1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Diktatori Franco dhe e kaluara e Spanjës

Guy Hedgecoe/Bahri Cani22 Gusht 2013

Një skulpturë e Francos e vënë në akull ka shqetësuar opinionin në këtë vend. Diktatori në madhësinë e tij të trupit është vënë në një frigorifer. Rasti ka shkaktuar pakënaqësi të shumta në vend.

https://p.dw.com/p/19UkK
Fotografi: picture-alliance/dpa

Për Eugenio Merino të gjitha gjërat ishin në fillim në rregull. Artisiti ka bërë tri skulptura artistike dhe i ka shitur për 30.000 euro. Skulptura prej silikone me emrin "Alëays Franco", e ndërtuar në madhësinë e ish-gjeneralit, është më e rëndësishmja. Atë e ka vendosur pas një akulli në frigorifer.

"Figurën e tij e kam vendosur në frigorifer, sepse mendoj se ai ende është i freskët, ende është prezent në shoqërinë tonë", thotë artisti 37 vjeçar.

Prej vdekjes së Francos kanë kaluar ndërkohë katër dekada, por edhe një punim si ky i Merinos mund t'i zgjojë emocionet e spanjollëve. Merinos në njërën anë i janë dhënë shumë mirënjohje për punën e tij. Në anën tjetër, nga grupet konservatore, ai është sharë dhe ofenduar.

Diktatori Franco trazon ende gjakrat

Grindjet tregojnë se çështja Franco edhe më tej në Spanjë ka një domethënie shumë të madhe - në veçanti kur bëhet fjalë për trashëfiminë e ish-diktatorit. Franco ka qenë në krye të Spanjës prej kohës së fashizmit në vitit 1939 deri në vdekjen e tij më 1975. Vepra e Merinos është prezantuar në opinion për herë të parë në vitin 2012, në panairin e artit ARCO. Fondacioni kombëtar Francisco Franco e ka hedhur në gjyq artistin dhe ka kërkuar një dëmshpërblim prej 18.000 euro. Padia është hedhur poshtë në korrik të këtij viti, por Fondacioni ka kërkuar rishikimin e vendimit.

Artisti Merino dhe Franco në frigorifer
Artisti Merino dhe Franco në frigoriferFotografi: picture-alliance/dpa

"Këta majtistë që e quajnë veten shkrimtarë apo artistë, kanë një problem shumë serioz", thotë Jaime Alonso, nënkryetar i Fondacionit, në një bisedë me Deutsche Wellen. "Ata duan të ndryshojnë historinë. Besojnë se mund të na dëshmojnë se 40 vjet nën Francon kanë qenë të këqija dhe se ka pasur vetëm kufizime dhe përndjekje."

Fondacioni ëshë themeluar nga vajza e Francos, për të vlerësuar "punën dhe ideologjinë" e diktatorit, pohon Alonso. Sipas tij, regjimi i atëhershëm nuk ka qenë fashist e as i dhunshëm. Historianët si autori i biofrafisë së Francos, Paul Preston, shpjegojnë nga anën tjetër se ish - gjenerali mban përgjegjësinë për vdekjen e të paktën 150.000 civilëve. Ndërkohë që trupat republikane kanë vrarë nga ana e tyre rreth 50.000 civilë.

Franco ka vdekur i qetë në shtratin e tij e nuk ka pasur drejtësi

Palët kanë mendime të ndryshme, kur bëhet fjalë për të kaluarën dhe trashëgiminë e Francos. Alonso dhe fondacioni që prezanton pohojnë se Franco pa të drejtë prezantohet si monstër. Ndërsa Merino mendon se në këtë vend edhe më tej ka një trashëgimi tepër të madhe të diktatorit.

"Spanja ka një problem shumë të madh: diktatorët në vendet e tjera kanë bërë vetëvrasje ose nuk vlerësohet e kaluara e tyre, ndërsa në Spanjë është ndryshe", shpjegon Merino.

"Franco ka vdekur i qetë në shtratin e tij dhe nuk ka pasur kurfarë drejtësie për viktimat. Por nuk mund të thuash se në kohën e tij "nuk ka ndodhur asgjë", sepse kanë ndodhur shumë gjëra." Një shkrimtar i njohur ka nisur në vitin 2010 të hulumtojë krimet nga koha e Francos. Baltasar Garzon është supsenduar nga vendi i punës, me shpjegimin se me këto hulumtime i ka tejkaluar kompetencat.

Franco në frigorifer
Franco në frigoriferFotografi: picture-alliance/dpa

"Duhet të bëhet diçka"

Memorja historike spanjolle është një fushë shumë e vështirë, që nga rënia e diktaturës në vitet 70-të. Kryeministri socialist Jose Luis Rodriguez Zapatero, gjyshi i të cilit e ka humbur jetën në luftën kundër Francos, ka bërë një tentativë në vitin 2007, që kjo fushë të rregullohet me ligj.

Zapatero e ka miratuar një ligj për "rehabilitimin moral" të viktimave, që do të mundësonte edhe dëmshpërblimin e tyre. Simbolet dhe përmendoret e Francos janë hequr, ndërsa rrugëve dhe shesheve që kanë pasur emrin e u janë ndërruar emrat. Për të djathtën politike ky ligj ishte i panevojshëm, ndërsa për të majtën ligji ishte tepër i butë. Historiani dhe këshilltari qeveritar Jose Alvarez Junco, i cilia ka qenë ideator i ligjit, thotë se ligji ka mundur të jetë edhe më i ashpër.

"Duhet të ndodhë më shumë, në veçanti kur bëhet fjalë për viktimat qe janë varrosur në varreza masive, sepse për ta nuk dihet asgjë", thotë ai në një bisedë për DW.

Në shumë qytete të Spanjës rrugët ende e mbajnë emrin e Francos apo të ish-gjeneralëve të tij. Shembulli më i njohur është një monument shumë i madh afër Madridit. Junco thotë se është shumë vështirë të bëhet një balancim mes viktimave dhe një debati me të djathtën për rolin e ish-diktatorit. Por historiani shpreson se tendosjet do të zbuten me kalimin e kohës. Numri i të mbijetuarve nga koha e luftës qytetare po zvogëlohet nga viti në vit, ndërsa për të rinjtë Franco ka shumë pak rëndësi.

Eugenio Merino megjithatë nuk heqë dorë hulumtimet për të kaluarën spanjolle. Megjithë faktin se shumëkush nuk është dakord. "Unë edhe më tej dua të them atë që mendoj. Kjo është esenca. Unë dua të them mendimin tim dhe nuk do të heq dorë nga kjo e drejtë, përkundër presioneve."