1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ka gjasa që rezultati të kontestohet

Lindita Arapi24 Qershor 2013

Zëvendësdrejtuesja e Shoqatës së Europës Juglindore dhe ekspertja për Ballkanin, Johanna Deimel mbi ecurinë e zgjedhjeve në Shqipëri dhe mundësitë e konstestimit të rezultateve zgjedhore.

https://p.dw.com/p/18v0I
Në foto, Johanna Deimel
Në foto, Johanna DeimelFotografi: Southeast Europe Association

DW: Z. Deimel zgjedhjet në Shqipëri përfunduan, por për fat të keq ecuria e tyre nuk shkoi ashtu si pritej. Një aktivist i LSI-së u vra në Laç, një kandidat demokrat u plagos po ashtu. Ngeli Shqipëria në lëndën e pjekurisë demokratike?

Deimel: "Bashkësia ndërkombëtare si Bashkimi Europian, OSBE-ja, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara e theksuan vazhdimisht se këto zgjedhje do të ishin një test absolut për proceset e zhvillimet ku ndodhet e vazhdon të ecë Shqipëria, por edhe për standartet demokratike. Pas ngjarjeve tragjike që ndodhën, kjo i vë në pikëpyetje të madhe standarteve demokratike që sundojnë në Shqipëri. U investua shumë energji nga ndërkombëtarët për të mënjanuar vështirësitë paraprakisht, për fat të keq pa sukses. Kjo do të bëjë, mendoj unë, që edhe para se të përfundojnë rezultatet e zgjedhjeve, por edhe kur të jenë e zezë mbi të bardhë në tavolinë, rezultatet do të kontestohen. Kjo për shkak të mosplotësimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që në të vërtetë duhej të ishte plotësuar konform kushtetuetës, por kjo nuk u arrit. Kështu që pavarësisht se kush do të fitojë, kjo do të çojë në atë që rezultati do të vihet në pikëpyetje dhe me këtë ato nuk do t'i plotësojnë standartet demokratike."

Partitë e kishin mundësinë ta mënjanonin një KQZ të paplotësuar dhe nuk e bënë këtë. Një lojë e qëllimshme?

Deimel: "Unë mendoj madje se kjo ishte një lojë e rrezikshme e që e luajtën të dyja palët që nuk ranë dakord që ky Komision Zgjedhor të funksionojë ashtu siç duhet ligjërisht. Çështja e KQZ-së do të jetë një çështje për grindje, të shpresojmë jo për trazira si në 2011-n, nuk dua ta them këtë, shpresoj që të gjitha palët të mbeten të kthjellëta. Por paralajmërimet para zgjedhjeve, edhe nga ambasadori i BE-së, Sequi që paralajmëroi nga rastet e dhunës, tregon se me sa tension po ndiqet se çfarë ndodh në vend. Pati mundim të madh nga Brukseli, nga SHBA për të miratuar ligjet e duhura, tre ligjet e shumëpërfolura, e tani në fund të fundit e gjitha ngeci tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që do të bëjë që rezultatet do të kontestohen dhe për Shqipërinë do të vijnë kohë të vështira. Ne e shohim Shqipërinë të ecë drejt një kohë kritike, madje nga ana politike edhe instabile, gjë që u përpoq të pengohej me shumë përpjekje."

Mund të thuhet me këtë se vendi sërish nuk godet në shenjë me zgjedhjet dhe statusi kandidat për në BE shtyhet edhe më larg në të ardhmen?

Deimel: "Nuk jam anëtare e institucioneve të BE-së, por mund të them se Shqipëria nuk po paraqet një imazh të mirë me këtë, dhe nuk është ajo që ne kuptojmë kur themi standarte europiane dhe demokratike - që një Komision Zgjedhor nuk funksionon siç duhet, që kundërshtarët politikë luftohen me njëri-tjetrin deri në atë masë, që puna të shkojë deri në akte të dhunshme në zgjedhje, siç e pamë. Ky nuk është standart demokratik. Por të presim edhe rezultatet e raportimeve të vëzhguesve që udhëtuan në mbarë vendin ditën e zgjedhjeve."

Megjithëse Europa e ka bërë të qartë se cilat janë standartet demokratike që duhet të përmbushen, politika përdori po ashtu një retorikë për këto standarte, sërish fiton interesi partiak mbi vendin. Si shpjegohet një dritëshkurtësi e tillë ende në 2013-n?

Deimel: "Sigurisht për shkak të zhvillimeve politike që ka kaluar Shqipëria në 20 vitet e fundit, - duhet theksuar edhe njëherë nga pikënisje shumë e vështirë, Shqipëria është një rast i veçantë ndërmjet vendeve të ish-bllokut komunist në rajon, - megjithatë është ende shumë e vështirë të funksionojë në vend një sistem politik demokratik. Problemi qëndron në kulturën politike në vend në tërësi, por edhe brenda partive. Por kjo lidhet me një kult të fuqishëm lideri në Shqipëri. Të gjitha këto janë arsyet që gjithnjë e kanë çuar Shqipërinë prapa në kohë, por vonojnë edhe perspektivën europiane. Ne e dimë se zgjerimi i Bashkimit Europian aktualisht nuk është një çështje e lehtë, dihet skepticizmi që ekziston në BE për raund të ri zgjerimesh. Kështu që horizontet shtyhen më së paku deri në vitin 2020.

Kjo gjë ia bën të vështirë Brukselit të rrisë presionin politik për standartet që duhen përmbushur. Nga ana tjetër kur unë synoj të ruaj pushtetin politik, atëherë sistemi në të cilin ndodhem është më e mira mundshme për ta forcuar atë, dhe ky është problemi që ka Shqipëria. Aty janë të ndërtuara strukturat autokratike, pavarësisht se kush është në pushtet, e qoftë Berisha, qoftë Rama nuk kanë aspak interes për t'i ndryshuar këto struktura që të rrezikojnë pushtetin e vet. Nga ana verbale sigurisht integrimi në BE është një qëllim i formuluar mirë, por zbatimi i vërtetë i reformave kërkon shumë guxim politik dhe rrezik. Këtij rreziku nuk i hyn askush."