1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dekriminalizimi - sfida e madhe e politikës shqiptare

Ani Ruci16 Shtator 2015

Qytetarët nga Ballkani Perëndimor duhet të aplikojnë nga vendet e tyre për t'u punësuar në Gjermani, thotë në intervistë për DW deputetja socialdemokrate gjermane, Petra Ernstberger.

https://p.dw.com/p/1GXQm
Petra Ernstberger SPD
Fotografi: picture-alliance/dpa/A. Weigel

DW: Znj. Ernstberger, një delegacion i Bundestagut, i kryesuar nga ju, ndodhet në Tiranë për të intervistuar dhe përzgjedhur ndër aplikantët për bursat ndërkombëtare parlamentare të Bundestagut, si një aspekt i bashkëpunimi mes parlamenteve të dy vendeve. Cilat janë fushat e tjera të bashkëpunimit?

Petra Ernstberger: Bashkëpunimi mes Bundstagut dhe Parlamentit të Shqipërisë shfaqet në kontakte të shumëllojshme: është ky program bursash, unikal në mbarë botën, që i ofrohet rinisë dhe menaxhohet nga Bundestagu. Të rinjve dhe të rejave u ofrohet mundësia që përmes bursave të qëndrojnë në mjediset e Bundestagut gjerman për t'u njohur me punën e tij. Ka gjithashtu edhe një bashkëpunim, që realizohet nëpermjet kontaktesh të rregullta mes dy parlamenteve, takimeve mes grupeve parlamentare dhe grupeve të miqësisë gjermano-shqiptare në Gjermani dhe shqiptaro-gjermane në Shqipëri. Dy parlamentet shkëmbejnë informacion edhe përmes ambasadave përkatëse në Berlin dhe Tiranë. Kemi edhe bashkëpunim specifik në fusha të caktuara si p.sh ndërmjet komisioneve të ndryshme parlamentare, që takohen në mënyrë të rregullt dhe periodike me njëri-tjetrin p.sh. komisionet për çështje ekonomike. Në bisedën, që pata dje (15.09.15) me zv.kryetarin e Parlamentit të Shqipërisë, propozova mundësinë e bashkëpunimit edhe në nivel të administratave të dy parlamenteve.

DW: Në këtë program do të përzgjidhen 120 të rinj dhe të reja nga 40 vende të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Çfarë synon Bundestagu gjerman që financon këtë program?

Petra Ernstberger: Qëllimi i këtij programi është të përçojmë tek rinia një pjesë të dijes, vlerave që kemi përftuar prej 60 vitesh, në sistemin demokratik dhe ku mendoj se jemi të suksesshëm. Të rinjtë dhe të rejat gjatë qendrimit 5 mujor në Bundestag njihen me këto përvoja, me proceset demokratike, që here-herë mund të jenë të vështira dhe të ngadalta në ritmin e tyre. Në thelbin e vet ky program do t'i shërbejë njohjes së sistemit demokratik në Gjermani, që unë e konsideroj një sistem mjaft të mirë dhe të vlefshëm. Programi parashikon fillimisht për të gjithë bursantët një javë prezantuese për tematikën e tij, më pas bursantëve do t'u caktohen deputetë të Bundestagut, duke u dhënë atyre mundësi të punojnë në zyrat e deputetëve, të realizojnë kërkime dhe studime të ndryshme, të shoqërojnë deputetët gjermanë në aktivitetet e tyre në komisionet parlamentare, punën në grupe apo aktivitete të tjera. Për një javë bursantët do të shoqërojnë deputetin/en përkatëse në takimet me elektoratin. Kam pasur një përvojë shumë të mirë me një student egjiptian, që bëri një fushatë shumë të mirë elektorale, në rastin tim. Bursantët kanë mundësi të marrin pjesë në seminare të ndryshme në univesitetet e Berlinit si edhe të njohin parlamentet në nivel lokal, në landet e Gjermanisë. Në fund do të bëhet një vlerësim për bursantët për të prezantuar arritjet dhe mangësitë gjatë kryerjes së programit.

Deutschland Albanien Petra Ernstberger Bundestagsabgeordnete SPD
Fotografi: DW/A. Ruci

DW: Znj. Ernstberger, dekriminalizimi i Parlamentit dhe i politikës në Shqipëri është çështje dite në Tiranë. Cila është përvoja gjermane që pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri tani? Çfarë ka ndodhur, kur Bundestagut politikës dhe shoqërisë gjermane i është dashur apo i duhet ta bëjë këtë proces?

