1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deimel: Bamieh duhet të dorëzojë provat përkatëse mbi akuzat ndaj EULEX

Lindita Arapi30 Tetor 2014

Akuzat e prokurores Bamieh kanë troditur misionin e BE, EULEX në Kosovë. Sipas ekspertes për Ballkanin, Johanna Deimel, akuzat dëmtojnë integritetin e misionit. Megjithatë EULEX nuk duhet vënë në shënjestër për çdo gjë.

https://p.dw.com/p/1DeHR
Johanna Deimel
Johanna DeimelFotografi: Southeast Europe Association

DW: Një prokurore e liruar nga detyra ndërkohë ngre akuza për korrupsion brenda EULEX-it deri në nivelet më të larta, jo ndonjë publicitetet pozitiv ky për misionin. Si i shikoni këto akuza?

Deimel: Akuzat e prokurores britanike vërtetë janë të forta dhe hedhin hije të rëndë mbi EULEX-in. Pikërisht mbi EULEX-in, që si mision i BE-së për drejtësinë është një kartëvizitë e rëndësishme e Bashkimit Europian në përpjekjet e tij për të vendosur shtetin e së drejtës dhe luftuar korrupsionon e krimin e organizuar.

DW: Edhe më parë EULEX-i ka qenë i kritikuar në Kosovë, si e shikoni tani gjendjen pas këtyre akuzave?

Deimel: Pavarësisht se sa të vërteta janë këto akuza, për EULEX-in tani do të jetë gjithnjë e më e vështirë të gjejë pranueshmërinë e duhur në Kosovë. Integriteti i këtij misioni ka marrë dëmtime të tjera në perceptimin publik.

DW: Sipas prokurores Bamieh rastet e korrupsionit shkojnë deri në instancat më të larta, paralajmërim ky i një orteku drejt EULEX-it, apo është dëshira për vëmendje publike e një të larguare nga puna? Bamieh thotë se do të kthehet në një Julian Assange. Si do veprohet tani?

Deimel: Natyrisht nuk mund të japësh për këtë situatë tani një vlerësim nga jashtë, pra se cilat janë motivet e vërteta për këtë mënyrë veprimi. Por sidoqoftë Bamieh duhet të dorëzojë provat përkatëse, për çdo rast. Në të vërtetë në moment kemi ballë për ballë dëshmi dhe kundërdëshmi. Bamieh deklaron se që prej dy vjetësh ajo është përpjekur pa ndonjë rezultat brenda EULEX-it për të vërtetuar ato momente ku dyshohet. Ndërsa misioni nga ana e tij e akuzon atë se ajo ka dorëzuar në medie dokumenta të një rëndësie të veçantë – vetëm këtu eventualisht mund të vendosej një paralele me Julian Assange.

DW: A e di Brukseli, le të themi e ka nën kontroll situatën e misioneve në terren, p.sh. në Kosovë?

Deimel: Fakti që tani edhe nga Brukseli dëgjohen zëra, që për shkak të akuzave të korrupsionit do të zhvillohen hetime të brendshme, të le të kuptosh që akuzat e bëra nga Bamieh nuk janë edhe aq pa bazë.

DW: EULEX-i është misioni më i shtrenjtë dhe më i madhi i Bashkimit Europian, nuk po shpenzon BE para pa fund, me rezultate që lenë për të dëshiruar?

Deimel: Nuk jam e mendimit se tani duhet apo mund ta vëmë në shënjestër negativisht për çdo gjë EULEX-in. Misioni ligjor i BE-së ka kaluar faza të vështira, janë bërë madje edhe gabime, por lista e proceseve gjyqësore në vazhdim apo e atyre ende të hapura është impresionuese. Mandati i EULEX-it është zgjatur deri në vitin 2016. Nuk duhet të harrojmë se misioni i BE-së do të jetë prezent edhe në Gjykatën e Posaçme për krime lufte në Kosovë. Por parimisht mendoj se në një të ardhme jo të largët, misioni duhet të tërhiqet nga Kosova. Edhe diçka tjeter në fund: Fakti që peshqit e mëdhenj të politikës në Kosovë nuk janë nxjerrë para drejtësisë, nuk është detyrimisht problem i EULEX-it, por lidhet më shumë me faktin që është shumë e vështirë në Kosovë të gjesh dëshmitarë që pohojnë para gjykatës. Shumë dëshmitarë potencialë thjeshtë kanë frikë të pohojnë ato që dinë.

Dr. Johanna Deimel është zëvendësdrejtoreshë e Shoqatës së Europës Juglindore me qendër në Mynih (SOG).