1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deimel: Marrja e statusit në dhjetor? Shumë e vështirë

Elona Elezi22 Nëntor 2012

Johanna Deimel, zëvëndësdrejtoreshë e Organizatës së Evropës Juglindore shprehet në Deutsche Welle mbi rritjen e zërave kritikë dhe skeptikëve për marrjen e statusit kandidat në dhjetor.

https://p.dw.com/p/16nvD
Fotografi: Fotolia/Matthias Krüttgen

DW: Zonja Deimel, ju jeni bashkëautore e librit "Urë mbi ujëra të trazuar. Roli i ndërkombëtarëve në Shqipëri". Përse Shqipëria ka ende nevojë për mbikqyrjen e ndërkombëtarëve dhe ndihmën e tyre, sa herë që ka një krizë politike?

Johanna Deimel: Mendoj se përfshirja e ndërkombëtarëve në krizat politike të vendit po shkon drejt një limiti. Është më e rëndësishme që aktorët ndërkombëtarë të trajtojnë reformat e nevojshme dhe reformat demokratike. Vërej se në rrugën drejt statusit kandidat, sigurisht që ka presion që vjen nga jashtë, presion, i cili është ende i nevojshëm për të mbajtur politikanët shqiptarë në shina. Por më mirë akoma do të ishte që vetë shqiptarët dhe klasa qeverisëse të arrinin standardet evropiane në të mirë të shqiptarëve, dhe jo vetëm të përmbushin kriteret e vendosura nga ndërkombëtarët.

DW: Zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe ato lokale të majit 2011 u kontestuan, kontestime të cilat çuan vendin në momente të vështira. Në opinionin tuaj, a mendoni se përfaqësuesit ndërkombëtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë kanë bërë përpjekjet e duhura për zgjidhjen e këtyre momenteve?

Deimel: Në raportin tonë ne u kthyem pas dhe analizuam këto zgjedhje dhe debatet që u krijuan pas amendimeve kushtetuese të vitit 2008. Mendoj se ishin pikërisht këto amendime që ishin "shkelmi" më i fortë, që më pas nxorrën në pah probleme gjatë zgjedhjeve. Dhe përfshirja e ndërkombëtarëve ishte në një krizë menaxhimi nga jashtë, i cili përfshin vetëm rastet e krizës. Unë shpresoj që zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013 të jenë vërtet të lira dhe kjo është një ndër çështjet dhe prioritetet kyçe që duhet të përmbushë Shqipëria. U bëj thirrje që të gjithë qytetarëve shqiptarë që të ndjekin dhe monitorojnë me shumë vëmendje dhe me shumë kujdes përgatitjen dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

DW: Çfarë mendoni për shfaqjet publike të aktorëve ndërkombëtarë në Shqipëri?

Deimel: Ne jemi fokusuar në përfshirjen e ndërkombëtarëve që në vitin 2008 dhe deri në shtatorin e këtij viti. Ajo çka kemi kuptuar është se në Shqipëri ka një perceptim se ajo është një ndër vendet më të rëndësishme në botë ku ndërkombëtarët kanë diçka për të thënë dhe duhet të kenë diçka për të thënë. Ne rekomandojmë shumë fuqimisht që kjo kakofoni e aktorëve ndërkombëtarë duhet të shkojë drejt një fundi dhe ata duhet të japin vetëm mesazhe të qarta. Kam ndjekur zhvillimet në muajt dhe javët e fundit dhe kuptoj se ka një lloj përpjekjeje të kombinuar të udhëhequr nga BE-ja dhe ka zëra të fortë, mesazhe të forta dhe të gjithë që shkojnë në të njëjtin drejtim.

I njëjtë ka qenë edhe mesazhi i Sekretares së Shtetit amerikan Hillari Klinton, Filip Gordonit e kështu me radhë, që kanë dhënë një mesazh shumë të qartë: Ju lutemi politikanë shqiptarë, përmbushni kriteret dhe prioritetet kyçe, implementoni ato reforma për të cilat keni rënë dakord dhe ecni përpara! Tani shoh një trajektore më të drejtë dhe më pak kaos në deklarata të ndryshme të lëshuara nga aktorët ndërkombëtarë në terren dhe në media.

DW: Një nga faktorët më thelbësorë që ju keni nënvizuar, janë edhe amendimet kushtetuese të prillit 2008, të cilat sipas analizës suaj kanë shkaktuar shumë probleme. Në çfarë fushash konrektisht?

