1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë Serbi: Shënohet progres, por dallimet esenciale mbeten

23 Nëntor 2011

Kosova dhe Serbia kanë arritur progres të pjesshëm në bisedimet dyditore të zhvilluara në Bruksel më 21 dhe 22 Nëntor. Si suksesi më i rëndësishëm shihet ujdia për njohjen e dyanshme të diplomave universitare.

https://p.dw.com/p/13F5c
Edita Tahiri kryeson delegacionin e Kosovës
Edita Tahiri kryeson delegacionin e KosovësFotografi: DW

Në një deklaratë të Bashkimit Evropian të publikuar të martën pas përfundimit të bisedimeve dyditore bëhet e ditur se është arritur një lloj progresi. Si progres përmendet jo vetem fakti që të dy palët janë ulur në tavolinën e bisedimeve pas një ndërprerjeje të gjatë, por edhe rënia në ujdi mes palës kosovare dhe asaj serbe për të njohur respektivisht diplomat e universiteteve. Serbia që kujdeset të mos japë asnjë shenjë se e njeh indirekt shtetin e Kosovës, kërkon që këto diploma të mos kenë asnjë lloj simboli shtetëror. Gjithashtu diplomat nuk do të shkëmbehen direkt nga palët, por ky do të bëhet përmes "Shoqatës Evropiane të Universiteteve."

Cooper: Progres në disa fusha

Bashkimi Evropian, shkruan agjencia gjermane e lajmeve, dpa e cilëson progres edhe koncesionin që ka bërë Beogradi për të mos e penguar pjesëmarrjen e Kosovës në forumet rajonale në të ardhmen. Po-ja e Beogradit që Kosova të marrë një vend në forumet rajonale, si ato të transportit, tregtisë etj., pritet në ditët e ardhshme. Kryetari i delegacionit serb, Borko Stefanoviq i gëzoi evropianët në Bruksel, kur tha se "kjo mund të arrihet që javën e ardhshme."

Ndërmjetësuesi Robert Cooper
Ndërmjetësuesi Robert CooperFotografi: CC-BY-EU

Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, Robert Cooper i vlerësoi pozitivisht bisedimet dyditore. "Mendoj se ishte një takim i mirë. Nuk solli aq rezultate sa kam shpresuar unë, por ne kemi bërë progres substancial në disa fusha." Kështu janë arritur progrese edhe në drejtim të regjistrit civil të munguar në Kosovë. "Ne shpresojmë që të nisim nga puna brenda disa javësh", tha Cooper.

Ndërkohë sipas kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, cituar nga agjencia afp, është rënë dakord që raundi i ri të zhvillohet para fundit të Nëntorit, sipas parashikemeve data 30.Nëntor. Tahiri i vlerësoi me gjakftohtësi bisedimet dyditore: "Ne kemi arritur disa progrese, por dallimet esenciale dhe konceptuale mbeten", tha ajo.

Menaxhimi i integruar i kufijve ende një ide

Konflikti kufitar në Veri nuk është diskutuar nga palët në këto bisedime, deklaruan përfaqësues të të dyja palëve. Bashkimi Evropian është në kërkim të një zgjidhjeje për "menaxhim të integruar të kufijve", sipas së cilës pikëkalimet kufitare do të vendosen nën menaxhimin e përbashkët të Serbisë dhe Kosovës, me pjesëmarrje të misionit të BE-së, EULEX në Kosovë, si edhe duke kombinuar prezencën e doganierëve me policët që mbikqyrin pikëkalimet.

Borko Stefanoviç, kryeson delegacionin e Beogradit
Borko Stefanoviç, kryeson delegacionin e BeograditFotografi: DW

Lidhur me këtë çështje, kryetari i delegacionit serb në Bruksel, Borko Stefanoviq pas përfundimit të takimit dyditor tha për mediat në Bruksel se "ne jemi në kërkim të një zgjidhjeje, por mua më duket e pamundur se mund ta zgjidhim këtë problem në këto kohë."

Rifillimi i bisedimeve me Prishtinën është moment kyç për Beogradin, i cili pret që Bashkimi Evropian të japë dritën e gjelbër në fillim të dhjetorit për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE. Përparimet në lidhje me Kosovën janë kushti i vënë nga BE lidhur me kandidaturën e përshpejtuar të Beogradit. Më 9.Dhjetor samiti i BE-së do të vendosë zyrtarisht nëse Serbia e merr statusin kandidat.

Autor: afp, dpa / Lindita Arapi

Redaktoi:Esat Ahmeti