1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë Serbi: Pritshmëri e pengesa në takimin e Majit

28 Prill 2011

Takimi i radhës në dialogun Kosovë-Serbi pritet të sjellë dhe rezultatet e para. Pala kosovare thotë se me palën serbe do të arrihet marrëveshja kornizë për çështjen e energjetikës, telekomunikacionit e lëvizjes së lirë.

https://p.dw.com/p/115Am
Bisedimet Kosovë Serbi: Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri udhëheq delegacionin kosovarFotografi: DW

Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, thotë se në takimin e radhës me palën serbe që do të zhvillohet në mesin e majit në Bruksel, mund të ketë një përafrim qëndrimesh, ndoshta edhe një marreveshje kornizë për disa pika, të cilat janë diskutuar deri tash ndërmjet palëve. “Ne mund të arrijmë në një kornizë të marreveshjes, kornizë që pastaj duhet të kthehet në Kosovë për të marrë miratimin përfundimtar politik, vendimi final duhet të miratohet nga qeveria. Tash për tash unë pres që mund të kemi një kornizë marrëveshje në tre fusha, në energji, telekomunikacion dhe lëvizje të lirë”, thotë Edita Tahiri.

Marrëveshja sa për sy e faqe?

Ndërsa Kosova pret që të ketë një marrëveshje kornizë me palën serbe, në fushat e sipërpërmendura, qeveria e Serbisë vetëm javën e fundit ka lëshuar me qindra targa të Serbisë për makinat e serbëve në veri të Kosovës. Kjo për policinë e Kosovës është e jashtëligjshme. Policia ka urdhëruar që të konfiskohen të gjitha targat e reja të makinave të lëshuara nga Serbia që qarkullojnë në Kosovë.

Verhandlungen zwischen Serbien und dem Kosovo
Drejtuesi i delegacionit serb, Borko StefanovicFotografi: DW

Ndërkohë, kryesuesi i delegacionit të Serbisë në bisedime me Kosovën, Borko Stefanoviq, u ka deklaruar mediave serbe se shumë çështje që lidhen me serbët e Kosovës kërkojnë zgjidhje urgjente dhe çdo lëvizje e njëanshme në Kosovë mund të vërë në pikëpyetje gjendjen e brishtë të sigurisë. Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë Edita Tahiri, thotë se veprime të njëanshme po ndodhin nga pala serbe dhe si të tilla ato ndikojë negativisht në dialogun Kosovë-Serbi. “Për të qenë konstruktiv si palë Serbia do të duhej që të ndalojë dukuri të tilla sepse ato drejtpëdrejt do të ndikojnë negativisht në dialogun Kosovë-Serbi. Ne si qeveri e Republikës së Kosovës jemi të qartë në shtrirjen e sundimit të ligjit në të gjitha fushat, pra edhe në çështjen e targave të reja të Kosovës të cilat tashmë janë në zbatim e sipër dhe do të zbatohen në të gjithë territorin e Kosovës”, thotë Edita Tahiri.

Mosmarrëveshjet për të ardhmen e Trepçës

Qeveria e Kosovës në politikat e brendshme të saj, po vazhdon me procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës dhe ky proces sipas përfaqësuesve të qeverisë do të përfshijë edhe veriun e Kosovës përkatësisht kompleksin industrial Trepça. Përfaqësues të qeverisë së Serbisë i kanë kërkuar qeverisë së Kosovës që të mos e privatizojë Trepçën, por e ardhmja e këtij gjigandi industrial që gjendet në veri të Kosovës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi. Qeveria e Kosovës thotë se menaxhimi i të gjitha aseteve që gjenden brenda territorit të Kosovës janë çështje e politikës së brendshme të Kosovës dhe ato nuk do të përfshihen në dialogun Kosovë-Serbi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Lindita Arapi