1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Drejt ekstremit të djathtë - Neo-fashizmi në Itali

Kirstin Hausen9 Nëntor 2013

Te kamufluar apo hapur - ekstremistët e djathtë italianë mbajë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin, por dhe me qarqet konservatore në mesin e shoqërisë.

https://p.dw.com/p/1AESg
Fotografi: Getty Images

Sheshi Piazzale Loreto në Milano është i mbushur me makina dhe nuk është shumë i bukur. Por ky shesh është i njohur për të gjithë italianët nga koha e Luftës së Dytë Botërore. Sepse këtu luftëtarët e rezistencës kundër pushtuesve gjermanë varën kufomën e diktatorit fashist Benito Musolini. Dhe Musolini zë gjithmonë njërin nga vendet e para kur zhvillohen anketa se cili është burri më i madh i shtetit i Italisë.

Pasues të Musolinit ka ende jo vetëm në qarqet neo-naziste, por edhe në segmentin konservator të popullsisë, si p.sh. Tommaso Pini. Perimeshitësi në Piazzale Loreto në Milano beson se Italia nën regjimin fashist ishte një vend i sigurt me rregulla të qarta dhe pikërisht një e tillë i duhet Italisë përsëri dhe sot. "Sot të gjitha janë të çoroditura. Të ngacmojnë në çdo hap, lypësa dhe hajdutë xhepash. Asokohe gratë mund të ecin rrugëve pa frikë." Tommaso Pini veshur me xhinse dhe një xhaketë blu të errët prej kadifeje, këpucë lëkure llustrafine dhe syze. Ai nuk duket si një ndonjë i fortë që ka mendime ekstremiste të djathta dhe që i kanë qendrat e tyre në Milano, Romë dhe Veronë. Por ideologjikisht atë nuk e ndan asgjë nga simpatizantët e grupimeve neo-fashiste me pamjen e tyre marciale.

Mbesa e Mussolinit Alessandra është deputete në parlamentin italian.
Mbesa e Mussolinit Alessandra është deputete në parlamentin italian.Fotografi: Getty Images

Ekstremistët e djathtë maskohen

"Këtu ata bëjnë shumë të mira për familjet me të ardhura të ulëta", thotë për anëtarët e një qendre neo-naziste në Romë një burrë që jeton afër saj. Zyrtarisht qendra është një vend takimi dhe kulturore pa sfond ideologjik, por në Romë e dinë të gjithë se pas saj janë pasuesit e divizionit italian të rrjetit neo-nazist "Blood & honour" ( Gjaku dhe Nderi) të themeluar në Britaninë e Madhe. Anëtarët e qendrës në Romë e shesin veten si gjoja përpkarës të vlerave konservatore dhe të familjes. Por për të parë sesa ekstremist është ky grup mjafton një shikim në internet. Aty bëhet thirrje për "pastërtinë e popullit italian" dhe për përdorimin e dhunës kundër të huajve, homoseksualëve dhe të majtëve. Nga ana tjetër në qendrën e tyre ata ofrojnë aktivitete normale çlodhëse dhe përkujdesje gratis për fëmijët. Ata shfrytëzojnë me mjeshtëri fushat ku kushteti mungon. Kriza e vazhdueshme ekonomike dhe papunësia në rritje kanë bërë që familjet italiane të shtresës së mesme të zhyten në varfëri. Kjo tendencë u jep vrull grupeve ekstremiste të djathta, për shkak se ato ofrojnë zgjidhje të thjeshta .

Silvio Berluskoni
Silvio Berluskoni: Musolini ka bërë gabimin që bëri aleancë me nazistët gjermanë, por përndryshe ka bërë shumë gjëra të mira.Fotografi: Reuters

Dallimet mes të djathës dhe të djathtës ekstreme po fshihen

Por ka edhe ekstremistë të djathtë që dalin hapur si të tillë. 2.500 anëtarët e "Forza Nuova" nuk e fshehin qëndrimin e tyre në fletëpalosjet që shpërndajnë. Kontaktet e tyre shkojnë deri në qarqet konservatore. Kjo edhe falë miqësive personale. Ish-kryetari i Bashkisë së Romës Gianni Alemanno, për shembull, është i martuar me të bijën e një prej neo-fashistëve më të njohur. Djali i tyre kryeson një lëvizje studentore të krahut të djathtë. Në këtë mënyrë organizata radikale të djathta kanë marrë në të kaluarën edhe mbështetje financiare nga komunat që qeveriseshin nga politikanë të spektrit konservator. Pra kufijtë mes të djathës dhe të djathtës ekstreme po fshihen dhe qendra politike po zhvendoset edhe më tej në të djathtë. Ish-kreu i qeverisë dhe figura udhëheqëse e konservatorëve Silvio Berluskoni u ka ndihmuar atyre duke mos e quajtur politikën e Benito Mussolinit si krejtësisht të keqe. Musolini kishte bërë gabimin që kishte bërë aleancë me nazistët gjermanë, por përndryshe ai kishte bërë shumë gjëra të mira.

Amnezi historike

Diktatori Benito Musolini dhe fashizmi ishin në Itali gati 20 vjet në pushtet, nga 1922-1943. Por shoqëria italiane nuk është marrë intensivisht me këtë të kaluar të errët. Regjimi vrastar i Musolinit konsiderohet ende sot si "diktaturë e butë", thotë historiani zviceran Arami Mattioli, i cili ka vite që merret me studimin e fashizmit italian.

Hitleri dhe Mussolini
Hitleri dhe MussoliniFotografi: Getty Images

"Italia fashiste ishte partneri më i afërt i Gjermanisë naziste dhe bërë krime të rënda." Por megjithatë ato janë fshirë nga kujtesa. "Në vend të tyre," thotë Mattioli, "në qendër të diskursit historik dhe të kujtesës është vendosur faza e fundit e Luftës së Dytë Botërore, pra ajo e pushtimit të Italisë nga Gjermania naziste, kur Italia u bë vetë viktimë". Pikësisht për këtë shumë shpejt pas Luftës II Botërore në Itali u krijua në vitin 1946 sërish një parti e djathtë neofashiste "Movimento sociale italiano - MSI". Në vitin 1995 partia ndërmori një kthesë ideologjike dhe e ndryshoi emrin në "Aleanca Kombëtare". Zyrtarisht ajo hoqi dorë nga idealet fashiste dhe madje hyri edhe në qeveri.

Por shumë anëtarë të saj nuk e ndoqën linjën e re të partisë dhe krijuan grupe të vogla ekstremiste të djathta. Njëri prej tyre drejtohej nga mbesa e Mussolinit, Alessandra Mussolini, deri sa kjo parti iu bashkua partisë së Berlusconit "Il Popolo della Libertà - PDL". Alessandra Mussolini e cila e shpreh hapur krenarinë për të gjyshin është edhe deputete në parlamentin italian. Deri sot askush nuk ka kërkuar prej saj që të heqë dorë nga idealet fashiste.