1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejtësia turke kërkon 2000 vjet arrest për Gülenin

AUD (afp, rtr, dpa)17 Gusht 2016

Predikuesi islamik ende ndodhet në SHBA, për dorëzimin e mundshëm të tij Turqisë ende nuk janë marrë vendime. Por aktakuza kundër të dyshuarit si organizator të puçit të dështuar është e gatshme.

https://p.dw.com/p/1JjLz
Fethullah Gulen
Fotografi: Reuters/C. Mostoller

Në dokumentin prej 2527 faqesh, Prokuroria turke e akuzon predikuesin islamik Fetullah Gülen për "përpjekje për shkatërrim të dhunshëm të rendit kushtetues" si dhe për "krijimin dhe drejtimin e një grupi të armatosur terrorist", bëri të ditur agjencia e lajmeve Anadolu. Paditësit kërkojnë si dënim dy herë burgim të përjetshëm për 75 vjeçarin dhe veç kësaj 1900 vjet të tjera dënim.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan mendon se ish-miku i tij dhe rivali i sotëm Gülen është organizator i puçit të dështuar ushtarak të 15 korrikut, në të cilin u vranë 283 vetë dhe u plagosën më shumë se 2000 të tjerë. Prandaj Erdogani kërkon me këmbëngulje dorëzimin e predikuesit, i cili jeton që prej vitit 1999 në emigracion në SHBA.

Telefonatë e ministrave të jashtëm

Por SHBA duan ta respektojnë kërkesën vetëm nëse Ankaraja ofron dëshmi konkrete. Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Cavosoglu, sipas të dhënave të zyrës së tij, e diskutoi këtë rast me ministrin e Jashtëm të SHBA, John Kerry. Hollësi nuk u bënë të ditura.

Lëvizja Gülen, të cilën prokuroria turke e quan Organizata-Terroriste-Fetullah (Feto) zotëron një rrjet të përbotshëm shkollash, fondacionesh, sipërmarrjesh, sigurimesh dhe masmediash. Në bazë të kërkimeve të palës paditëse, transferta financiare kjo organizatë ka kryer përmes shteteve të ndryshme të rajonit, por edhe përmes Gjermanisë dhe Afrikës së Jugut. Hetimet e prokurorisë në Usak të Turqisë Perëndimore kanë nisur që në shtator 2015.

Bastisje në sipërmarrje

Që prej përpjekjes për përmbysje, qeveria turke po vepron në mënyrë masive kundër mbështetësve të dyshuar të Gülenit në të gjitha pjesët e shoqërisë. Më shumë se 35.000 vetë janë arrestuar deri tani. Dhjetëra mijëra kanë humbur vendet e punës. Pas ushtrisë, drejtësisë, administratës shtetërore dhe arsimit në fokus të autoriteteve është para së gjithash bota e biznesit. Në Stamboll policët kontrolluan 44 sipërmarrje dhe arrestuan 50 vetë.

Njëkohësisht vazhdon presioni i qeverisë konservatore-islamike ndaj medieve. Një gjykatë dha urdhër që të mbyllet gazeta prokurde Özgür Gündem. Kjo bën "propagandë për Partinë Punëtore Kurde të ndaluar, PKK, dhe vepron de facto si "zëdhënëse" e partisë", thanë gjykatësit.

Shumë gazeta i kanë mbyllur

Me një tirazh të përditshëm prej 7500 kopjesh, Özgür Gündem raportonte para së gjithash për konfliktin në zonat kurde. Gazeta botonte edhe shkrime të udhëheqësit të arrestuar të PKK, Abdullah Öcalan. Pas dështimit të puçit ushtarak, qeveria turke mbylli më shumë se 130 gazeta dhe medie të tjera.