1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Erik Bettermann: "Publiku është busulla e punës sonë“

3 Prill 2013

Më 3 maj 1953 Deutsche Welle transmetoi për herë të parë. Ku ndodhet sot, 60 vjet më pas, media gjermane për botën e jashtme? Çfarë ka mbetur dhe çfarë ka ndryshuar rrënjësisht?

https://p.dw.com/p/188tp
Fotografi: DW

DW: Çfarë ka lënë më së shumti gjurmë në mandatin tuaj dymbëdhjetëvjeçar? Çfarë ka lënë më shumë gjurmë në DW që prej ndërrimit të mijëvjeçarëve?

Erik Bettermann: Politikisht ka qenë pa dyshim 11 shtatori 2001 me pasojat e tij të shumta. Disa ditë para se unë të merrja detyrën e drejtorit të përgjithshëm mu konfirmua bindja, se çfarë vlere ka Deutsche Welle për vendin tonë, sa e rëndësishme është që të shprehemi me zërin tonë. Përveç kësaj ka qenë zhvillimi i shpejtë teknologjik. Ai e ka revolucionarizuar komunikacionin në mbarë botën. Si prodhimin dhe shpërndarjen e ofertave mediatike, ashtu edhe mënyrën e konsusumimit të informacionit nga përdoruesit, gjë që ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme.

Detyra, që iu dha DW-së tetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte ajo e „Çntensionimit“, që ta shoqëronte Gjermaninë në rrugën e kthimit në Bashkësinë Ndërkombëtare. Cila është detyra e DW-së 60 vjet pas fillimit të transmetimeve të saj?

Si dikur ashtu edhe sot detyra e DW është të pasqyrojë vendin tonë dhe vlerat e tij. DW duhet ta përcjellë tek auditori "Gjermaninë si një komb të mbrujtur në kulturën evropiane dhe një shtet liberal, demokratik, kushtetues, i bazuar në sundimin e ligjit", kështu thuhet në statutin e DW-së të vitit 2005. Ky statut e ka modernizuar dhe zgjeruar misionin e programeve tona. Me ofertat tona gazetareske në shumë gjuhë dhe me Akademinë e DW-së ne jemi sot një platformë për dialogun e kulturave dhe një forum për shprehjen e perspektivave gjermane dhe perspektivave të tjera. Prandaj ne e konsiderojmë veten edhe si zëri i lirisë dhe i të drejtave të njeriut. Përveç kësaj ne promovojmë gjuhën gjermane. Edhe kjo është pjesë e misionit tonë.

Çfarë do të thotë kjo për ofertat gazetareske?

Ne duam të kemi auditor në mbarë botën. Për këtë ne përgatisim oferta gazetareske në 30 gjuhë. Mandati ligjor und parimet thememlore të DW-së formojnë kornizën për punën e redaksive tona. Busulla për punën tonë është gjithmonë edhe ajo çfarë presin shikuesit, dëgjuesit dhe përdoruesit e internetit. Këtë ne duhet ta përmbushim në mënyrë sa më të diferencuar që të jetë e mundur në rajone dhe gjuhë të ndryshme të botës. Për shkak të zhvillimit teknik dhe ndryshimit të preferencave të përdoruesve ky është një proces i përshtatjes së vazhdueshme. Ky është shkaku, se përse ne kemi përdorur vite me rradhë valë të shkurtra, kemi zgjeruar televizionin satelitor, kemi shfrytëzuar që herët internetin dhe punojmë sot si kompani multimediale. Dhe kjo është arsyeja, pse ne i rajonalizojmë sa më shumë të jetë e mundur përmbajtjet e ofertave tona. Që prej një viti ne shpërndajmë informacione në gjermanisht, anglisht, spanjisht dhe arabisht në gjashtë shina rajonale të transmetimit televiziv. Në gjuhë të tjera ne prodhojmë revista televizive për stacionet partnere në Azi, në Evropën Lindore dhe në Brazil. Në aktivitetet tona në internet bëjnë pjesë sigurisht mediat sociale dhe rrjetet e reja mobile.

Mandat ligjor, financim shtetëror – dhe megjithatë prej 60 vjetësh me gazetari të pavarur. Si ka arritur DW të profilizohet si një zë i besueshëm në këtë pozicion?

Ne si stacion publik, i financuar nga taksat, që transmetojmë për botën e jashtme, kemi një avantazh vendimtar në tregjet ndërkombëtare të informacionit: Ne ashtu si edhe transmetuesit brenda vendit gëzojmë liritë dhe mbrojtjen nga neni 5 i kushtetutës. Prandaj nuk ka asnjë kontradiktë mes mandatit ligjor dhe financimit tonë përmes taksave nga njëra anë dhe pavarësisë sonë gazetareske nga ana tjetër. Përmes një gazetarie të mirë, prezantimit gjithmonë të balancuar të vendit tonë, DW dhjetëvjeçarët e fundit ka krijuar reputacion si një burim i besueshëm, i sigurtë informacioni. Kësaj i ndihmon edhe fakti se ne i japim mundësi shprehjeje atyre, që shtypen në vendin e tyre. Kështu ka qenë në vitet 1970 gjatë diktaturës ushtarake në Greqi, kështu është sot për shkrimtarët dhe artisët kritikë të regjimit në Kinë, për aktivistët në Iran dhe në vendet arabe. Njerëzit na besojnë ne. Kjo është gjëja më e madhe për një kompani mediale ndërkombëtare.