Deimel: Specifikisht, e para ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Le të themi se kritikët thonë se amendimet ndodhën gjatë natës, se ishte një marrëveshje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës dhe se nuk pati diskutime rreth këtyre amendimeve, të cilat duhet të trajtoheshin shumë më gjerësisht sepse kanë ndikuar vërtet në sistemin demokratik në Shqipëri. Ata u bënë gjatë natës dhe i shërbejnë qëllimit të atij që do drejtojë vendin, ku fitimtari merr gjithçka dhe mban çdo fuqi vertikale dhe horizontale në duart e tij. Shembulli i parë ishte zgjedhja e Presidentit me votat e mazhorancës në raudin e katërt dhe të pestë. Pra, rezultoi që elita qeverisëse dhe ata që kanë shumicën e votave, mund të vendosin.

Së dyti, është Prokurori i Përgjithshëm, i cili drejton një institucion shumë të rëndësishëm në Shqipëri. Amendimet çuan në kufizimin e mandatit të tij, çka edhe njëherë e bën më të lehtë ndërhyrjen e elitës qeverisë në punën e tij. Duhet të them se Ina Rama ka bërë një punë shumë të guximshme deri tani dhe e përjetoi personalisht ndërhyrjen e politikës.

Së treti, janë amendimet që u bënë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili gjithashtu nuk është i lirë nga ndërhyrjet politike. Nga këto ndryshime Shqipëria po vuan ende.

DW: Pjesë e raportit tuaj ka qenë edhe sistemi gjyqësor, dosjet "Gërdeci", video-skandali Meta-Prifti dhe viktimat e 21 Janarit. Si e shikoni pozicionimin e ndërkombëtarëve përballë këtyre dosjeve, veçarërisht deklaratat e dhëna prej tyre pas vendimit të gjykatave?

Deimel: Në raportin tonë ne e quajmë këtë "kurthi ligjor". Që do të thotë se për të gjitha këto vendime gjykatash, ndërkombëtarëve iu desh të binin në grackë pasi njohën dhe pranuan këto vendime, edhe pse ato nuk përputheshin jo vetëm me moralin, por edhe me logjikën gjyqësore se cili duhet të ishte vendimi i vërtetë. Pati ndërhyrje të elitës qeverisëse gjatë këtyre proceseve gjyqësore, si dhe ish-ministrat Mediu, Basha dhe Meta "iu fshehën" drejtësisë duke shfrytëzuar imunitetin. Mendoj se është shumë e rëndësishme që këto çështje të zgjidhen në një mënyrë shumë transparente, Gërdeci është ende në shqyrtim. Kam parë sërish përpjekje përmes amnistisë ose tentativa për të ndaluar prokurorinë, sepse familjarët e viktimave duan të rihapin çështjen kundër Mediut, tashmë që ligji për imunitetin ka kaluar dhe se imuniteti mund të hiqet. Sa për çështjen e 21 Janarit, është nga ato çështje ku kërkesat duhen plotësuar dhe të gjithë aktorët ndërkombëtarë janë shumë të qartë në mesazhet e tyre në lidhje me këtë çështje.

DW: Zonja Deimel, në muajin dhjetor Komisioni Evropian do të publikojë vendimin për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. A mendoni se Shqipëria është gati për të qenë pjesë e BE-së, pavarësisht përmbushjes së reformave?

Deimel: Do të jetë shumë, shumë, shumë e vështirë. Unë dhe kolegët e mi besojmë se statusi i vendit kandidat për Shqipërinë, pavarësisht të gjitha mangësive që vendi i ka ende dhe po përballet çdo ditë, statusi i vendit kandidat është mjeti i vetëm që të mbajë në vijimësi procesin e reformave. Vetëm në këtë mënyrë hapen hapësira për aktorët e shoqërisë civile, dhe hapen horizonte të reja horizontale dhe jo vetëm vertikale, për të ecur përpara. Por… Ajo çka unë shikoj është shumë kriticizëm dhe skepticizëm përreth. Holanda, për shembull, ishte shumë e qartë kur tha se vendi nuk është ende gati. Dhe ne të gjithë e dimë se Këshilli i Evropës ka 27 vota, dhe sikur vetëm njëri prej tyre të mos votojë në favor të Shqipërisë, statusi nuk do të merret. Dhe më duhet të them që masa e kritikëve është gjithnjë e në rritje.