1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni hetimor për "Euro Hawk"

Mathias Bölinger / Eliana Xhani31 Korrik 2013

Një komision hetimor parlamentar duhet të sqarojë se përse u kuptua pas shumë vitesh dhe shpenzime 600 milionë euro se avioni pa pilot Euro Hawk nuk mund të merrte leje fluturimi në Evropë.

https://p.dw.com/p/19HR1
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kur dikush përshkruan rolin e komisioneve hetimore parlamentare në Gjermani, fjalori i përdorur është disi marcial. "Shpata më e mprehtë e opozitës" cilësohen këto instanca, pasi kundërshtarët e qeverisë mund të votojnë miratimin e tyre në parlament me një të katërtën e votave, kundër shumicës së qeverisë dhe mund të nxjerrin publikisht para përgjegjësisë, anëtarët e kabinetit. Me kënaqësi citohet edhe ish-ministri i Jashtëm Joshka Fisher me fjalët: një komision hetimor parlamentar është "së pari një instrument lufte, së dyti një instrument lufte, së treti një instrument lufte".

Aktualisht në Gjermani po luftohet, e pikërisht për fitoren elektorale në zgjedhjet parlamentare në shtator. Për këtë arsye komisioni hetimor për dështimin e projektit "Euro Hawk" është mbledhur me frekuencë të lartë megjithë pushimin parlamentar të verës, tetë takime brenda një muaji. Synimi i opozitës është të dëmtojë sa më shumë të jetë e mundur ministrin e Mbrojtjes. Partitë qeverisëse duhet të mbrohen ndaj këtyre sulmeve.

Ministri në rolin e të paditurit

Një komision hetimor i ngjan paksa një procesi gjyqësor. Mblidhen dëshmi dhe merren në pyetje dëshmitarë. Në komisionin për avionët pa pilot, duhet të sqarohet se si rrodhën ngjarjet deri në pezullimin e avionit zbulues të tipit Euro Hawk në fillim të majit. Atëherë u bë e qartë se nxjerrja e një leje fluturimi për avionin pa pilot për funksionimin e rregullt, nuk kishte gjasa të jepej brenda një kohe të parashikueshme. Kjo, pasi në projekt ishin investuar ndërkohë 600 milionë euro. Zyrtarisht nuk ka një person të paditur por pyetja, me të cilën merret më shumë komisioni hetimor, ka të bëjë me përgjegjësinë e ministrit të Mbrojtjes, Thomas de Maizière. Politikani kristiandemokrat konsiderohet si njeri i besuar i kancelares Merkel. Nëse ai do të rezultojë fajtor në disfatën e Euro Hawk, kjo do të prekte gjithë qeverinë.

Ashtu si në një gjyq ka dëshmitarë të padisë, pra ata që opozita dëshëron t'i marrë në pyetje dhe dëshmitarë të mbrojtjes, pra ata që mund të lehtësojnë ministrin nga akuzat. Për kampin qeveritar do të ishte një arritje sensacionale nëse do të rezultonte në fund fajtor një ish-ministër nga kampi kundërshtar.

Në këtë rast ky mund të ishte Rudolf Sharping, ministër i Mbrojtjes nga Partia Socialdemokrate nga 1998 deri 2002. "Projekti Euro Hawk u iniciua nga socialdemokratët dhe të gjelbrit, në kohën e qeverisjes së SPD-së dhe të gjelbërve janë marrë vendime të rëndësishme", tha Thomas Grübel, përfaqësues i Partisë Kristiandemokrate (CDU) në komision. Sharping u ftua që në fillim të hetimeve. Nëse grupet parlamentare të partive qeverisëse (CDU/CSU dhe FDP) do të mund të dëshmonin që projekti ka pasur një "defekt të lindur", kjo do ta kishte lehtësuar mjaft ministrin de Maizière.

