1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Dhuna nuk është e pranueshme" - Parlamenti britanik debatoi për trazirat e fundit në vend

11 Gusht 2011

Pas katër netë protestash, nata e kaluar në Britani të Madhe ishte kryesisht e qetë. Në rrugë vërehej prania e madhe e policisë. Ndërsa në Londër u mblodh parlamenti për të debatuar gjendjen më të re.

https://p.dw.com/p/12Exr
Parlamenti britanik
Parlamenti britanikFotografi: AP

Deputetët kthehen nga pushimi

Në foto, David Cameron
Në foto, David CameronFotografi: dapd

Këtë të enjte (11.8.) në Londër për trazirat më të reja u diskutua edhe në parlament. Deputetët janë kthyer nga pushimi për këtë mbledhje të jashtëzakonshme. Kryeministri britanik David Cameron kërkoi në mbledhjen e posaçme të Parlamentit që të dënohet rëndë dhuna në rrugët e vendit. Për këtë nuk ka falje, tha Cameron. Shumica e të rinjve që përleshen nuk bëjnë protestë politike, por thjesht vjedhje:

„Dhuna është e papranueshme dhe asaj do t'i jepet fund", tha Cameroni.

Qeveria do të bëjë gjithçka për të rivendosur rendin dhe ligjin. Për të penguar trazira të tjera, në Londër do të qendrojnë të angazhuar ditët e ardhshme rreth 16.000 policë. Cameroni ka bërë të qartë se kundër protestuesve në rrugë do të përdoren edhe makina për hedhjen e ujit dhe plumba gome, në qoftë se situata nuk qetësohet ndryshe. Ekpsertët janë skeptikë nëse këto mjete do të ndihmojnë. Nata e kaluar (10.8.) ishte kryesisht e qetë. Në Londër ndodhen në gjendje gatishmërie rreth 16.000 policë. Forca të mëdha policore ka dhe në Mançester dhe Birmingham si dhe në qytete të tjera. Me siguri që është mirë që nuk ka pasur përleshje të reja, thonë ekspertët. Kryeministri tha se do të përndiqen të gjithë ata që kanë përdorë dhunë dhe kanë bërë vepra penale.

„Gjykatat e kanë për detyrë t'i dënojnë ata. Secili që ka përdorë dhunë do të dënohet me burg.“

Vendi ka probleme me rininë

Pamje nga protestat në Londër
Pamje nga protestat në LondërFotografi: dapd

Ndërkohë janë shqiptuar disa dënime dhe janë hapur procedura të shumta. Ndër tjerash personat po identifikohen edhe përmes fotove dhe videove që janë bërë këto ditë. Cameroni ka pranuar se ky vend ka probleme me të rinjtë. Në disa pjesë të shoqërisë ekziston papërgjegjësi e plotë, që mundëson edhe trazirat sociale dhe protestat. Shefi i laburistëve Miliband tha se shkaqet e trazirave janë të shumëfishta.

„Shkaqet janë shumëdimensionale dhe komplekse. Kanë të bëjnë me edukimin, bandat e të rinjëve dhe shpresat e të rinjëve. Të gjitha pikat duhet shikuar.“

Në Birmingham policia po heton edhe vdekjen e tre personave, të cilët si duket qëllimisht janë goditur nga një makinë. Këta njerëz me prejardhje aziatike kanë dashur të evitojnë plaçkitjen e një dyqani. Babai i një prej të vdekurve apeloi:

„Ju lutem për respekt ndaj djemëve dhe familjeve tona në këto momente pikëllimi. Duhet të qëndroni larg protestave.“

Kryeministri britanik David Cameron ka vizituar Birminghamin dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve.

Autor: Torsten Huhn / Bahri Cani

Redaktoi: Esat Ahmeti