsiderueshme për thellimin e integrimit në BE dhe përballimin e krizës aktuale", thuhet në argumentimin e Drejtorisë së çmimit të Karlit.

Ajo e do vendin e saj

Kur Lituania u godit nga kriza ekonomike në 2008, Grybauskaitė e la postin e komisioneres së BE-së dhe kandidoi për postin e presidentit në Lituani. "Në të vërtetë nuk kam dashur asnjëherë të bëhem presidente. E bëra vetëm sepse po shihja se Lituania po rrëshqiste në krizë dhe doja të ndihmoja qeverinë në përballimin e këtyre problemeve", e argumenton ajo kandidaturën për presidente. Grybauskaitė, shpëtimtarja, heroina.

Modern por pjesërisht i papërfunduar: Vilnius
Modern por pjesërisht i papërfunduar: VilniusFotografi: DW/M.Griebeler

Së bashku me qeverinë e ish kryeministrit Andrius Kubilius ajo kontribuoi në stabilizimin e vendit. Ndryshe nga vendet në krizë në jug të Evropës, ajo nuk iu drejtua ndihmave financiare nga FMN. "Kur ekziston vullneti politik dhe përgjegjësia politike, nuk nevojitet ndihmë", thotë Grybauskaitė në bisedë me DW. Lituania ia doli të mposhtë krizën pa diktaturë nga jashtë, thekson presidentja.

Një dragua, por i mirë

Kritikët e Grybauskaitės flasin megjithatë për një "diktaturë nga brenda": shpenzimet publike u shkurtuan me 30 për qind, rrogat në sektorin publik me 20 për qind dhe pensionet me 11 për qind. Në të njëjtën kohë qeveria rriti taksat. Që prej pavarësisë Lituania ka humbur një gjysmë milioni banorë, plot një të pestën e popullsisë. "Ky është ndoshta çmimi i integrimit në një hapësirë më të madhe ekonomike. Por për një vend të vogël ky është natyrisht një lajm shumë shumë i keq", thotë Grybauskaitė.

Në rrugët e Vilniusit thuhet se Grybauskaitė ka në vëmendje vetëm interesat e saj, është autoritare dhe i pëlqen vetja. Ajo është një dragua! Vërtet presidentja është ende në krye të listave të politikanëve më popullorë, por që prej krizës vlerat e popullaritetit kanë rënë lehtë. Dhe vazhdimisht qarkullojnë zëra se është lesbike dhe ka punuar për KGB-në. Në fund të fundit ajo ka studjuar në Rusi në kohën e Bashkimit Sovjetik dhe ka bërë doktoraturën në Moskë, argumentohet. Grybauskaitė i hedh poshtë me vendosmëri këto zëra.

E ardhmja e pasigurt: shumë pak të rinj lituanezë qendrojnë në atdhe.
E ardhmja e pasigurt: shumë pak të rinj lituanezë qendrojnë në atdhe.Fotografi: DW/M.Griebeler

Grybauskaitė, presidentja e ardhshme e BE-së?

Presidenca e Këshillit të BE-së është për Grybauskaitė roli i ëndërruar. "Veçanërisht vitin e kaluar është përpjekur shumë për politikën e jashtme me udhëtime në Ukrainë për shembull. Ajo e shfrytëzon zgjedhjen e ardhshme të presidencës së Këshillit të BE-së për të qenë më prezente në vëmendjen e opinionit, në BE por edhe në Lituani", mendon politologu Ramūnas Vilpišauskas.

Politiologu Ramunas Vilpisauskas
Politiologu Ramunas VilpisauskasFotografi: DW/M.Griebeler

Ndoshta në të ardhmen Grybauskaitė dëshëron të ndikojë më shumë në Evropë, spekulojnë tashmë mediet lituaneze. Në 2014 në Lituani mbahen zgjedhjet presidenciale dhe një gjysmë viti më vonë do të zgjidhet presidenti i ri i Këshillit të BE-së. Herman Van Rompuy nuk do të kandidojë më. "Nëse do të kandidoj për një mandat të dytë në Lituani, do ta vendos pranverën e ardhshme. Këtë vit do të përqendrohem në presidencën e Këshillit të BE-së", minimizon Grybauskaitė me fytyrë serioze. Por pastaj papritur buzëqesh dhe thotë: "Të shohim se si do t'ia dalim mbanë kësaj në verë."