Petra Ernstberger: Kjo është një çështje me interes shumë të madh për aktualitetin e politikës shqiptare, zgjidhja e së cilës përbën një sfidë mjaft të madhe qoftë për sistemin parlamentar, qoftë për zhvillimet e mëpasme të vendit dhe shoqërisë. Pas Luftës së Dytë Botërore në Gjermani kemi pasur situata të tilla, ku janë identifikuar njerëz me të shkuar nacionalsocialiste, pra naziste, që kishin kryer edhe vepra penale, që kishin dëshirë të merrnin një pozicion në politikë apo në Parlament. Por politika, shoqëria gjermane i identifikoi këta njerëz dhe ata u mbajtën larg jetës politike apo u hoqën nga pozicionet, ku kishin mbërritur. Nëse shikoj situatën e sotme në Gjermani, ka njerëz që, edhe pse kanë kryer vepra të ndryshme penale, vazhdojnë të kenë dëshirë për të pasur pozicione të caktuara politike. Por shumica e tyre identifikohen paraprakisht; është partia, që nuk i lejon të mbërrijnë në procesin zgjedhor dhe të mund të marrin një mandat deputeti. Nëse në Parlament identifikohet një deputet, që ka kryer një vepër të caktuar penale, hapi i pare është heqja e imunitetit. Deputeti trajtohet njëlloj si çdo qytetar tjetër përballë sistemit të drejtësisë. Nëse deputeti gjykohet fajtor, kjo çon në heqjen e mandatit të tij ose vetë deputeti e dorëzon mandatin si pasojë e presionit që vetë partia apo shoqëria ushtron ndaj tij në këtë kontekst. Sot në Bundestag nuk kemi politikanë që të kenë bërë në mënyrë të provuar, të dokumentuar, vepra të caktuara penale.

DW: Znj. Ernstberger, që prej tri ditësh Gjermania ka rikthyer kontrollin e kufinjve të saj jugperëndimore dhe ka ndaluar lëvizjen e trenave me Austrinë. A do të jetë kjo masë të përkohshme?

Petra Ernstberger: Rikthimi i kontrollit të kufijve do të jetë i përkohshëm. Gjermania ndodhet para një sfide mjaft të madhe: mendoni një milion refugjatë vetëm brenda një viti, sa një e treta e popullsisë së Shqipërisë, sa për të dhënë një përfytyrim konkret! Me përmasat, që po merr kriza e refugjatëve, Gjermania ka mjaft probleme, jemi në kufijtë e kapaciteteve tona të strehimit. Përfytyroni vetëm brenda një dite në stacionin e trenit në Mynih mbërritën 20 mijë njerëz, një sfidë e madhe dhe e vështirë për t'u përballuar. Gjermania është e detyruar t'i mbajë ata dhe përballimi i kësaj sfide do të kërkojë ende shumë kohë, sepse nuk mund t'i kthejmë brenda një kohe të shkurtër në vendet nga kanë ardhur, psh në Siri. Kjo sjell problem për arsimimin e tyre, integrimin etj. Gjermania është e detyruar, sikurse thashë, t'i mbajë ata, pasi ka nënshkruar Konventën për Refugjatët. Rikthimi i kontrollit të kufijve do të jetë i përkohshëm, pasi vendet e BE në zonën Schengen lejohen që ta bëjnë për një periudhë 6 mujore. Rikthimi i kontrollit të kufijve nuk do të thotë që njerëzit nuk do të lejohen të hyjnë në Gjermani, por do të ndihmojë në vendosjen e një strukture të caktuar duken ngadalësuar kështu procesin e hyrjes së refugjatëve. Kjo nuk do të thotë që njerëzit do të qëndrojnë jashtë, pasi, siç thashë, Gjermania është e deryruar t'i pranojë në bazë të Konventës për Refugjatët. Sesi do të zhvillohen gjërat, mbetet për t'u parë, kjo është një pyetje e hapur, varet se cilat vende të BE do të rikthejnë kontrollin e kufinjve. Kjo do të thotë edhe një pezullim i përkohshëm i lëvizjes së lirë të qytetarëve. Tanimë është fakt, refugjatët ndodhen në rrugët e qyteteve tona dhe rikthimi i kontrollit të kufinjve është një masë, që jemi të detyruar ta marrim.

