1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita e xhamive të hapura në Gjermani

Esat Ahmeti4 Tetor 2012

Që nga viti 1997, shoqatat myslimane gjithmonë në ditën e ribashkimit të Gjermanisë ftojnë publikun e gjerë që të vizitojnë xhamitë. Dje (03.10.2012) "Dita e xhamive të hapura" u vizitua nga mbi 100 mijë vizitorë.

https://p.dw.com/p/16Jhs
Dita e xhamive të hapura, SchorndorfFotografi: picture-alliance/dpa

Në "Ditën e Xhamive të Hapura" përsëri disa mijëra vetë vizituan objektet fetare islame. Afro 670 xhami në mbarë Gjermaninë kishin ftuar të mërkurën (03.10.2012) nën moton "Arti dhe Kultura Islame" që me ligjëratat dhe ekspozitat e tyre të theksojnë kontributet kulturore të Islamit dhe në këtë mënyrë të përhapin një imazh më pozitiv për myslimanët në Gjermani.

Në ceremoninë qendrore në kantierin e madh të ndërtimit të xhamisë së re të Unionit Turko-Islam (DITIB) në Këln u prezantua zëdhënësi i ri i Këshillit Koordinues të Myslimanëve: Erol Pürlü, i ngarkuari për dialog në Shoqatën e Qendrave Kulturore Islame (VIKZ), merr përsipër këtë post për gjashtë muajt e ardhshëm. Teologu 43 vjeçar zëvendëson Ali Kizilkayan, kryetarin e Këshillit Islam.

Moscheen in Deutschland 2012 Mannheim Yavuz Sultan Selim Moschee
Xhamia Yavuz Sultan Selim, ManhajmFotografi: picture-alliance/dpa

Nën hijen e debateve mbi ndalimin e synetisë dhe videos fyese

Me ndërtimin e xhamive myslimanët kanë treguar se ata janë bërë pjesë e shoqërisë gjermane, tha Kizilkaya në Këln. Megjithatë "Dita e xhamive të hapura" ka kaluar nën hijen e debateve mbi ndalimin e synetisë në Gjermani dhe videos fyese ndaj Profetit Muhamed. Duke folur për trazirat në shumë vende kundër videos, kryetari i Këshillit Islam theksoi se dhuna nuk është as islame e as njerëzore. Ai sqaroi njëkohësisht se myslimanët e ndjejnë veten të ofenduar nga ky film.

Kryetari i ri i Këshillit Koordinues Pürlü kritikoi se me videon antisilame nën mantelin e lirisë së shprehjes lëndohen ndjenjat e myslimanëve. Është e rëndësishme për kohezionin shoqëror respektimi i ndërsjellë, kërkoi imami turk.

Në Këshillin Koordinues të themeluar në vitin 2007, bëjnë pjesë Shoqata e Qendrave Kulturore Islame (VIKZ), Unioni Turko-Islam ( DITIB), Këshilli Islam dhe Këshilli Qendror i Myslimanëve. Sipas të dhënave të tyre ata përfaqësojnë shumicën e 2500 shoqatave myslimane dhe xhamive në Gjermani. Sipas një studimi të ministrisë së Brendshme gjermane në Gjermani jetojnë deri në 4,3 milionë myslimanë.

Berlin Tag der Offenen Moschee
Dita e xhamive të hapura, BerlinFotografi: DW

Dita e xhamive të hapura - lidhje e myslimanëve me Gjermaninë

Që nga viti 1997, shoqatat myslimane gjithmonë në ditën e ribashkimit të Gjermanisë ftojnë publikun e gjerë që të vizitojnë xhamitë e tyre. Në këtë mënyrë ata duan të shprehin lidhjet e tyre me Gjermaninë. Dje (03.10.2012) "Dita e xhamive të hapura" është shfrytëzuar nga mbi 100 mijë vizitorë. "Disa njerëzve u nevojitet një arsye për të kapërcyer vetveten. Kjo ditë është menduar për këta njerëz. Për të tjerët takimet në xhami janë çdo ditë mundshme", ka sqaruar Ahmet Yazici nga Bashkësia Islame e Gjermanisë Veriore.