Eshtë kjo arsyeja përse kërkesa për ofertat e akademisë së DW është kaq e madhe në mbarë botën?

Ne promovojmë prej gati 50 vjetësh zhvillimin e sistemeve të lira transparente të mediave në mbarë botën. Ministria gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvilimin është këtu partneri ynë më i rëndësishëm. Së bashku ne forcojmë cilësinë e gazetarisë dhe kompetencën e mediave në vendet në zhvillim dhe tranzicion. Kështu ne jemi për shembull aktivë në Tunizi dhe në Siri, mbështesim hapjen e Mianmarit dhe angazhohemi në projekte afatgjata në Amerikën Latine. Kjo përfshin më shumë se vetëm kualifikimin e gazetarëve. Përfshin strategjitë, që institucionet e mediave të mbijetonë ekonomikisht, që etnive të diskriminuara t'u sigurohet qasja në informacion. Vazhdimisht kemi mbështetur transmetuesit shtetërorë në rrugën e tyre drejt strukturimit si transmetues publikë, ndër të tjera aktualisht e bëjmë këtë edhe në Rrepublikën e Moldavisë. Kërkesa është aq e madhe, saqë ne nuk mund t'i përmbushim dot një pjesë të dëshirave. Ndërkohë rreth 3 000 punonjës të mediave marrin pjesë në kurset tona të trainimit. Ne jemi të pranishëm në vende të ndryshme me një angazhim afatgjatë. Programi Master „International Media Studies“ u ofron partnerëve tanë mundësi shtesë për kualifikim. Akademia e DW-së është organizata kryesore gjermane për zhvillimin ndërkombëtar të mediave.

Deutsche Welle është zhvilluar nga një radiostacion me valë të shkurtra në një kompani multimediale – një domosdoshmëri e ndryshimeve?

Që nga viti 1953 kushtet për radion ndërkombëtare dhe komunikimin global kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Një transmetues, që nuk ballafaqohet në vazhdimësi dhe me fleksibilitet me sfidat, i humbet shpejt lidhjet. Ne kemi filluar shumë herët me prodhimin dhe transmetimin digjital. Ne kemi qenë radiostacioni i parë publik në Gjermani me internet. Ne ishim pararojë në procesin e kalimit në punën multimediale. Kush kryen në DW praktikën e formimit profesional (Volontariat) kualifikohet për të qenë i aftë të punojë në të gjitha fushat: para kameras, në mikrofon dhe online. Gjithashtu rrjetet sociale janë prej kohësh componente e së përditshmes gazetareske në 30 redaksitë në gjuhë të huaja. Pjesë e modernizimit është padyshim edhe shkëputja prej projekteve të ndryshme. Kështu ne kemi ndërprerë një sërë programesh radiofonike, për të cilat nuk ka më dëgjueshmëri. Ndërprerja e shumë transmetimeve në valë e shkurtra ishte parakushti për përdorimin e fondeve të nevojshme për zgjerimin e ofertës sonë televizive dhe të internetit. Sidoqoftë mundësitë, për t'i bërë këto ndryshime me forcat tona, pa mjete shtesë, janë ezauruar. Që nga fundi i viteve 1990-të DW ka humbur më shumë se një të tretën e buxhetit.

Çfarë do të ishte sipas mendimit tuaj dhurata më e rëndëdishme për Deutsche Welle në 60 vjetorin e saj?

Deutsche Welle që nga fillimi ka pasur një funksion të rëndësishëm në marrëdhëniet e jashtme të vendit tonë. Ajo siguron prezencën mediale të zërave dhe të atmosferës nga Gjermania për publikun ndërkombëtar. Kjo është një detyrë, që në dhjetëvjeçarin e kaluar është bërë edhe më e rëndësishme. Shumë shtete kanë bërë përpjekje të konsiderueshme, për të ndërtuar apo për të zgjeruar aktivitetet mediatike ndërshtetërore. Ata e kanë kuptuar rëndësinë e komunikimit ndërkombëtar për aspiratat e tyre politike ekonomike dhe kulturore. Gara për vëmendjen e publikut botëror është bërë shumë më e fortë. Do të dëshiroja këtu në vendin tonë një konsensus politiko-shoqëror, me qëllim që Gjermania të mos pësojë prapaktheu në këtë drejtim. Ne duhet të bëjmë më shumë prej mundësisë, që na ofron sistemi ynë i medias për përfaqësimin medial të vendit tonë. Shumëllojshmërinë dhe kualitetin e shkëlqyer, që dimë ta vlerësojmë aq shumë në ofertat tona të brendshme, duhet t'i shfrytëzojmë edhe për auditorin tonë në Nju Jork, Singapur, Kairo dhe Buenos Aires. Ne duhet t'i tregojmë publikut më të mirën nga Gjermania. Prandaj unë angazhohem me gjithë forcën që media gjermane për botën e jashtme të përfshihet më fort në sistemin gjerman të medias. Do të ishte një dhuratë e bukur, në qoftë se do t'i përfundonim me sukses bisedimet në këtë vitin jubilar.