DW: Cili mund të jetë reagimi dhe hapat, që mund të ndërmarrë Gjermania pas dështimit, të hënën e kaluar, ( 14 shtator 2015) në Konferencën e Ministrave të Brendshëm të vendeve anëtare të BE të përpjekjes për të rënë dakort që çdo vend anëtar të marrë një kuotë të caktuar refugjatësh?

Petra Ernstberger: Nga kjo konferencë vërtet rezultati nuk ishte ai që dëshëronim dhe prisnim. Por nuk do ta konsideroja si një konferencë të dështuar. Jemi në dialog me të gjitha vendet e BE, me vendet e Vishegradit, që refuzojnë pranimin e një kuote refugjatësh, të paracaktuar nga Brukseli, por ajo që ne synojmë të bëjmë është të përpiqemi bashkarisht për të gjetur një zgjidhje të përbashkët dhe jo të pranojmë zgjidhjen e Britanisë së Madhe që të marrë vetëm 20 mijë refugjatë, kur këtë numër në Gjermani e kemi pranuar vetëm brenda një dite. Pra ajo për të cilën duhet të përpiqemi të gjithë, është një zgjidhje e mirë, jo vetëm për Gjermaninë por edhe për gjithë BE. Është një krizë, që duhet zgjidhur nga BE dhe BE duhet të tregojë që është një sistem funksional. Përndryshe dëmi i shkaktuar do të ishte shumë i madh.

DW: Kur do të fillojë procesi i hapjes së tregut gjerman të punës për qytetarët e Shqipërisë dhe ata nga vendet e tjera të Ballkanit? Situata aktuale ka dy vektorë lëvizjeje drejt Gjermanisë: refugjatët nga zonat e luftës dhe qytetarët nga Ballkani Perëndimor, që kërkojnë shansin e një jete më të mirë.

Petra Ernstberger: Prioriteti ynë për momentin është t'u ofrojmë mbrojtje dhe mundësi qëndrimi në Gjermani të gjithë atyre, që vijnë nga vende, ku kërcënohen nga lufta, vdekja dhe kriminaliteti. I kuptoj shumë mirë të gjithë ata, që duan të vijnë në Gjermani për një jetë më të mirë për vete dhe familjet e tyre. Por ndodhemi në një situatë, ku duhet të vendosim prioritete: nëse njerëzit në Shqipëri kërkojnë mundësi punësimi në Gjermani, kjo nuk do të përbënte asnjë problem. Por këta qytetarë nuk mund të lënë pasaportën e tyre dhe të thonë : po shkoj në Gjermani, po kërkoj azil, po gjej nje punë, sepse dua një mundësi për jetë më të mire. Kjo është rruga e gabuar. Nuk mund të jap një datë të saktë për fillimin e procesit të hapjes së tregjeve gjermane të punës ndaj Ballkanit Perëndimor, jemi në fazën e analizës së këtij zhvillimi, po e diskutojmë në mënyrë intensive. Ideja është që të gjithë qytetarët e interesuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor: Shqipëri, Kosovë, Serbi etj, të aplikojnë në mënyrë të rregullt në vendet e tyre, permes dokumentacionit të duhur, duke dokumentuar që kanë një kontratë pune, pra kanë gjetur një vend pune në Gjermani, që i korrespondon profesioneve, për të cilat ka nevojë Gjermania, si psh infermierë për të patur shanse të mira për t'u punësuar. Por theksoj që për momentin duhet të kujdesemi dhe t'u ofrojmë mbrojtje qytetarëve, që vijnë nga zona, ku u kërcënohet jeta. Varfëria është një problem i madh por që nuk krahasohet me humbjen e jetës, si në rastin e refugjatëve. Kemi rënë dakort që të miratojmë një ligj të ri për migracionin duke patur parasysh këtë situatë. Koalicioni CDU&CSU ka siguruar që do të japë mbështetjen e vet. Sigurisht që mundësitë e vendosjes së kontakteve me punëdhënësit potencialë gjermanë janë të shumta: p.sh. përmes Dhomave Gjermane të Tregëtisë dhe Industrisë , p.sh. për profesionin e infermierit, që në Gjermani ka nevojë. Përmes kontakteve gjendet një punëmarrës gjerman, sigurohet një kontratë pune dhe më pas punëmarrësi nis procedurat e aplikimit në vendin e tij. Gjithsesi të gjitha modalitetet do t'i vendosë Parlamenti. Uroj një të ardhme të përbashkët të paqtë dhe miqësore për të dyja vendet.