1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Do it yourself" filozofia e hipermarketit - Praktika edhe në Shqipëri

30 Tetor 2009

Investimeve gjermane në Shqipëri i është shtuar së fundi dhe hapja e një hipermarketi të konsorciumit Praktiker. Me një investim rreth 20 milion euro ky emër i njohur sjell në tregun shqiptar filozofinë "bëje vetë".

https://p.dw.com/p/KJap
Fotografi: DW-TV

Rreth 7 km në periferi të Tiranës është hapur hipermaketi Praktiker. Për atë që ka vizituar më parë objektet e këtij emri në Gjermani ose jashtë saj bie menjeherë në sy se është në të njëjtat standarte të formës dhe përmbajtjes. Arredimi i brendshëm i seksioneve, ngjyrat, dekorimi, sinjalistika dhe ndarjet e jashtme etj. Si nja nga 4 sipërmarrjet më të fuqishme të ndërtimit në Europë, Praktiker, performon në mënyrë uniforme në cdo filjal të saj. Ajo është e spikatur në aplikimin e filozofisë së ofrimit të shërbimeve dhe produkteve për klientin me kredon"Do it yourself", ose siç thuhet në shqip "Bëje vetë".

Për Michael Arnold, anëtar i Bordit Drejtues të Praktiker prezenca në Shqipëri është një nevojë e konsumatorit vendas, për cilësinë dhe standartin gjerman. "Unë dëshiroj që t'ju premtoj sot se ne do të bëjmë gjithçka që t'i përmbushim të gjitha kërkesat dhe pretendimet tuaja. Kushtet për këtë janë të favorshme. Ne ju ofrojmë klientëve tanë këtu në Tiranë jo vetëm një gamë të gjerë asortimentesh me më shumë se rreth 35 mijë të tilla. Por ne gjithshshtu sjellim këtu dhe një cilësi shërbimi të nivelit gjerman. Sjellim teknologjine dhe përvojën gjermane", thotë Arnold.

Loritan Prespa, është adminstrator i kompanisë shqiptare "Prespa", e cila ka bashkëpunuar me Praktiker për hapjen e hipermarketit në Tiranë. Ai thotë për DW-në se në ngritjen e këtij objekti kanë punuar rreth 500 punëtorë shqiptarë, por dhe specialistë vendas dhe të huaj. "Bashkëpunimi me Praktiker nisi nga dëshira e mirë për të sjellë në Shqipëri kompaninë serioze dhe me eksperiencë dhe për të sjellë një frymë të re dhe për të ndihmuar edukimin e klientëve. Por dhe për të ndikuar sadopak në punësimin e njerëzve. Periudha e ndërtimit ishte parashikuar të zgjaste diku tek 24 muaj. Por në fakt ndërtimi zgjati vetëm rreth 10 muaj, nga fillimi deri në fund".

Shqipëria vendi i 10-të në Evropë me hipermaket Praktiker

Zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Ilir Meta e përshkroi si një lajm të mirë për ekonominë e vendit ardhjen e Praktiker-it gjerman. "Prezenca tregon jo vetëm oportunitetin që ofron tregu shqiptar, por dhe është konkretizim i marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve", iu tha Meta të pranishmeve në ceremoninë e hapjes zyrtare të hipermarketit. "Me krenari mund të them se prezenca e konsorciumit Praktiker tregon që vendi ynë po konsolidon tregjet e mallrave dhe të shërbimeve dhe i ka të gjitha mundësitë për tu shdërruar në një oaz ekonomik në rajon për kompanitë më prestigjoza të Europës", deklaroi zëvedëskryeministri dhe ministri i jashtëm Ilir Meta. Sipas tij qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për ta përmirësuar edhe më tej klimën e biznesit, si një ftesë direkte dhe konkrete për të afruar sa më shumë kompani dhe firma serioze.

Ambasadori Gjerman në Tiranë, Bernd Borchardt, kujtoi se mbërritja e Praktiker në Shqipëri është vazhdë e disa investimeve dhe angazhimeve të tjera të biznesit gjerman. "Edhe për konsumatorin shqiptar ky është një hap përpara. Ky investim i shkëlqyer gjerman është pjesë e një trendi të investimeve gjermane këtu në Shqipëri", tha ambasadori. Ai përmendi modernizimin e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza", investimet në sektorin farmaceutik, në portin e Durrësit, prezencën e grupit mediatik WAZ, ndërtimin e një qëndre të madhe të biznesit në periferi të kryeqytetit etj.

"Praktiker Group" me qendër në Kirkel (Saarland) e nisi operimin me hapjen e hipermarketeve në fund të viteve 70 dhe që atëhere në Gjermani janë rreth 340 të tilla. Por flamuri i Praktiker valvitet dhe në Greqi, Bullgari, Hungari, Luksenburg, Poloni, Rumani, Turqi, Ukrahinë. Oferta e Praktiker ka të bëjë me produkte dhe shërbime që përfshijnë ndërtimin, rikonstruksionin, riparimin e shtëpisë dhe objektet e saj, vegla për kopshtari, mjete për hobet dhe kohën e lirë etj.

Autor: Arben Muka

Redaktoi Vilma Filaj-Ballvora