1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varfëria në Gjermani

6 Mars 2013

Kush është i varfër dhe kush është i pasur? Kush rrezikohet nga varfëria dhe kush ia arrin të ngjitet? Këto janë pyetje, të cilave duhet t'i përgjigjet raporti i qeverisë për varfërinë dhe pasurinë. Por ai po vonon.

https://p.dw.com/p/17s6I
Ursula von der Leyen raporti per varferine
Ursula von der Leyen ArmutsberichtFotografi: Getty Images

Një herë në katër vjet qeveria paraqet një raport për varfërinë dhe pasurinë në Gjermani. Në fakt kjo duhet të ndodhë ne mesin e periudhës legjislative. Por raporti i katërt për varfërinë dhe pasurinë ka mbetur në vend që nga muaji shtator, nga konsultimet e ministrive. Me 6 mars ai duhet të aprovohet nga qeveria dhe më pas t'i dërgohet parlamentit. 

Kaq gjatë opozita nuk donte të priste. Ajo kërkoi një debat në parlamentin gjerman. Sepse në vjeshtën e kaluar u bë e ditur, se drafti i parë i raportit të ministres për Çështjet Sociale, Ursula von der Leyen, u rishikua në ministrinë e Ekonomisë dhe u ndryshua në pikat kryesore.

Maskim dhe zbukurim

Kështu në draftin e parë thuhej, se "ndërsa pagat në sferat e larta pësojnë rritje, rrogat në nivelet e ulëta kanë rënë në dhjetë vitet e fundit. Gërshëra e të ardhurave është rritur. Një zhvillim i tillë me pagat cënon ndienjën e barazisë të popullatës dhe mund të rrezikojë bashkëjetesën sociale."

"Ata përpiqen që të mbulojnë realitetin social në këtë vend përmes cenzurës", kritikoi qeverinë në parlament deputetja e të Gjelbërve, Katrin Gëring-Eckardt. "Ne jemi të lodhur nga fakti, që në njërën anë kemi ndarjen e shoqërisë, që thellohet gjithnjë e më shumë dhe ju nuk jeni as të gatshëm për t'u marrë me raportin për varfërinë dhe pasurinë", tha kandidatja kryesore e të Gjelbërve për zgjedhjet presidenciale në vjeshtën e ardhshme. Ajo kritikoi faktin, se shumë fjali janë hequr nga drafti i parë i raportit të ministrisë së Ekonomisë. Për shembull vënia në dukje, se katër milionë njerëz në Gjermani punojnë për një pagë prej shtatë eurosh. Gati gjashtë milionë njerëz jetojnë në Gjermani me rroga minimale. Këto janë më shumë se popullsia e katër qyteteve të mëdha Berlin, Hamburg, Mynih dhe Këln.

Ursula von der Leyen diskuton në kabinet raportin per varferine
Ursula von der Leyen diskuton në kabinet raportin per varferineFotografi: Getty Images

Paga minimale dhe marrëdhënie të pasigurta pune

Edhe kryetari i PSD, Sigmar Gabriel, tha se miliona njerëz në Gjermani punojnë në fakt me orar të plotë, por nuk mund t'ia dalin të jetojnë nga paga që marrin. Ata janë të detyruar që të kërkojnë mbështetje nga shteti. "Nuk bëhet fjalë vetëm për shumën e pagës, por edhe për vlerën dhe dinjitetin e punës. Nuk ka si të jetë e mundur, që njerëzit të punojnë shumë dhe në fund të muajit të kenë aq pak, sa që të shkojnë e të kërkojnë lëmoshë tek zyra e sigurimeve shoqërore. Këtë nuk e duam më në Gjermani", tha Gabriel dhe shtoi: "Sociale nuk është ajo që krijon punë. Sociale është ajo, që krijon punë, nga e cila mund të jetohet.

Gabriel akuzoi qeverinë se do të fallsifikojë realitetin me draftin e parë të  raportit për varfërinë. Me shkurtimet dhe riformulimet mbulohen faktet dhe ato mbahen sekret nga publiku. "Kush përdor metoda të tilla, nuk tallet vetëm të prekurit, por dëmton edhe sferën publike demokratike dhe demokracinë."

Nuk ka varfëri masive në Gjermani

Përfaqësues të grupeve parlamentare qeveritare kundërshtuan akuzat e opozitës. Është proces normal, në qoftë se raporti i ministrisë së Punës i paraqitet për shqyrtim ministrive të tjera, tha politikani i CDU-për çështjet sociale, Matthias Zimmer. Në Gjermani nuk ka varfëri masive. Përkundrazi: Që prej vitit 2004, kur qeveris Angela Merkel, gërshëra sociale po mbyllet përsëri. Këtë do ta konfirmojë raporti për varfërinë.

Në emër të liberalëve, Johannes Vogel, zëdhënës për politikën e tregut të punës në fraksionin e tij, tha se në raportin e varfërisë dhe pasurisë bëhen të qarta sukseset e qeverisë gjermane: "Ne kemi më pak të papunë, më pak të papunë afatgjatë, kemi shkallën më të ulët të papunësisë në të gjithë Evropën. Sektori i pagave minimale është tkurrur. Nuk mund të thuash se kjo qeveri ka sjellë shkatërrimin social."

Bettina Marx/ Ina Verbica

Redaktoi: Auron Dodi