1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

141111 Monti Italien

14 Nëntor 2011

Pas dorëheqjes së Berlusconit, do t'i duhet ish komisionerit të BE-së Mario Monti, të nxjerrë Italinë nga kriza e borxheve. Presidendi italian Giorgio Napolitano, e ngarkoi ekspertin e ekonomisë me krijimin e qeverisë.

https://p.dw.com/p/13ADA
Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisë
Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisëFotografi: picture alliance/dpa

Kryeministri i ardhshëm italian Mario Monti, iu drejtua me fjalë të pakta por të qarta popullit, pasi mori të dielën në mbrëmje (13.11.) nga presidenti i vendit Napolitano mandatin për formimin e qeverisë. "Këtë detyrë do ta kryej me shumë përgjegjësi dhe e kuptoj si një shërbim për vendin tim. Në një moment kur Italia ka vështirësi të mëdha, edhe për shkak se janë trazuar kontekstet evropiane dhe mbarëbotërore - vendi duhet të triumfojë mbi ata që kërkojnë të marrin nga ne haraç."

Një kritikë e qartë por mjaft realiste ndaj tregjeve financiare, të cilat të motivuara nga politika ngurruese e qeverisë Berlusconi, kontribuan në zhytjen e vendit në krizë.

68-vjeçari Monti, ish komisioner i BE-së, e ka pranuar detyrën me kusht. Fillimisht ai do të shohë nëse do të jetë e mundur të krijohet një qeveri me mbështetje të gjerë. Qeveria do të jetë shumë e reduktuar, postet kyçe do të merren nga specialistë mbipartiakë. Vetë Monti, i ka cilësuar emrat që përfliten aktualisht si fantazi e pastër dhe nuk ka lejuar të vihet në presion kohor. