1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rumänien Proteste

17 Janar 2012

Në Rumani prej ditësh protestojnë mijëra njerëz të pakënaqur. Pakënaqësia e tyre drejtohet jo vetëm kundër presidentit dhe politikës së fortë të kursimeve të qeverisë, por edhe kundër gjithë klasës politike.

https://p.dw.com/p/13kUg
Protesta në Rumani kundër reformës në shëndetësi
Protesta në Rumani kundër reformës në shëndetësiFotografi: picture-alliance/dpa

Shkak për shpërthimin e valëve të fundit të protestës në Bukuresht dhe qytete të tjera të mëdha, ishte një debat i ndezur për reformën shëndetësore. Nga njëra anë thuajse të gjithë në Rumani e dinë se vetëm një reformë e thellë mund të shpëtojë sistemin e vjetëruar dhe të korruptuar të shëndetësisë. Reforma kërkohet edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, prej kredive të të cilit Rumania vazhdon të jetë e varur për shkak të situatës së tensionuar financiare.

Pakënaqësi ndaj gjithë klasës politike - vala e protestave në Rumani zgjerohet
Pakënaqësi ndaj gjithë klasës politike - vala e protestave në Rumani zgjerohetFotografi: Reuters

Pakënaqësi për reformën shëndetësore

Kundërshtarët e ndryshimeve të njoftuara druajnë megjithatë se sistemi i shëndetësisë do të vazhdojë të kontrollohet nga struktura të korruptuara. Zënka shkallëzoi kur Presidenti Traian Basescu, sulmoi verbalisht në publik një mjek të suksesshëm. Mjeku me popullaritet me origjinë nga Palestina, Raed Arafat, ka studiuar në Rumani dhe më pas ka ngritur një sistem shumë eficient të ndihmës së shpejtë, i cili shtrihet në të gjithë vendin.

Arafat, pa përkatësi partiake, kishte paralajmëruar nga rreziku i copëzimi të shërbimit të ndihmës së shpejtë nga reforma e re dhe në mënyrë demonstrative kishte dhënë dorëheqjen nga posti si nënsekretar shteti.

Në të vërtetë projektligji parashikon një treg të lirë për shërbimet e ndihmës së shpejtë dhe urgjencat mjekësore. Shumë rumunë i frikësohen zgjerimit të shoqërisë ekzistuese me dy klasa në shërbimin mjekësor të korruptuar dhe druajnë se shërbimet private të ndihmës së shpejtë, në të ardhmen do të kujdesen vetëm për pacientët "e pasur". Dorëheqja e Arafatit ishte "shkëndija" për ndezjen e demonstrimeve në të gjithë vendin, dhe jo vetëm për kritikët e reformës shëndetësore. Megjithëse projektligji u tërhoq me urdhër të presidentit, protestat u zgjeruan.

Formë e pazakontë proteste në Rumani - përleshje me forcat e rendit dhe vandalizma
Formë e pazakontë proteste në Rumani - përleshje me forcat e rendit dhe vandalizmaFotografi: Reuters

Protesta të "të pakënaqurve" ndaj gjithë klasës politike

Ndërkohë demonstrimet "pro-Arafat" janë shndërruar në një valë protestash të të pakënaqurve - kundër presidentit dhe kursit të ashpër të kursimeve të qeverisë së kryeministrit Emil Boc, por edhe kundër gjithë klasës politike në Rumani, e cila për shumë rumunë është e paaftë dhe e korruptuar.

Demonstrimet fillimisht paqësore me disa mijëra pjesëmarrës u shkallëzuan shpejt, kur huliganë futbolli të organizuar mirë dhe të gatshëm për dhunë, u përzien me turmën në Bukuresht dhe u përleshën me policinë dhe forcat e rendit në rrugë. Dyqanet u plaçkitën dhe iu vu zjarri, shumë njerëz u lënduan. Vetëm gjatë fundjavës në kryeqytetin rumun pati mbi 70 të lënduar, ndër të cilët shumë policë dhe gazetarë.

Protesta politike në këtë formë është relativisht e pazakontë në Rumani. Pas kthesës politike të përgjakshme në 1989/1990 të gjitha qeveritë në Bukuresht janë përpjekur të zbusin pasojat shpesh të dhimbshme të reformave të domosdoshme. Rezultati ka qenë një qetësi relative në shoqëri, por edhe ngadalësimi i procesit të zhvillimit europian.

Akuza për stil autoritar drejtimi - Presidenti Basescu një nga shkaqet e pakënaqësisë
Akuza për stil autoritar drejtimi - Presidenti Basescu një nga shkaqet e pakënaqësisëFotografi: picture alliance/dpa

Korrupsion dhe paaftësi e sistemit të drejtësisë

Sot, pesë vjet pas anëtarësimit në BE, Rumania është e tronditur jo vetëm nga pasojat e krizës globale financiare dhe ekonomike. Korrupsioni, i cili vazhdon të jetë ende mjaft i përhapur dhe paaftësia e drejtësisë për ta luftuar atë, por edhe zënkat e vazhdueshme mes partive politike, kanë forcuar pakënaqësinë e shumë qytetarëve. Këtu shohet edhe pakënaqësia e shumë rumunëve ndaj stilit gjithnjë e më autoritar të drejtimit të presidentit.

Në këtë sfond ishte e qartë se politikanët e opozitës social-liberale do të bashkoheshin me lëvizjen spontane të protestës. Ata kërkojnë prej kohësh dorëheqjen e Basescu-t dhe të gjithë qeverisë. Por besueshmëria ndaj politikanë të opozitës është e vogël në radhët e demonstruesve - zërat e protestës drejtohen edhe kundër tyre.

Kryeministri Emil Boc, ka njoftuar ndërkohë një përpjekje të dytë për reformën në shëndetësi dhe ka përjashtuar kategorikisht privatizimin e shërbimeve të ndihmës së shpejtë. Shërbimi i ngritur nga mjeku Raed Arafat do të mbetet i pandryshuar. Boc dënoi çdo formë dhune dhe i bëri thirrje të gjitha palëve në protesta, ta zgjidhin krizën me dialog. Por kjo thirrje vjen shumë vonë. Protesta të reja janë njoftuar të mbahen ditët e ardhshme.

Autor: Robert Schwartz / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama