1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debati për nënshtetësinë

11 Janar 2010

Projektligji për dhënien e nënshtetësisë greke fëmijve të imigrantëve dhe dhënien të drejtave politike në pushtetin vendor imigrantëve të ligjshëm përjetohet si një shok kulturor dhe institucional në Greqi.

https://p.dw.com/p/LR0a
Pamje nga AthinaFotografi: Nikos Pilos

Debati ka marrë edhe trajtën e një “lufte diçitale” në Internet, ku është emetuar projektligji nga ana e qeverisë për diskutim publik para aprovimit të tij. Flamurtare e reagimeve negative është Partia Nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor, e cila flet për "rrezik kombëtar" dhe nëpërmjet kreut të saj Karaxhaferis kërkon mbajtjen e një referendumi popullor.

Integrimi i emigrantëve preokupim i qeverisë së re greke

Fakti që qeveria publikoi projektligjin për nënshtetësinë dhe të drejtat politike të imigrantëve brenda harkut kohor të “100 ditëve të para” të jetës së saj tregon qartë se socialistët e Papandreut të porsaardhur në pushtet kërkojnë “të lajnë hesapët” me të kaluarën injoruese të çështjes së imigracionit dhe ta kthejnë atë në një proekupacion bashkëkohor të politikës dhe shoqërisë greke. “Bëhet fjalë për një përpjekje që do të krijojë të gjitha premisat që vendi ynë është i obliguar të sigurojë për ju, me qëllim që të kemi një integrim të barabartë dhe tërësor në indin social të Greqisë për të gjithë imigrantët” u deklaroi në një takim të posaçëm përfaqësuesve të 120 komuniteteve të ndryshme të imigracionit një nga “arkitektët” e këtij vendimi, ministri i brendshëm Janis Ragusis. b

Der griechische Innenminister Janis Ragusis
Ministri i Brendshëm grek, Janis RagusisFotografi: DW

Kursi i ri përshëndetet nga forcat e majta

Kursi i ri, që ishte shpallur me kohë, qe para zgjedhjeve, bashkoi menjëherë rreth tij që nga forcat e majta progresiste që folën për “një hap në drejtimin e duhur” dhe deri të përfaqësuesit e emigracionit grek në Evropë dhe SHBA që e përshendetën si një “obligim komunitar dhe moral” të Greqisë.

Por statusi i ri i barazisë dhe integrimit të imigracionit, të filluar në thelb nga fëmijët e tij të lindur në Greqi ose me 6 vjet nëpër shkollat greke, ka më shumë kundërshtarë se sa përkrahës. Kjo përshtypje lihet të krijohet të paktën nga reagimi i ashpër i forcave konservatore dhe në radhë të parë të Partisë Alarmi Ortodoks Popullor që nuk lë rast pa u rënë sirenave të alarmit për rrezikun e “tjetërsimit të kombit grek nga klandestinët myslimanë”. “Një politikë e tillë do të çojë në dhënien masive të nënshtetësisë dhe në tjetërsimin e elektoratit” thotë deputeti i kësaj partie dhe avokat në profesion Maqis Voridhis.

Barazia e emigrantëve kundërshtohet nga forcat konservatore

Por ai që jep recital të përditshëm ksenofob dhe bile me një retorikë lepeniste ultra të djathtë është kreu i nacionalistëve grekë Jorgos Karaxhaferis, që bën çmos të frenojë flirtin e një pjese të elektoratit të tij me Demokracinë e Re pas ardhjes në krye të saj të Andonis Samaras. Jo zoti Samaras, mos bashkëveproni në këtë krim. Mos tjetërsoni elektoratin. Këtë e do PASOK-u” tha Karaxhaferis, i cili foli për 250.000 që më vonë i rriti në 500.000 “votues mercenarë imigrantë” në zgjedhjet për pushtetin lokal të tetorit të ardhshëm, që socialistët e Papandreut sipas tij duan “t'i tërheqin prej hunde”. Por më shumë se vota nervi më i ndjeshëm është përkatësia etnike dhe këtu i përqendron goditjet e tij lideri karizmatik. ““Greqia do të bëhet Bullgari, ku partia turke po bën ligjin” tha Karaxhaferis duke paralajmëruar se pas disa vitesh “vendet e deputetëve grekë do t'i zenë myslimanët” dhe u drejtoi apel partive “të shkojmë në popull dhe t'i themi do apo nuk do votë për imigrantët”.

Jorgos Karadschaferis
Kryetari i partisë, Alarmi Ortodoks Popullor, Jorgos KaraxhaferisFotografi: DW

E djathta ekstreme kërkon referendum.

Ajo synon të përfshijë në këtë valle dhe Demokracinë e Re dhe kreun e saj Samaranë, që nga ana e tij thotë “jo” ndaj një akti të tillë kompromentues por vendos kushte më të rrepta për imigrantët për të mos humbur elektoratin konservator. “Pesëvjeçari që vendos shteti si kusht për përftimin e nënshtetësisë është një premisë shumë e butë” thotë Kristos Zois i Demokracisë së Re që e rrit këtë kusht në 10 vjet.

Fushata ksenofobe ka arritur ndërkohë kulmin e saj në Internet, ku grupe të ndryshme prej mirëra vetesh, bloggers dhe persona të veçantë nën ndikimin e qarqeve ultra të djathta hedhin anatemën e tyre kundër frymëzuesve dhe mbështetësve të projekt-ligjit. “Jo të huaj të tjerë në Greqi” është titulli i një grupi prej 4.700 anëtarësh, i cili pretendon se “nuk ka karakter racist” por thjesht “i bie sinjalit të alarmit për ata që janë ose ndjehen grekë”. “Jo dhënies masive të drejtash politike imigrantëve klandestine” thotë një grup tjetër prej 4.674 anëtarësh që prezantohet me titullin “Referendum tani”. “Jo kampeve të përqëndrimit për imigrantët” thonë një grup tjetër prej 4.416 anëtarësh, që i kundërvihet racizmit dhe vihet në krah të imigrantëve. “Është hapi i parë i plotë i dhjetë viteve të fundit në çështjen e imigracionit. Përderisa jam greke nga Stambolli e di shumë mirë se çdo thotë të trajtohesh si i huaj në vendin tënd dhe nuk ia uroj asnjërit” thotë një qytetare që merr anën e imigrantëve kur shumë të tjerë bëjnë të kundërtën.

Nikitas Kaklamanis
Kryetari i bashkisë së Athinës, Niqitas KakllamanisFotografi: DW

Hezitime edhe nga figura të moderuara të politikës

Nuk ka asnjë dyshim se nisma qeveritare përjetohet si një shok kulturor dhe institucional nga shoqëria greke, që duket se nuk ishte e përgatitur për një “revolucion” të tillë të Papandreut. Ndaj shohim hezitime edhe nga figura të moderuara të politikës dhe jetës publike greke. “Kemi edhe një atdhe që quhet Greqi dhe duhet të mendojmë dhe pak më tej” thotë kryetari i Bashkisë së Athinës Niqitas Kakllamanis, i cili pa kundërshtuar nështetësinë për fëmijët e të huajve kujton se “përbëjnë 25% të fëmijve nëpër kopshtet”. “Kujdes!”, është edhe motoja e presidentit të Institucionit të Politikës Greke për Imigracionin Aleksandros Zavos. Mbështet nënshtetësinë për imigrantët si “një praktikë evropiane”, por tërheq vëmendjen për veçorinë e Greqisë “si port hyrjeje” për të huajt.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Angjelina Verbica