Por Sharping nuk ua bëri të lehtë punën përfaqësuesve të partive qeverisëse. "Nuk mund të jesh disa vite në post dhe të zbulosh më vonë një defekt të lindur", tha ish-ministri i Mbrojtjes në adresë të pasuesit të tij. Edhe linja e mbrojtjes së ministrit de Maizière, se nuk ishte informuar sa duhet nga bashkëpunëtorët e tij, u kundërshtua nga Sharping: "Duhet të pyesësh!" Ai vetë ia ka dalë gjithnjë mbanë, qoftë në udhëtime pune apo "pranë një gote vere në darkë", u shpreh ish-ministri Sharping.

Ish ministri i Mbrojtjes Sharping para komisionit hetimor parlamentar.
Ish ministri i Mbrojtjes Sharping para komisionit hetimor parlamentar.Fotografi: picture-alliance/dpa

Edhe Wolfgang Schneiderhahn, inspektor i vjetër i ushtrisë, nuk e pranoi deklaratën e de Maizière se "tradicionalisht" ishte informuar keq nga bashkëpunëtorët. "Kur kisha diçka që më shqetësonte unë kërkoja kohë për të biseduar me ministrin", tha ai. Opozita e ka shtuar kështu shpejt trysninë ndaj ministrit. "De Maiziére është problemi i madh i kësaj qeverie. Bëhet fjalë për pyetjen se si do të kryejë ai më tej detyrat e postit", tha deputeti i gjelbër Omid Nouripour, pas takimit të dytë të komisionit hetimor.

Përgjegjësia e ministrit

Dëshmitarja më e rëndësishme për opozitën ishte Angelika Bauch. Ajo është revizore në Zyrën Federale të Revizionit dhe si kontrollore e financave ka hetuar proceset në Ministrinë e Mbrojtjes. Ministria e Mbrojtja i ka besuar "me naivitet" industrisë, problemet nuk janë kuptuar, rreziqet janë nënvlerësuar në mënyrë sistematike. "Kontrolli nuk ka funksionuar", tha revizorja. Po ministri? De Maizière nuk ka përmbushur obligimin e tij për t'u informuar rregullisht.

Drohnen-Affäre Untersuchungsausschuss 22.07.2013 Schneiderhan
Komisioni hetimor parlamentar për projektin Euro HawkFotografi: picture-alliance/dpa

Ministri është lehtësuar nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të tij. Sekretari i shtetit Stéphane Beemelmans pranoi se nuk e ka sqaruar në kohë ministrin për problemet me avionin pa pilot. "Përgjegjësia bie plotësisht mbi mua", tha ai. Dhe për Harald Stein është e sigurt se ministri ka dalë në kohën e duhur nga projekti Euro Hawk. Stein është president i zyrës që siguron armatime për Bundeswehr-in. Ishte e rëndësishme që faza e provave të Euro Hawk të përfundohej, tha Stein. Për Euro Hawk, i cili ka të njëjtin konstruksion si një avion i ushtrisë së SHBA-së, u zhvillua një njësi e posaçme zbulimi. Për këtë sistem, i cili duhet të realizojë foto nga ajri, është shpenzuar më shumë se gjysma e buxhetit. Ai funksionon, konfirmoi Stein, dhe në rast nevoje mund të vendoset në avionë të tjerë. "Nëse do të kishim dalë një vit më parë nga projekti, nuk do të kishim përfituar asgjë."

Në fund para komisionit duhet të dalë vetë ministri. Është seanca më e rëndësishme në proces. Nëse në fund ai do të rezultojë fajtor apo jo, varet në masë të madhe nga prezantimi i tij. Por këtu marrin fund paralelet me një proces të zakonshëm gjyqësor. Në fund komisioni hetimor parlamentar harton një raport përfundimtar. Ai nuk mund të vendosë mbi pasojat për ministrin. Këtë mund ta bëjë vetëm vetë ministri, ose shefja e tij, kancelarja. Angela Merkel deri tani ka bërë të qartë se e mbështet de Maizière. "De Maiziére nuk do të dëshëronte mbështetje më të madhe", deklaroi së fundi përmes zëdhënësit të saj kancelarja.