1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Doris Pack: Serbia nuk ka të drejtë të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë

Bekim Shehu18 Prill 2008

Euro-deputetja gjermane tha në Prishtinë se Serbia nuk e ka këtë të drejtë, sepse nuk ia lejon rezoluta 1244 e KS-it.

https://p.dw.com/p/DkVP
Doris Pack
Doris PackFotografi: Europäisches Parlament

Euro-deputetja Doris Pack, tha në Prishtinë se institucionet e Kosovës kanë treguar përmbajtje dhe përkujdesje për të gjithë qytetarët e saj. Sipas zonjës Pack, Kushtetuta e Kosovës është për të gjithë qytetarët dhe liderët politikë duhet të bëjnë shumë që edhe serbët të kenë besim në këtë kushtetutë. Këto komente eurodeputetja Doris Pack, i bëri gjatë një vizite që po realizon në Kosovë së bashku me një grup deputetësh të parlamentit evropian dhe takimeve që pati me udhëheqësit kryesor të institucioneve të Kosovës.

"Ne inkurajojmë presidentin e Kosovës që të provojë të bëjë njerëzit që t’i besojnë Kushtetutës së Kosovës sidomos pakicat. Kjo kushtetutë u jep atyre shumë mundësi që të jetojnë jetën e tyre dhe të kenë identitetin e tyre", thotë Doris Pack.

Euro-deputetja zhvilloi një takim të veçantë me shefin e UNMIK-ut,Joakim Rycker, ku u diskutua për zgjedhjet e Serbisë që parashihet të zhvillohen edhe në teritorin e Kosovës me 11 maj.

"Eshtë e qartë se rezoluta 1244 nuk lejon që Serbia të mbajë zgjedhje lokale në Kosovë. Këtu nuk e kam fjalën për zgjedhjet e përgjithshme, por për zgjedhjet lokale. Këtë të drejtë e ka vetëm administrata e kombeve të bashkuara" thotë zonja Pack.

UNMIK-u, tashmë e ka bërë të qartë se zgjedhjet lokale të Serbisë në Kosovë do të cilësohen jolegjitime, mirëpo, nuk është në gjendje t’i parandalojë ato. Kjo për faktin që në të njetën ditë dhe në të njejtat qendra votimi do të zhvillohen edhe zgjedhjet e përgjithshme dhe kjo teknikisht i pamundëson UNMIK-ut që të parandalojë bajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.