1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Delegacioni shqiptar niset për bisedimet në Austri

Bekim Shehu/ Prishtinë26 Nëntor 2007

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, thanë para nisjes për takimin e fundit me palën serbe në Austri, se nuk do të lëvizin nga qëndimi për pavarësinë e Kosovës.

https://p.dw.com/p/CT66
Agim Çeku, takohet me Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger, Prishtinë 11 gusht, 2007
Agim Çeku, takohet me Frank Wisner dhe Wolfgang Ischinger, Prishtinë 11 gusht, 2007Fotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës, u nis për në Baden të Austrisë, për të marrë pjesë në takimin e fundit me palën serbe për të biseduar çështjen e zgjidhjes së statusit të Kosovës, nën ndërmjetësimn e treshes së Grupit të kontaktit. Pala kosovare thotë se, nuk do të lëvizë nga qëndrimi për pavarësinë e Kosovës. Nga ana tjetër, pala serbe e Beogradit vazhdon të ofrojë vetëm autonomi të zgjeruar për Kosovën. Në këtë mënyrë, duket se gjatë tri ditëve të ardhshme të takimit, shpresat për një marrëveshje ndërmjet palëve duken shumë të vogla.

Takimet me serbët shumë të mundimshme

Anëtarët e grupit negociator të Kosovës, në takimin e fundit që zhvilluan në Prishtinë para nisjes për në Baden të Austrisë, thanë se takimet e deritashme me palën serbe për zgjidhjen e statusit, kanë qenë shumë të mundimshme. Kjo sepse që në fillim ishin kanë qenë të bindur se me palën serbe nuk mund të arrihet pajtim për pavarësinë e Kosovës. Por, pas datës 10 dhjetor, Kosova do të lëvizë drejt shpalljes së pavarësisë. Këtë qëndrim e konfimroi tash së voni edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, i cili pritet së shpejti të bëhet kryministër i Kosovës. Sipas Hashim Thaçit, çdo veprim i Prishtinë drejt shpalljes së pavarësisë do të bëhet në koordimin me SHBA-në dhe BE-në.

Vendimin për shpalljen e pavarësisë do ta marrë kuvendi i ri

Grupi negociator, do të vazhdojë punën në përbërjen e deritshme dhe do të ketë mandat vetëm deri në krijimin e institucioneve të reja, që do të dalin nga rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 17 nëntorit. Vendimin për shpalljen e pavarësisë thuhet, se do ta marrë kuvendi i ri. Kuvendi i ri pritet të zyrtarizohet me 3 dhjetor nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Rycker. Në këtë ditë, në Kosovë pritet të qëndrojë edhe treshja ndërmjetësuese e grupit të Kontaktit e përbërë nga përfaqësuesi BE-së, Volfgang Ischinger, ai amerikan Frank Wisner dhe përfaqësuesi i Rusisë, Aleksander Kharqenko. Tre ndërmjetësuesit ndërkombëtarë u shprehën pas takimit të fundit në Brukel, skeptik për mundësinë e një marrëveshje ndërmjet palëve. Mirëpo, vizita e tyre në filim të dhjetorit në Prishtinë dhe Beograd thuhet se do të jetë përpjekja e fundit e tyre për të bindur palët që të arrijnë një marrëveshje për statusin e Kosovës para se me 10 dhjetor të dorëzojnë raportin përfundimtar mbi rrjedhën e bisedave të deritashme tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun.