1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhunë ndaj grave - Raste të tilla në Kosovë ka shumë

16 Janar 2010

Përjetimet e luftës, tranzicioni dhe ndryshimet e përgjithshme shoqërore, varfëria, papunësia, niveli i ulët i arsimimit dhe pabarazia gjinore, janë disa nga faktorët që çojnë deri tek dhuna ndaj femrës.

https://p.dw.com/p/LXUj
Imazh simbolik për dhunën ndaj grave.
Raste të tilla në Kosovë ka shumë.Fotografi: picture-alliance / Lehtikuva

Asaj s´mund t´i përmendet emri. Asaj s´mund t´i publikohet as vendi, prej nga vjen. Që familja e saj të mos përballet me të papritura të tjera, mund të përshkruhet vetëm fatkeqësia, të cilën për Dojce Vele-n rrëfen babai i viktimës: “Kam me t´mbyt ty e vllazni e shpi e krejt kam me iu kall. I thashë: „Ti je njeri i panjeri. A je kah e sheh çka je tuj ba? Dhëndër e kisha…Kjo nisi po qan. Thashë a di çka? Drejt me shku n´polici me lajmëru”.

E se çfarë do të thotë të sulmohesh për vdekje nga njeriu, të cilin e zgjedh për jetë, këtë e di më së miri kjo grua e re: „Kemi qënë me motrën duke ecur pranë parkut, kur ai doli dhe më sulmoi…M´kapi për gjoksi dhe më shtriu përtokë e m´ra thikë në anë të majtë, nga zemra deri në ijë. Ma s´kam dit për vete. Si e kam përjetu?!…S´kam mendu që ma ban bashkeshorti këtë kurrë! Kam thanë po bën lojë. E se është i tillë, s´kam besu kurrë! Njeri i paedukuar, i pashpirt, i pamoralshëm, kriminel…Dikush, që therr gruan e vet, midis qytetit e don me e lanë evladin e vet rrugëve, ai s´mund të jetë njeri“.

Dhe raste të tilla në Kosovë ka shumë-thotë, toger Tahire Haxholli, shefe e sektorit "Dhuna në familje" në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të policisë së Kosovës, sipas së cilës vetëm gjatë vitit 2009, 823 femra i janë nënshtruar dhunës, e cila në të shumtën vjen nga bashkëshorti, ish-bashkëshorti, apo i fejuari. „Po janë edhe me qindra raste pothuajse të njëjta. Ndërsa në rastin e sipërpërmendur janë ndërmarrë disa procedura në bazë ligjore. Fillimisht i është lëshuar urdhëri mbrojtës, viktima është dërguar në Qendër Mjekësore si dhe menjëherë janë kyçur hetuesit primarë të dhunës familjare dhe mbrojtësi i viktimave. Personi pas një kohe është arrestuar dhe tash gjendet në paraburgim“.

Por sikur mos të dorëzohej vetë, zor se do të kapej nga policia e Kosovës, mendon babai i viktimës, të cilit situatat nëpër, të cilat kaloi, ia kanë humbur besimin edhe në drejtësi. Këtë e dëshmon me këtë dialog në njerin nga rastet e shpeshta të bredhjeve të dhëndërit, natën, rreth e rrotull shtëpisë së tij: „Tha: “Po vjen policia dhe dy civile!”. Thashë: “Ata po vinë për ty, t´vraftë ai Zot, që t´ka falë!”-I thashë. Kur erdhën policia, m´pyetën se ku është? “Iku!”-iu thashë. “Pse iku?”-me pyetën. “Se i tregoi dikush n´telefon, që po vjen policia edhe dy civilë”. Hah! Aty e ditën policia se dikush nga brënda po e lajmëron, se kurrkush s´dinte, ku është dhëndëri im e ku po shkon policia? Pra, atë e lajmëronte dikush përbrënda policisë. Qeshtu shkuan tri javë, derisa u dorëzu vetë.„

Miss Kosova Gona Dragusha.
Miss Kosova Gona Dragusha.Fotografi: AP

Përjetimet e luftës, zhgënjimet e pasluftës, tranzicioni, shpërputhja midis pozitës socio-ekonomike dhe tendencave të përshpejtuara drejt modernizimit, punësimi i femrave pas luftës, niveli i ulët i arsimimit, pabarazia gjinore dhe tradhëtia bashkëshortore, janë disa nga faktorët kryesore, që çojnë deri tek dhuna në familje me ç´rast assesi s´mund të përjashtohen edhe pozita e rëndë ekonomike, papunësia dhe varfëria.

Sociologja Vaxhide Berisha Sopjani, udhëheqëse e divizionit për hulumtime në Institutin për Politika Sociale, i cili vepron në kuadër të Ministrinë për Punë dhe Mirëqënie Sociale të Kosovës, pas hulumtimeve të shumta del me rekomandimet: “Për hapje të vendeve të reja të punës për të dyja gjinitë, punësimin e nënave vetëushqyese, strehimin e grave të divorcuara, më shumë strehimore për viktimat e dhunës në familje“, Zonja Sopjani thotë se organizatat joqeveritare, megjithëse kanë bërë një punë të mirë për nxjerrjen e këtij problemi jashtë mureve të hekurta të shtëpisë, kanë lënë punën përgjysmë duke vepruar vetëm derisa kanë pasur donacione. “Dhe gratë janë përballur me probleme shumë më të mëdha dhe kanë mbetur në një udhëkryq. Në këtë drejtim kemi bërë thirrje që organizatat joqeveritare të punojnë në parandalimin e dhunës brënda familjes, por edhe më shumë në sanimin e marrëdhënieve familjare duke mos e parë si zgjidhje të vetme shkurorëzimin”, thotë sociologja Sopjani.

Sido që të jetë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2003, kur edhe ka hyrë në fuqi Rregullorja e UNMIK-ut 2003/7 Kundër Dhunës në Familje, e deri në vitin 2007 ngritja e raportimeve të dhunës ka shënuar ngritje. Përderisa në vitin 2007, 2008 dhe 2009 raportimi i dhunës në familje ka pësuar një rënie, e cila besohet se vjen si rrjedhojë e ngritjes së vetëdijes se dhuna e çdo forme ndëshkohet dhe sanksionohet nga mekanizmat ligjor të çdo niveli.

Autor : Ajete Beqiraj

Redaktoi : Aida Cama