1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Despotët, me maskë demokratësh" - Raporti i Human Rights Watch mbi të drejtat e njeriut

Ralph Sina 1 Shkurt 2008

Sipas organizatës së të drejtave të njeriut Human Rights Watch shumë diktatorë janë kaluar, sepse mbështillen me mantelin e demokracisë. Në raport dokumentohen shkeljet e të drejtave të njeriut në mbi 75 vende.

https://p.dw.com/p/D0pB
Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch-itFotografi: AP

Edhe armiqtë më të mëdhenj të demokracisë në botë ndërkohë e paraqesin veten si "demokratë". Si rrjedhojë termi demokraci shndërrohet në një fjalë boshe, tha Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch-it në Uashington. Shumë despotë që shfaqen si demokratë janë partnerë të preferuar të SHBA dhe të BE-së. Në fakt ky është një skandal dhe një bilanc ndriçues i raportit të fundit të organizatës Human Rights Watch. "Ka një tendencë të demokracive perëndimore, që preferojnë djallin që e njohin, kundrejt atij që i trëmben."

Shembulli më i mirë është sundimtari i Pakistanit Musharraf. Ky u cilësua nga presidenti i SHBA si mbrojtës i demokracisë. E pikërisht në një kohë, kur opozitarët zhdukeshin në masë nëpër qelitë e torturave të shërbimit sekret pakistanez. "Politika e SHBA-ve mbështetet tek Musharrafi, i ashtuquajturi demokrat, i cili gjoja do të shpëtojë Pakistanin."

Despotët që gjoja luftojnë terrorizmin nuk vihen para përgjegjësisë

Despotët, që pretendojnë se po luftojnë terrorizmin dhe se janë partnerë të Perëndimit mund të shpresojnë, se nuk do të vihen përpara përgjegjësisë as nga SHBA dhe as nga BE-ja, thotë drejtori i Human Rights Watch. Megjithatë ka edhe një arësye të kuptueshme për qeverinë amerikane, se përse ajo nuk e demaskon me zë të lartë shkeljen e të drejtave të njeriut në të ashtuquajturat vende partnere në luftën kundër terrorizmit: "Sapo SHBA-të prononcohen mbi temën e të drejtavetë njeriut njerëzit kujtojnë Guantanamon dhe burgjet speciale të CIA-s."

Edhe Gjermania në fokus të kritikës

Por edhe vende si Republika Federale e Gjermanisë janë ndërkohë të rezervuar sa u përket kritikave ndaj autokratëve të fuqishëm. P.sh. në rastin e presidentit rus Putin. Sipas vlerësimit të Human Rights Watch kancelarja Merkel ndonëse ka qenë më e vendosur krahasuar me paradhësin e saj Gerhard Schröder, nuk ka qenë e vendosur sa duhet, kur ka qenë fjala për mosrespektimin e të drejtave elementare demokratike. "Kur pushtetmbajtësit posedojnë rezerva të mëdha nafte dhe gazi ose hiqen sikur luftojnë terrorizmin, ata mund të llogarisin me tolerancë. "

Ndër të paktët vende që kanë bërë një farë përparimi në përpjekjet për të drejtat e njeriut, sipas organizatës Human Rights Watch është Turqia. Edhe Kina - të paktën sa i përket politikës së jashtme - ka mësuar diçka dhe ka miratuar dërgimin e ushtarëve helmetkaltër të OKB-së në Sudan. Sipas Human Rights Watch lojrat olimpike po shpalosin një presion shërues. Megjithatë stadiumet për olimpiadën po ndërtohen pjesërisht nga punëtorë të detyruar dhe represioni ndaj kritikëve të regjimit në prag të lojrave është përkeqësuar. Sipas Human Rights Watch çdo kryetar shteti duhet ta vendosë vetë, nëse do të marrë pjesë ose jo në hapjen e olimpiadës në sfondin e të tilla veprimeve antihumane.