1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat për pensionin honorifik për Wulff-in

7 Mars 2012

Pension honorifik i përjetshëm quhet pensioni për një president federal. Ky koncept vjen nga bota ushtarake. Po a e meritojnë të gjithë këtë pension?

https://p.dw.com/p/14G5t
Ish-Presidenti i Gjermanisë, Christian Wulff
Ish-Presidenti i Gjermanisë, Christian WulffFotografi: Reuters

Pension honorifik të përjetshëm marrin në Gjermani ndërkohë vetëm presidentët federalë dhe nëpunës civilë komunalë në Landin e Bavarisë. Në kushte të caktuara ky pension u jepet atje kryetarëve të bashkive, këshilltarëve të landit dhe presidentëve të qarkut, megjithatë deri në shumën 723 euro në muaj. Pensioni i përjetshëm i një presidenti federal është rreth 200.000 euro në vit.

Jo të gjithë e kanë marrë këtë pension

Pagimi i një pensioni të përjetshëm Christian Wulffit ka ngjallur diskutime, meqenëse ai dha dorëheqjen si politikan për shkak të sjelljes së tij të supozuar ose realisht të gabuar si politikan. Nëse pagimi i pensionit të përjetshëm për Wulffin hapi diskutime, shërbimet shtesë të lidhura me pensionin, të cilat Wulffi dëshiron gjithashtu t'i shfrytëzojë shkaktojnë edhe më shumë diskutime. Një ish-president i Gjermanisë ka të drejtë të mbajë një zyrë si dhe një ekip bashkëpunëtorësh, si dhe një makinë shërbimi me shofer. Shpenzimet për këto i paguan taksapaguesi, ato llogariten në 280.000 euro në vit.

Horst Köhler ka hequr dorë nga pranimi i pensionit honorifik të përjetshëm
Horst Köhler ka hequr dorë nga pranimi i pensionit honorifik të përjetshëmFotografi: AP

Në vitin 2012, krahas Christian Wulffit jetojnë edhe katër ish-presidentë të Gjermanisë: Walter Scheel, Richard von Weizsäcker, Roman Herzog dhe ish-presidenti që u largua gjithashtu para përfundimit të mandatit nga posti, Horst Köhler. Normalisht nuk dihet se çfarë shërbimesh dhe pensionesh shfrytëzon një president. Vetëm për paraardhësin e drejtpërdrejtë të Wulffit në post, Horst Köhler dihet se ai ka hequr dorë nga pranimi i pensionit honorifik të përjetshëm.

Pak mbështetje dhe shumë kundërshtime

Kryetari i Bashkisë së Berlinit, Klaus Wowereit e mbron pretendimin e Wulffit për pensionin honorifik. Sipas tij, një ish-president nuk duhet të vijë në gjendje që t'i duhet të punojë, vetëm për arsye financiare. Një ish-president perceptohet në publik edhe më tej si përfaqësues i Republikës Federale Gjermane, prandaj duhet të garantohet pavarësia e tij financiare.

Juristi i njohur Hans Herbert von Arnim mendon përkundrazi se Wulffi u nda "pa nder" nga posti dhe prandaj ai "është e vështirë që të marrë përsipër funksione përfaqësimi për Gjermaninë." Kryetarja e Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Renate Künast i sheh gjithashtu në mënyrë kritike shërbimet shtesë veç pensionit honorifik për Wulffin. Ajo mendon se Wulffi dëmton prestigjin e politikës, nëse rritet gjithmonë e më shumë hendeku midis veprimeve të tij dhe ndjenjës për drejtësi të njerëzve.

Përfaqësues të të gjitha partive kërkojnë ndërkohë që ose të hiqet pagimi i pensionit honorifik të përjetshëm, ose që të reformohet sistemi i pensionit të pleqërisë për presidentët. Partia e Majtë kërkon që edhe politikanët të paguajnë në të ardhmen në arkën e sigurimeve të pensioneve dhe që pensionet e tyre në të ardhmen të llogariten mbi këtë bazë.

Autor: Dirk Kauffmann/ Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi