1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deimel: Për qeverinë e re dialogu me Serbinë duhet të ketë po aq prioritet sa edhe afrimi me BE-në

22 Shkurt 2011

Qeveria e re e Kosovës duhet të çojë përpara pa vonesë reformat evropiane që të mos dëmtojë edhe më kredibilitetin, thotë për DW Johanna Deimel eksperte për Kosovën, zv/drejtore e Shoqatës së Evropës Juglindore në Mynih.

https://p.dw.com/p/10LhN
Salla plenare e parlamentit të Kosovës, të martën (22.02.2011) zhvillohet seanca për votimin e qeverisë së re dhe të presidentitFotografi: picture-alliance/dpa

DW: Pritet që Kosova të votojë për qeverinë dhe presidentin e ri. Me këtë hap i jepet fund vakuumit të pushtetit në Kosovë. Thaçi e ka shpallur koalicionin e ri si koalicion i një Kosove të re dhe evropiane. Si i shihni shanset e suksesit të duetit të ri politik Thaçi - Pacolli?

Deimel: Ju keni të drejtë, kur thoni që koha e vakuumit merr fund, por konstelacionet e vështira politike mbeten. Koalicioni qeveritar ka vetëm 65 vende në parlament, kjo do të thoë që në këtë kurs proevropian, ai ka nevojë për vendosmëri dhe unitet. Kurs proevropian - këtë mund ta shohësh nga disa këndvështrime - nga njëra kjo do të thotë që në procesin e afrimit me BE-në reformat duhen vënë në jetë, dhe Thaçi është për herë të dytë kryeministër, edhe qeveria e mëparshme ishte e orientuar si proevropiane. Po të lexojmë progresraportin e BE-së për Kosovën në nëntorin e vitit të shkuar, atëherë dëftesa nuk është aq e mirë. Aty vërehen deficite masive, po të përmendim vetëm shkurt, drejtësia, në këtë pikë Kosova është ende në fillimet e saj, ndikimi politik aty është i gjithanshëm, korrupsioni është një problem shumë i madh, ekonomia informale, larja e parave, trafikimi janë gjithashtu probleme të mëdha në vend. Pra deklarimet janë pasuar nga pak ose shumë pak hapa konkretë.

Qeveria e re e Thaçit duhet të çojë përpara pa vonesë reformat evropiane për të mos e dëmtuar edhe më kredibilitetin që, siç mendoj unë, nuk është edhe aq i lartë. Për qeverinë e re ka vetëm gjashtë muaj kohë derisa të dalë progresraporti i ri i BE-së. Një aspekt tjetër i këtij qëndrimi proevropian është edhe lëvizja e lirë. Në këtë drejtim Kosova duhet të bëjë hapa konkretë, sepse kjo varet nga administrata kosovare, ajo duhet të plotësojë kushtet e nevojshme.

DW: Po qe se zgjedhja e presidentit dështon në Prishtinë, dhe zgjedhjet e reja bëhen të pashmangshme, çfarë pasojash të tjera do të sillte me vete ky dështim:

Deimel: Është vërtet e vështirë, pasi disa deputetë të partisë së Thaçit nuk duan të votojnë për Pacollin. Ka tre raunde zgjedhjesh. Në dy raundet e para nuk shtrohet çështja nëse ai i arrin dy të tretat e nevojshme. Çështja shtrohet për raundin e tretë, nëse Pacolli arrin t'ia dalë. Po qe se dështon, ky do të ishte një problem shumë i madh, një problem politik, do të kishim të njëjtin skenar si në Moldavi, ku sundon stanjacioni politik me pasojë sherret politike. Pas kësaj do vinin zgjedhjet e reja dhe kjo nuk është pozitive për Kosovën. Por edhe po qe se Pacolli do të bëhet president, Lëvizja "Vetëvendosja" ka bërë të ditur se ajo do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje, ajo e cilëson atë jo kushtetuese. Pra edhe po qe se zgjidhet Pacolli, koalicioni mbetet një konstrukt politik i brishtë.

DW: Për herë të parë duket se Kosova se do të ketë një opozitë të fortë, ndërkohë që mazhoranca nuk është edhe aq e konsoliduar. Mendoni si ky konstelacion politik do të jetë një faktor pozitiv për një "good governance" në Kosovë, apo ka edhe disavantazhe?

Deimel: Parimisht një opozitë e fortë është një korrektiv i fortë për një qeverisje në të mirë të qytetarëve. Por me konstelacionin e ri, LDK, AAK në opozitë dhe Vetëvendosjen në parlament, qeveria ka përballë një opozitë shumë heterogjene, me objektiva të ndryshme. Kështu qeveria nuk do ta ketë të lehtë. E shohim edhe në shumë parlamente të demokracive të reja, kryesisht në Ballkan, ku opozita është obstruktive, roli i opozitës kuptohet ndryshe nga ai në vendet me demokraci të konsoliduar. Problemet politike që shohim aktualisht në Shqipëri apo Maqedoni të bëjnë të mendosh se në Kosovë nuk ka për të qenë ndryshe.

DW: Bexhet Pacolli është një njeri i fuqishëm i biznesit, por edhe ai ka pasur dyshime pas vetes, imazhi i Thaçit ka pësuar krisje nga akuzat e Dick Martyt. Do të jetë Evropa më e kujdesshme përballë duetit të ri politik apo mjafton vetëm fakti që në vend ka stabilitet politik?

Deimel: Parimisht duhet thënë se nuk ka arsye që flasin kundër që një biznesmen merr edhe postin e presidentit. Pacolli është aktiv në politikë, që nga viti 2007 ai është edhe në parlament, pra ka një përvojë politike. Problematik është fakti që me Pacollin vihen në lidhje partnerë të dyshimtë biznesi. Nga ana tjetër shtrohet pyetja nëse një politikan me pashaportë zvicerane mund të zgjidhet president në Kosovë. Nuk është vetëm një çështje stilistike. Pacolli konsiderohet në vend si njeri që blihet, në gazetat gjermane ai vlerësohet si shërbëtor i Thaçit. Në tërësi qeveria paraqet një imazh jo të mirë, po të përmendim edhe akuzat e ngritura ndaj Thaçit. Kjo natyrisht do të luajë një rol në marrëdhëniet me Evropën. Sidomos tek pesë vendet që nuk e kanë njohur Kosovën, ato nuk e shohin veten aktualisht edhe aq të inkurajuar me këtë kryeministër dhe president për të bërë lëshime të tjera.

DW: Hashim Thaçi e ka vendosur si prioritet dialogun me Serbinë. A prisni një dialog të sukssesshëm dhe pas kaq kohësh a ka ardhur momenti për një epokë të re Serbi-Kosovë?

Deimel: Nuk ka dyshim që dialogu duhet të ketë prioritet. Ai po përcakton edhe debatin politik prej muajsh. Dialogu është prioritet, krahas afrimit me BE-në. Kosova ka humbur shumë kohë për shkak të destabilitetit politik, ndërkohë që Serbia nga ana tjetër e ka ngritur grupin e punës, dhe me sa di unë ka përpiluar edhe strategjinë e saj, edhe pozicionet e negociimit. Kosova është shumë e vonuar ajo duhet të krijojë grupin e punës. Ai është shumë i rëndësishëm pasi të dyja shtetet duan të jenë pjesë e BE-së, ky është synimi i tyre dhe një emërues i përbashkët. Bëhet fjalë për përmirësimin e jetës së qytetarëve e kjo është edhe premisa e dialogut. Pra sa më shpejt të fillojë dialogu aq më mirë.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora