1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Divorce evropiane të unifikuara

Anke Hagedorn6 Gusht 2008

Divorcet janë shpesh të komplikuara. Dhe më se të komplikuar bëhen, kur partnerët vijnë nga vende të ndryshme dhe jetojnë në një vend të huaj. Cili ligji zbatohet p.sh. për një çift gjermano-francez, që jeton në Itali?

https://p.dw.com/p/ErRH
Suedia ka ligjet më liberale për divorcin në Evropë, kurse në Maltë divorcet janë ligjërisht të pamundura.
Suedia ka ligjet më liberale për divorcin në Evropë, kurse në Maltë divorcet janë ligjërisht të pamundura.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Ajo është franceze, ai britanik. Të dy jetonin në Paris. Por lumturia martesore nuk zgjati shumë. Ai zbuloi, se ajo e kishte tradhëtuar. Ta falte nuk vihej në diskutim, po atë pasdite ai kërkoi ndarjen në Francë. Sipas ligjit francez partnerit, që është fajtor për ndarjen, i takon më pak kompensim nga detyrimi për ushqim. Sikur gruaja ta kishte kërkuar ndarjen sipas ligjit britanik, sjellja e saj nuk do të kishte luajtur rol në procesin e ndarjes. Ashtu si dhe në Gjermani faji i partnerit në ndarje nuk luan ndonjë rol.

Diferenca të mëdha në ligjet për divorcin

Dallime apo padrejtësi të tilla ka sa të duash në ndarjet binacionale. Këtë e konstaton edhe avokati Mark van Roy i specializuar për të drejtën familjare. Ai e ka zyren jo larg institucioneve evropiane në Bruksel. Klientët e tij nuk vijnë vetëm nga Belgjika, por nga vende të ndryshme të Be-së. Belgjika vitin e kaluar modernizoi ligjin për divorcin, për ta përshtatur me atë të vendeve të tjera anëtare të BE-së, si p.sh. me Gjermaninë apo Holandën, shpjegon Van Roy.

"Deri tani ka pasur dy shkaqe për të kërkuar ndarjen. Njëri ishte, kur mund të dëshmoje sjelljen e gabuar të partnerit, si p.sh. tradhëtinë bashkëshortore. Shkaku i dytë ishte ndarja faktike prej së paku dy vjetësh. Legjislacioni i ri e ka thjeshtuar ligjin e divorcimit. Parimi i fajësisë ka mbetur. Faza e ndarjes është reduktuar në një vit. Por njëri bashkëshort mund ta shprehë dy herë para gjyqit dëshirën për t´u ndarë, dhe bashkëshorti tjetër nuk ka se ç´bën dhe duhet ta pranojë ndarjen."

Çështja e fajit sipas ligjit të ri nuk luan rol më në çështjen e detyrimit për ushqimin, është pra si dhe në Gjermani. Po ashtu edhe një gruaje, që i shoqi e ndan për shkak të tradhëtisë bashkëshortore, mund t´i takojë diçka, nqs. se dëshmon, se nuk ka me se të jetojë.

Vështirësi kur njëri nga bashkëshortët është i huaj

Kur çifti është gjermano-belg apo të dy janë gjermanë, që jetojnë në Belgjikë, ndarja mund të bëhet nga një gjykatë gjermane vetëm nqs edhe bashkëshorti tjetër është dakord me këtë, përndryshe procesi mund të zhvillohet vetëm në Belgjikë.

Në vende të tjera të BE-së është ndryshe, aty vlen parimi "kush vjen i pari, ha i pari". Në mes Gjermanisë dhe Belgjikës ndryshimet nuk janë shumë të mëdha, por ligjin suedez dhe atë polak i ndajnë botë të tëra. Suedia ka ligjet më liberale për divorcin në Evropë. Në Poloni vlen një parim i tillë, që ai që bën faj nuk përfiton nga detyrimi për ushqim. Ndërsa në Maltë divorcet janë ligjërisht të pamundura.

Njësimi i legjislacionit proces i gjatë dhe i vështirë

Prandaj inciativat e BE-së për të balancuar ndryshimet e vendeve në ligjin për divorcin deri tani kanë dështuar. Në një takim të ministrave të drejtësisë të BE-së para dy javëve në Bruksel nëntë shtetet e reja anëtare të BE-së ranë dakord për të kërkuar një ligj të përbashkët dicorci për BE-në.

„Kjo do të na lehtësonte shumë punë ne avokatëve", thotë Mark Van Roy. Por ai nuk beson se marrëveshja do të rrihet së shpejti. "Në Slloveni, në Irlandë, në Gjermani, në Suedi ka sisteme të ndryshme, që janë zhvilluar për vite me radhë. Prandaj nuk mendoj se njësimi mund të arrihet në vitet e ardhshme. Për këtë duhet një farë kohe. Përveç kësaj kjo presupozon edhe ndryshimet në mentalitetin e secilit popull."

Deri në njësimin e ligjit për divorcin në vendet e BE-së mbetet një rrugë e gjatë po ashtu është e paqartë, nëse një ditë një gjë e tillë do të bëhet realitet.