1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dialogu Kosovë-Serbi vazhdon nga mesi i Janarit

3 Janar 2012

Kosova dhe Serbia do të diskutojnë për transportin rrugor, hekurudhor dhe ajror, kompensimin e dëmeve të luftës, demarkacionin e kufirit dhe për çështjen e të pagjeturve.

https://p.dw.com/p/13dDy
Edita Tahiri
Edita Tahiri, Serbia po vë kushte.Fotografi: picture alliance/dpa

Prishtina dhe Beogradi do të vazhdojnë bisedimet gjatë janarit, për tri çështje: energjetikën, telekomunikacinin dhe përfaqësimin e Kosovës në nisma rajonale. Data e sakt e takimit të radhës akoma nuk dihet. Por të dyja palët, Prishtina edhe Beogradi, konfirmojnë se dialogu do të vazhdojë. Udhëheqësja e delegacionit te Prishtinës Edita Tahiri, i tha Deutsche ëelles se gjatë takimeve të Janarit do të diskutohen edhe çështje tjera.

Dialogu vazhdon gjatë muajit Janar

Delegacioni i Kosovës.
Delegacioni kosovar i gatshëm.Fotografi: DW

“Dialogu do të vazhdojë gjatë muajit Janar. Besoj se nga mesi i muajit do ta kemi takimin e radhës dhe do të diskutohen çështjet që tashmë janë në axhendë: bashkëpunimi rajonal, energjia dhe telekomunikacioni. Po ashtu mendoj se gjatë muajit Shkurt mund të kemi edhe një raund tjetër bisedimesh për çështjet si transporti rrugor dhe hekurudhor, transporti ajror, kompensimi i dëmeve të luftës, demarkacioni i kufirit, çështja e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje”, thotë Edita Tahiri.

Udhëheqësi i ekipit të Beogradit Borisllav Stefanoviq, ka thënë se pala serbe ka kërkuar që në çështjen e përfaqësimit rajonal të Kosovës të merret parasysh Rezoluta 1244 e KS-it. Por, kryenegociatorja kosovare Edita Tahiri, thotë se nuk është hera e parë që Serbia vë kushte në kuadër të dialogut. Sipas saj, Serbia tashmë ka marrë obligime në raport me Bashkimin Evropian dhe ato duhet zbatuar, nëse vërtetë dëshiron që ta merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bashkimin evropian.

Borisllav Stefanoviq
Borisllav Stefanoviq, të respektohet kushtetuta e Serbisë.Fotografi: picture alliance/dpa

"Serbia nuk mund të vë kushte"

“Qëndrimet penguese në kuadër të dialogut nga pala serbe nuk janë risi për palën kosovare. Pikërisht këto qëndrime të Serbisë bën që ajo në Dhjetor të mos e merr statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mendoj se Serbia tash nuk mund të vë kushte. Kosova është shtet i pavarur, ka kushtetutën e saj dhe Kosova nënshkruan dhe zbaton marrëveshje të cilat janë në harmoni të plotë më kushtetutën dhe ligjet e saj”, thotë Edita Tahiri.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, ka deklaruar për mediet serbe se ai nuk do të merret me kushtetutat e Serbisë dhe Kosovës. Atij i intereson që të gjejë zgjidhje praktike për të dyja palët. Për këto qëndrime të ndërmjetësit Robert Kuper, Edita Tahiri thotë: “BE është ndërmjetësues në këtë dialog dhe ky është qëndrim korrekt ndaj palëve. Ndërsa palët janë ato që bëjnë marrëveshje, natyrisht me garancitë e BE-së. Por ne i kemi vijat e kuqe dhe të gjitha marrëveshjet duhet të jenë në harmoni me kushtetutën e Kosovës”, thotë Edita Tahiri.

Vështirësi gjatë rrjedhës së dialogut

Robert Francis Cooper, CMG, MVO (born 1947 in Essex, United Kingdom) is a high-ranking European diplomatic official and advisor currently serving as a Counsellor in the European External Action Service. He is also a member of the European Council on Foreign Relations and is an acclaimed publisher on foreign affairs. Quelle wikipedia: http://en.wikipedia.org/wiki/Robert_Cooper_%28strategist%29
Robert Cooper, nuk më interesojnë kushtetutat.Fotografi: CC-BY-EU

Sidoqoftë, ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper ka thënë se ka pasur shumë vështirësi në arritjen e marrëveshjeve të deritashme Kosovë-Serbi. Vështirësi sipas tij, do të ketë edhe në të ardhmen. Edita Tahiri, parasheh se do të ketë edhe vështirësi shtesë, sepse në pranverë do të mbahen zgjedhjet në Serbi. Ndërkohë që edhe në Kosovë gjatë vitit 2012 parashihen zgjedhjet presidenciale. Kjo mund të shkaktojë ndërprerje të përkohshme të dialogut. Edita Tahiri përjashton mundësinë që viti 2012 do të shënojë edhe fundin e dialogut teknik Kosovë-Serbi.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Bahri Cani