1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deputetët e Kosovës i dëshpëruan vendet mike

Bahri Cani27 Qershor 2015

Në Kuvendin e Kosovës dështoi propozimi për themelimin e gjykatës speciale për krimet e pretenduara të UÇK. Munguan pesë vota për të arritur 2/3 e domosdoshme. Reagimet në vendet mike të Kosovës kanë qenë të ashpra.

https://p.dw.com/p/1FoJY
Kuvendi i Kosoves
KuvendiFotografi: AFP/Getty Images

Ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, pohon se Kuvendi i Kosovës të premten ka penguar me vendimin e tij aspiratat euroatlantike të Kosovës. Pas dështimit të themelimit të gjykatës nga Kuvendi i Kosovës, Jacobson deklaroi për mediat e Kosovës se "Qeveria amerikane nuk do t'i bllokojë përpjekjet e vendeve që nuk e njohin Kosovën që të themelojnë Tribunalin në OKB." Ambasadorja amerikane u shpreh "thellë e dëshpëruar" me rezultatet e votimit. "Rezultati është një pengesë për aspiratat euroatlantike të Kosovës”. Me fjalë të ngjashme është shprehur edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O'Connell, i cili vendimin e djeshëm të Kuvendit e quajti "dështim të Kosovës për të dëshmuar para botës se ajo është e gatshme t'i zbatojë obligimet e saja ndërkombëtare." “Ky ka qenë një rast i Kosovës që ta dëshmojë gatishmëri për t'i zbatuar obligimet e saj ndërkombëtare. Fatkeqësisht dështimi ka vënë në pikëpyetje aftësinë e Kosovës”, nënvizoi O'Connell.

Reagimet negative të mediave perëndimore

Isa Mustafa
Isa MustafaFotografi: DW

Agjencitë kryesore në Gjermani e kanë emetuar menjëherë lajmin për dështimin e Kuvendit të Kosovës që të marrë këtë vendim. Në njoftim thuhet se kanë munguar pesë vota për krijimin e gjykatës dhe se këto vota kanë munguar nga koalicioni në pushtet, pasi që opozita kishte vendosur të mos votojë fare. Vetëm 75 nga 120 deputetë sa ka Parlamenti i Kosovës kanë votuar të premten për ndryshimet kushtetuese, që nuk mjafton. Agjencië rikujtojnë se gjykata duhet të merret me rastet e krimeve të pretenduara nga UÇK, në vitet 1998-1999. Gjykata duhet të zbardhë akuzat e dala nga raporti i të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Marty, kuk thuhet se gjatë luftës ka pasur edhe krime të rënda, siç është trafiku me organe njerëzore. Agjencia e lajmeve DPA njofton se me këtë vendim janë të zhgënjyer shumë diplomatë perëndimorë në Prishtinë, ndër të cilët edhe Samuel Zbogar, Përfaqëseusi i Lartë Ndërkombëtare në Kosovë, ambasadorja amerikane, ai britanik, holandez...

Themelimi i gjykatës është pjesë e procesit për nomralizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, i cili po zhvillohet në Bruksel, me ndërmjetësimin e BE-së, shkruan DPA. Vendimi është marrë në prag të takimit të delegacionit të Kosovës me atë të Serbisë, të hënën në Bruksel. Por të martën, delegacioni i Kosovës, i udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa, do të takohet në Berlin edhe me kancelaren Angela Merkel. Pala gjermane është një prej mbështetësve më të fuqishëm të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Tema e gjykatës me siguri që do të jetë në rend dite edhe gjatë kësaj vizite. Edhe mediat amerikane kanë paralajmëruar për rreziqet e këtij vendimi. E përditshmja amerikane New York Times njofton se Kuvendi i Kosovës, i ka thënë jo themelimit të një gjykate që do t'i dënonte kryesit e veprave kriminale duke përfshirë edhe vrasjen e qindra civilëve serbë. Ky vendim i legjislativit kosovar, ka tronditur marrëdhëniet e Kosovës me mbështetësit e saj kryesorë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.

Votimi i sërishëm?

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka thënë se në ditët në vazhdim do të riprocedohet amendamenti për ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, që ka të bëjë me themelimin e gjykatës speciale. Ai ka thënë se Qeveria dhe institucionet e Kosovës duhet të përmbushin obligimet që kanë marrë. “Në ditët në vijim duhet të punojmë që të riprocedohen në Kuvend amendamententi për ndryshimin e Kushtetutës”, ka thënë Mustafa, në mbledhjen e Qeverisë, të mbajtur sot. Mustafa ka thënë se duhet të bashkërendohen qëndrimet me opozitën pasi çështja e gjykatës speciale është një çështje që i takon të gjithë vendit. Mustafa ka përmendur se një pjesë e opozitës pati përmendur votuar pro kësaj Gjykate ndërsa tash kanë dalë kundër. Ndërsa zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka thënë se shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës ishin pro themelimit të Gjykatës Speciale, që ishte obligim karshi ndërkombëtareve. Por ku numër nuk ka mjaftuar. Thaçi është i bindur se mosmarrëveshjet do të tejkalozhen dhe se ata nuk duhet të lejojnë që gjykata "të themelohet nga oponentët e vendit tonë përmes Këshillit të Sigurimit të OKB.”