1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dilemë mes Rusisë dhe BE-së

Stephan Laack28 Shtator 2008

Bjellorusët zgjedhin sot parlamentin e ri të vendit. Deri tani opozita bjelloruse nuk ka arritur të ketë asnjë nga 110 vendet e parlamentit të vendit.

https://p.dw.com/p/FQOF
Pamje nga fushata elektorale në Minsk
Pamje nga fushata elektorale në MinskFotografi: AP

Këngëtari i mirënjohur bjellorus Oleg Çomenko përdor një krahasim poetik kur është fjala për rolin e vendit të tij mes Rusisë dhe BE-së: "E vetmja shpresë është që mes këtyre dy balenave gjigande të gjehet një vend i qetë për varkën e vogël."

Vite të tëra Bjellorusia konsiderohej si aleate besnike e Moskës. Por presidenti i vendit Lukashenko, i cili për vite të tëra quhej prej perëndimit si "diktatori i fundit i Evropës", duket se nuk do ta luajë më tej rolin e marionetës së Kremlinit. Në prag të zgjedhjeve ai ka theksuar vazhdimisht se kësaj radhe vendi po i respekton kërkesat e perëndimit në lidhje me organizimin e zgjedhjeve si asnjë herë më parë.

Në një intervistë televizive ai theksoi se vendi i tij do të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët: "Politika e jashtme duhet të ketë shumë drejtime. Për këtë ne nisemi nga njëra anë prej pozitës sonë gjeografike dhe nga ana tjetër prej mentalitetit të popullit tonë. Ai është shumë miqësor, nuk është agresiv dhe punëtor. Ne jemi një popull i qetë dhe nuk duam acarime me fqinjët."

Zgjedhjet parlamentare janë për Lukashenkon edhe një test, se sa është i mundshëm një afrim me perëndimin. Ai kërcënoi se do t'i priste kontaktet me BE-në në rast se ky do t'i shpallte edhe kësaj here zgjedhjet si jo demokratike.

Kryetari i opozitës bjelloruse Milinkevitsh thotë se të paktën përpara zgjedhjeve Lukashenko i ka liruar të burgosurit politikë: "Ata u liruan dhe ky është një hap kolosal. Sa i përket lirisë së shtypit nuk është bërë asgjë. Sa u përket zgjedhjeve kemi të bëjmë vetëm me ndryshime kozmetike. Ndryshime serioze nuk priten."

Në shumë zona elektorale do të kandidojnë vetëm kandidatët e qeverisë, po ashtu përfaqësuesit e opozitës kanë frikë se edhe përfundimet e zgjedhjeve do të manipulohen në mënyrë masive. Skeptikë janë edhe vëzhguesit e OSBE-së. Gjithësesi vlerësimi që do të japë OSBE-ja pas zgjedhjeve do të ndikojë ndjeshëm në qëndrimin e mëtejshëm të perëndimit ndaj Bjellorusisë.