1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dhuna nuk është zgjidhje

Betina Marks16 Nëntor 2012

Në kufirin me Rripin e Gazës ka përsëri sulme mes Izraelit dhe palestinezëve. Ato të kujtojnë Luftën e Gazës para katër vjetësh. Atëherë, ashtu si dhe sot ato nevojiten për një zgjidhje politike gjithëpërfshirëse.

https://p.dw.com/p/16kPz

„Asnjë shtet në botë nuk do ta lejonte që ai të sulmohej me raketa dhe granata nga vendi i tij fqinjë“, - me këtë fjali Izraeli arsyetoi sulmet e tij më të fundit në Rripin e Gazës. Dhe kush do ta vinte këtë thënie në diskutim? Është detyrë e çdo shteti që të mbrojë qytetarët e tij. Është e papranueshme që njerëzit në jug të Izraelit qysh prej 12 vjetësh vazhdimisht dhe shpesh për periudha kohore të gjata të jenë të ekspozuar nga sulmet e bëra nga Rripi i Gazës, që fëmijët gjatë gjithë ditës duhet të dërgohen nëpër bunkerë dhe që jeta publike aty të mos funksionojë pothuajse fare.

Por kjo nuk vlen vetëm për Izraelin. Kjo vlen edhe për banorët në Rripin e Gazës, për 1,7 milionë njerëz, të cilën jetojnë në një zonë bregdetare të izoluar dhe të mbipopulluar. Edhe ata kanë një të drejtë për të qenë të sigurtë, në mirrëqënie, në liri dhe në zhvillim. Por këto të drejta parimore dhe të natyrshme palestinezët në Gaza vetëm mund t`i ëndërrojnë.

Një jetë në robëri

Prej vitit 1991, prej më shumë se 20 vjetësh, ata jetojnë të rrethuar dhe të izoluar si në një kamp të madh të burgosurish. Atëherë para fillimit të procesit të paqes së Oslos, Izraeli nisi të kufizojë në mënyrë drastike lirinë e lëvizjes së palestinezëve në Gaza dhe në Jordanin perëndimor. Pas negociatave të paqes në mesin e viteve 90-të, vetëm punëtorëve me qëndrim në Rripin e Gazës iu jepej mundësia që të largoheshin në drejtim të Izarelit. Por në vitet e fundit izolimi i Gazës po bëhet gjithnjë e më madh. Qysh prej fitores së Hamasit aty sundon një bllokade pothuajse e plotë.

Për shumicën e madhe të popullsisë së Gazës – ku 60 për qind janë nën moshën 20 vjeç, kjo do të thotë që ata nuk janë larguar kurrë nga Rripi i Gazës. Ata u lindën në një burg dhe nuk kanë pasur ende kurrë kontakt me botën. Ata nuk kanë asnjë të ardhme dhe asnjë shpresë. Në të njëjtën kohë jetesa e tyre në rajonin e mbipopulluar është gjithnjë e më e pasigurtë. Ekspertët e Kombeve të Bashkuara kanë parashikuar se në 10 vjet Rripi i Gazës nuk do të jetë më i banueshëm.

Përsëritja e luftës në Gaza

Përsëri e gjitha kjo do të injorohet nga Izraeli dhe bashkësia ndërkomëbtare. Zgjidhja e konfliktit në Lindjen e Mesme prej vitesh nuk ndodhet më në axhendën politike. Vetëm për fushatën zgjedhore izraelite përmendet Rripi i Gazës. Si katër vjet më parë kur operacioni izraelit „Plumbi i shkrirë“ pak javë para zgjedhjeve izraelite shkaktoi 1400 viktima palestineze: Edhe këtë rradhë ushtria izraelite përsëri ka provokuar armiqësi - me vrasjen e një të riu futbollist në Khan Yunis më 8 nëntor. Më pas pasuan sulmet me raketa në Izrael dhe sulmet me avionë

Për ministrin e mbrojtjes Ehud Barak partia e të cilit po lufton për të mbijetuar, mund ta ketë krijuar këtë për një rikthim në parlament. Problemi në Rripin e Gazës megjithatë nuk u zgjidh edhe në bisedimet e fundit. Dhe po ashtu civilët izraelitë, të cilët prej 12 vjetësh vuajnë nga sulmet e bëra nga Rripi i gazës, këto bisedime nuk sjellin asnjë siguri.

Vetëm një proces gjithëpërfshirës politik mund ta zgjidhë këtë konflikt. Por ka një parakusht që jo vetëm pretendimet e Izraelit për paqe të njihen, përkundrazi edhe e drejta e palestinezëve për siguri, liri dhe vetëvendosje.