1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deimel: Fjalët e zonjës Merkel në Kosovë duhen marrë seriozisht

19 Dhjetor 2011

Kancelarja federale Angela Merkel u prit në Prishtinë me muzikë, flamuj dhe entuziazëm. Megjithatë kancelarja në takimin e saj me kryeministrin Thaçi vetëm zbatoi protokollin, mendon Johanna Deimel, eksperte për Kosovën.

https://p.dw.com/p/13VnL
Në foto, Johanna Deimel
Në foto, Johanna DeimelFotografi: Southeast Europe Association

Merkel me mesazhe të qarta drejt Beogradit dhe Prishtinës

Edhe pse për shkak të konfliktit kufitar në veri të Kosovës, ku u plagosën edhe ushtarë gjermanë, për kancelaren Merkel këtë vit qe mjaft e rëndësishme të vizitonte trupat në Kosovë, ajo bëri aty dy deklarata të qarta me vlerë simbolike në drejtim të Beogradit dhe të Prishtinës, thotë Johanna Deimel, eksperte e Kosovës pranë "Shoqatës për Evropën Juglindore" SOG në Mynih. Kancelarja theksoi nga njëra anë edhe një herë domosdoshmërinë e dialogut Serbi-Kosovë dhe kërkoi nga ana tjetër urgjentisht reforma të tjera të brendshme në Kosovë .

Në foto, Angela Merkel dhe Hashim Thaçi
Në foto, Angela Merkel dhe Hashim ThaçiFotografi: picture-alliance/dpa

Në samitin e fundit të BE-së Gjermania refuzoi që Serbisë t'i jepet statusi i vendit kandidat, gjë që çoi në një zhgënjim të hidhur në Beograd. Sipas mendimit të Deimel: "Sipas perspektivës së Berlinit Serbisë nuk iu dha statusi i kandidatit, sepse prej saj priten masa konkrete për të zbatuar marrëveshjet e arritura gjatë dialogut, në lidhje me menaxhimin e integruar të kufijve. Përpara samitit situata u qetësua, por koha ishte tepër e shkurtër për të fituar vërtetë aq shumë besim sa Berlini të binte dakord. Përndryshe, Serbia i ka përmbushur në një pjesë të madhe kushtet për statusin e kandidatit dhe ne mund të supozojmë se në qoftë se këto reforma do të vazhdojnë dhe nëse situata në veri të Kosovës nuk do destabilizohet përsëri, ajo mund të shkojë drejt statusit të kandidatit të BE. Nga ana tjetër, në këtë kuadër ka detyrime edhe qeveria e Kosovës në Prishtinë, sepse është edhe në përgjegjësinë e saj, që situata në veri të mos përshkallëzohet përsëri, dhe ky ishte gjithashtu një nga paralajmërimet urgjente që zonja Merkel bëri në Prishtinë."

Në Kosovë duhet të forcohet patjetër lufta kundër korrupsionit

Edhe pse zonja Merkel u prit në Prishtinë me muzikë, flamuj dhe entuziazëm të madh kancelarja në takimin e saj me kryeministrin Thaçi të cilin e takoi në aeroport dhe jo në selinë e qeverisë, vetëm se zbatoi protokollin. Ky fakt, pra përqëndrimi vetëm gjërat më të rëndësishme në nivel protokollar, lidhet sipas mendimit të ekspertes për Kosovën pranë "Shoqatës për Evropën Juglindore"(SOG), Deimel edhe me atë që: " Kryeministri Thaçi është tani nën vëzhgim apo hetim për shkak të akuzave të Dick Marty-t dhe me sa mund të vëzhgohet nga jashtë, kryeministri i Kosovës ka vështirësi të mëdha për t'u pritur në arenën ndërkombëtare."

Në foto, Angela Merkel dhe Hashim Thaçi
Në foto, Angela Merkel dhe Hashim ThaçiFotografi: DW

Përveç ushtarëve të KFOR-it dhe stafit gjerman në misionin e BE-së në Kosovë, Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe përkrahësit e Kosovës dhe mbështetja gjermane do të vazhdojë: "Por fjalët e zonjës Merkel në Kosovë duhen marrë seriozisht, ajo bëri përsëri sidomos të qartë se në Kosovë duhet të forcohet patjetër lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se duhet të konsolidohen institucionet demokratike të shtetit të së drejtës", thekson Johana Deimel eksperte për Kosovën pranë "Shoqatës për Evropën Juglindore".

Autor: Pandeli Pani

Redaktoi: Esat Ahmeti