1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deimel: Duhen hapa konkretë në Veriun e Kosovës, jo vetëm deklarata

13 Tetor 2011

Pas vlerësimit të KE-së për vendet aspirante të Ballkanit në raportin vjetor, Johanna Deimel, intervistë me zëvendësdrejtoren e Shoqatës së Evropës Juglindore dhe eksperte për Kosovën.

https://p.dw.com/p/12rEm
Johanna Deimel, eksperte për Kosovën dhe zëvendësdrejtore në Shoqatën e Evropës Juglindore.
Johanna Deimel, eksperte për Kosovën dhe zëvendësdrejtore në Shoqatën e Evropës Juglindore.Fotografi: Southeast Europe Association

DW: Komisioni Evropian publikoi të enjten raportin e tij vjetor. Disa vende të Ballkanit si Shqipëria, Bosnje-Hercegovina nuk e morën statusin e kandidatit, Kosova ka ngecur- ka ngritur BE shumë lart kutin e kritereve, apo e meritojnë këto vende këtë vlerësim

Deimel: BE ka mbetur po ajo në kriteret që duhen përmbushur, por në procesin e zgjerimit të mëtejshëm janë futur disa kushte shtesë. Ato i bëjnë mirë këtyre vendeve dhe trajtimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i drejtë. Sa më mirë të jetë i përgatitur një vend për BE, aq më mirë për vetë këtë vend dhe BE-në.

DW: Kosova nuk është vlerësuar aq mirë, veç premtimit për udhërrëfyesin e vizave. Është kjo pasojë e një keqqeverisjeje dhe paaftësie, apo ka edhe faktorë të tjerë që e ndikojnë këtë vlerësim?

Deimel: Po ta lexosh raportin për Kosovën, kupton se shumë pjesë deficitare kanë mbetur po ato që janë dhe nuk ka ndonjë ndryshim nga vlerësimi në vitin e shkuar, në pjesët kryesore. Kjo natyrisht ka të bëjë edhe me zgjedhjet e parakohshme, dhe në këtë proces mbetën shumë gjëra pa bërë, shumë reforma ngecën. Ky është faktori politik nga njëra anë. Nga ana tjetër dhe marrëdhëniet bilaterale me Serbinë, eskalimi i situatës në veri, të cilin e përjetuam këto muajt e fundit.

DW: Situata në veri ka mbetur aktualisht e ngrirë, me potencial rindezjeje. Serbia ndërpreu dialogun me Kosovën, megjithatë ky vend mori rekomandimin për statusin kandidat, natyrisht me kusht. Është kjo një politikë herë me bukë dhe herë me shkop? Duhet të gëzohen serbët sot?

Deimel: Fillimisht është një vlerësim i arritjeve serbe, kjo duhet theksuar, nën presidentin Tadiç. Por ky status është në një farë mënyre i kondicionuar. Sigurisht është rekomandim, dhe më pas vendos Këshilli në dhjetor. Kushti lidhet me dialogun që është ndërprerë. Ky dialog duhet të vazhdojë ugjentisht. Ai filloi me mirëkuptimin e palëve dhe BE-së. Nuk shkon që ai të ndërpritet nga njëra palë, ky është proces i vështirë, proces negociimi, që kërkon edhe lëshime. Presioni që bën BE tani është i rëndësishëm, Serbia ndodhet edhe para zgjedhjeve në 2012-n. Por duhet thënë se në raport nuk vendoset kusht që Serbia ta njohë Kosovën, por që ato duhet të vazhdojnë procesin bilateral, i rëndësishëm për bashkëjetesën e të dyja vendeve.

DW: Robert Cooper ishte në Beograd dhe Prishtinë, por ende dialogu nuk ka filluar. Çfarë mund ta nxjerrë atë nga gjendja e stanjacionit?

Deimel: Jo unë lexoj shenja të tjera. Mendoj se lajmi që Cooper ka çuar atje është kuptuar. Frontet ishin të ashpërsuara, por tani kemi raportin e KE-së. Ka sinjale që dialogu do të rinisë, si nga Kosova edhe nga Serbia. Tadiç ka deklaruar se ai nuk është për ndërprerjen e dialogut. Mendoj se ka lëvizje në këtë temë.

DW: Sa pushtet ka vërtet Beogradi në Veriun e Kosovës. Ministri i jashtëm suedez Carl Bildt tha se Beogradi nuk ka aq pushtet në Veri.

Deimel: Tani ju po prekni një problem të veriut të Kosovës. Forcat politike të serbëve të Veriut që konfrontohen i përkasin një partie tjetër politike. Për Tadiçin dhe qeverinë është shumë e vështirë të luajë rol atje. Nga ana tjetër atje ekzistojnë edhe struktura mafioze dhe disa interesa që e kanë në favorin e tyre po qe se ky proces bllokohet. Por kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Duhet bërë diçka që edhe serbët e veriut përfitojnë nga ajo që të dyja vendet përparojnë në rrugën e integrimit dhe do të vijë një kohë kur kufijtë nuk do të jenë më të rëndësishëm. Situata ekonomike atje është katastrofale.

DW: KE kërkon nga Kosova një plan të qartë për Veriun. Çfarë duhet të bëjë qeveria kosovare më shumë, kur ajo praktikisht nuk ka ndonjë pushtet në Veri.

Deimel: Ky është një sinjal i qartë edhe për autoritetet e Prishtinës, të cilët qëndrojnë disi të tërhequr, dhe shumë gjëra i lënë në nivel proklamativ, sa i përket Veriut. Ato duhet të angazhohen më intensivisht, ne e kemi një plan, atë të Ahtisarit, tani ato duhet të përshkojnë me veprime konkrete rrugë politike. Ato duhet të jenë më proaktiv për të integruar të gjithë serbët, jo vetëm ata në jug që janë më të gatshëm për t'u integruar. Pra me hapa konkretë.

DW: Çfarë mund jetë një hap konkret për shembull?

Deimel: Për shembull, hap konkret do të ishte, po qe se arrihet një zgjidhje për doganat. Një mollë sherri është për shembull kush do të marrë të ardhurat. Po qe se qeveria e Kosovës, të ardhurat e doganave që përftohen në Veri, ia lë drejtpërdrejtë komunave atje, me këtë jepet një sinjal që ne duam që edhe ju të rimëkëmbeni ekonomikisht.

DW: Po qe se ndodh që konflikti mbetet i ngrirë, dhe palët nuk afrohen mund të vijë puna deri tek ndarja e Kosovës gjë që refuzohet aktualisht?

Deimel: Jo kjo është një vijë e kuqe nuk ka dyshim. Të 22 vendet anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën si shtet më vete. Nuk ka ndarje. Do të jetë një proces i vështirë, një proces që do të çojë edhe në zgjidhje të përkohshme. Opcioni i ndarjes qarkullon herë pas here, por jam shumë e sigurtë, nuk ka për të pasur ndarje.

Intervistoi: Lindita Arapi

Redaktoi: E. Xhani