1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dalja e Polonisë nga BE - e pamundur "

14 Dhjetor 2017

Konfrontimi midis qeverisë polake dhe BE është shtuar. Madje flitet edhe për një dalje të Polonisë nga BE. Por eksperti i Evropës Lindore, Milan Nic nuk e beson këtë.

https://p.dw.com/p/2pNfB
Milan Nic Osteuropaexperte
Fotografi: A. Schnuer-Wala

 

DW: Zoti Nic, sa serioze është gjendja politike në Poloni? A janë shtuar gjasa për daljen e Polonisë nga BE? A ndodhet Polonia pak para eleminimit të demokracisë?

Nic: Unë paralajmëroj për rrezikun që sjell dramatizimi dhe histeria. Situata e përgjithshme në Poloni është vërtet serioze, sepse ajo që po ndodh për momentin është pjesë e një zhvendosjeje të madhe drejt një forme qeverisjeje autoritare. Por shumë kritikë përdorin edhe klishe dhe tregohen sipërfaqësore në analiza, gjë që ka të bëjë me mungesë dijesh dhe interesi.

BE kërcënon se do t'ia heqë Polonisë të drejtën e votimit dhe se do t'ia bllokojë mjetet financiare. A është ky një hap kundërproduktiv? 

Në radhë të parë unë besoj se kjo nuk do të ndodhë. Ashtu si funksionon Neni 7, kjo është me shumë pak gjasa. Veç kësaj Hungaria ka bërë të ditur se do të vendosë për këtë veton e saj, nëse procedura arrin këtë shkallë. Ajo që mund të ndodhë vërtet është një "karton i verdhë" në vend të "opsionit bërthamor", heqjes së të drejtave të votimit. Unë besoj se këtu zhvillojmë një debat artificial, sepse nuk besoj se ka shumw shtete anëtare që do ta çonin deri në fund këtë punë, deri tani të paktën.

Që tani në Poloni flitet për dalje nga BE. A mendoni se është i mundur një Polexit?

Jo, këtë e konsideroj të pamundur.

Pse?

Populli polak është nga popujt me qëndrim më miqësor në të gjithë BE. Polonia ka përfituar më shumë se çdo vend tjetër nga fondet e kohezionit të BE. Dhe në kuadër të kornizës disavjeçare financiare, Polonia ka të drejtë t'i marrë këto para deri në 2020. Paradoksi është që konflikti me Komisionin Evropian e ndihmon Partinë E Drejta dhe Drejtësia (PiS) që ta përçajë Poloninë. Më shumë se 40 përqind e polakëve e mbështesin PiS dhe shumë prej këtyre mbështetësve janë njëkohësisht mbështetës entuziastë të BE. Sot përfitojnë parti dhe politikanë, që e polarizojnë Poloninë, kur ushtrohet presion nga jashtë. Pikërisht kjo po ndodh tani. Kaczynski e ka instrumentalizuar këtë presion, për ta paraqitur Poloninë si viktimë të gjoja një morali të dyfishtë. Politikanë të PiS e kanë quajtur këtë në BE si "zakon kolonialist" dhe "gjah politik" ndaj Polonisë. Por njëkohësisht kjo tregon se sa e dobët është politikisht Polonia dhe sa e izoluar është në rrafshin evropian.

Milan Nic është ekspert i Evropës Lindore në Shoqërinë Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) në Berlin.

 

Hasselbach Christoph Kommentarbild App
Christoph Hasselbach Analist, korrespondent dhe komentues i politikave ndërkombëtare