1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demokraci pensionistësh? Para zgjedhjeve në Gjermani

Sandro Schroeder
7 Shtator 2017

Para zgjedhjeve të Bundestagut në Gjermani një gjë kuptohet qartë: Të rinjtë nuk janë të rëndësishëm, vendimtare janë votat e të moshuarve. Sa drejtësi gjeneratash ka para zgjedhjeve të Bundestagut?

https://p.dw.com/p/2jU5t
Rentner Wahlen Waehler Wahlkabine
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani qeverisin të moshuarit. Mini-opozita, votuesit e rinj deri në moshën 30 vjeçare janë pa shanse, kjo sepse është shumë e madhe dhe shumë e rehatshme mazhoranca e gjeneratës së prindërve dhe gjyshërve. Këtë e kupton po të shohësh të dhënat e fundit të autoriteteve zgjedhore. Votuesit e moshuar kanë një avantazh numerik: Ata me të drejtë vote nga mosha 60 vjeç e lartë përbëjnë 36%, ndërsa të rinjtë një avantazh prej 15%.

Pararendësit e një demokracie pensionistësh?

Ndërkohë avantazhi i të moshuarve kundrejt të rinjve vazhdon të zhvendoset gjithnjë e më shumë në favor të pensionistëve për shkak të zhvillimit demografik. Në zgjedhjet e fundit të Bundestagut, për herë të parë më shumë se gjysma e votuesve kalonte moshën 50 vjeç. Po ta krahasosh këtë me zgjedhjet e vitit 1980, ku të rinjtë dhe të moshuarit ishin gati të barabartë në numër, kuptohet se ç'drejtim po merr trendi demografik.

Kjo zhvendosje do të thotë, se me votat e të rinjve nuk fitohen zgjedhje, me ato të pensionistëve po. Ish-presidenti gjerman, Roman Herzog u shpreh që në vitin 2008 me shqetësim, kur pati një rritje pensionesh. "Kam frikë, se po shohim shenjat e para të një demokracie pensionistësh." Për shkak se ata janë më të shumtë në numër, edhe partitë tregojnë kujdes për këtë elektorat.

Wolfgang Gründinger
Wolfgang GründingerFotografi: picture alliance/Eventpress

Autori i librit "Republika e pleqve" dhe anëtar i kryesisë së fondacionit "Drejtësi për gjeneratat", Wolfgang Gründinger e ndan këtë shqetësim. "Çdo i treti votues është më i moshuar se 60 vjeç, gjysma e anëtarëve të SPD-së dhe CDU-së janë më shumë se 60 vjeç. E natyrisht që në një demokraci bëhet politikë për elektoratin më të fuqishëm." Sipas Gründiger këtë e shikon edhe në temat që trajtohen në fushatën zgjedhore. Tema si arsimi, digjitalizimi gati nuk trajtohen.

Votuesit më të moshuar kur japin votën kanë më shumë ndërmend të ardhmen

A voton shoqëria në plakje kundër interesave të rinisë? Një studim i Institutit gjerman "Rheingold" dhe fondacionit Bertelsmann nga viti 2014 bie ndesh me opinionin e përhapur, se gjenerata e më të moshuarve voton më shumë për të tashmen se të ardhmen. Përkundrazi: Sipas këtij studimi, më të moshuarit veprojnë dhe votojnë me më shumë vetëdije për të ardhmen, se të rinjtë dhe prindërit, megjithëse këta kanë më shumë vite jetë përpara.

Christina Tillmann, një nga autoret e studimit thotë, se "kemi konstatuar, që njerëzit me bindje politike, e kanë më të lehtë të marrin vendime që orientohen nga e ardhmja". Ndërkohë të rinjtë nga mosha 19-31 vjeç "kanë më shumë mentalitetin e supermarketit apo shopping-ut, kur shkojnë në votime", thotë Tillmann.

Junge Leute vor dem Reichstag in Berlin
Të rinj para Bundestagut - shumë prej tyre nuk dalin në votimeFotografi: picture-alliance/dpa/O. Spata

E drejtë votimi për 16 vjeçarët?

Fakti që votuesit e rinj nga ana statistikore përbëjnë një grupim të vogël, nuk ka lidhje vetëm me demografinë, por edhe me vetë këtë elektorat. Pjesëmarrja në zgjedhje e këtij grupimi është e ulët, që nga viti 1953, madje edhe ata që votojnë për herë të parë qëndrojnë më shumë në shtëpi të dielën e votimeve.

Partia Socialdemokrate, Të Gjelbrit, dhe E Majta kërkojnë në programet e tyre, që të ulet mosha e votuesve në 16 vjeç. Politikani i Të Gjelbërve, Anton Hofreiter tha para një takimi me votuesit e rinj se "jemi të mendimit që në tërësi mosha e votimit duhet të ulet në 16 vjeç."

Ndërsa Wolfgang Gründinger nga fondacioni "Drejtësi për gjeneratat" shkon më tej: Ai kërkon të drejtë votimi për fëmijët dhe të rinjtë. "Çdo i ri mund të votojë, në momentin që e dëshiron këtë. Shumica sigurisht do të përdorte këtë drejtë në moshën 12 apo 13 vjeçare." Edhe sociologu Klaus Hurrelmann kërkon drejtësi gjeneratash. "Duhet të apelojmë tek ndjenja e përgjegjësisë së gjeneratave. Disa nuk e dinë, që e kanë një superfuqi të tillë."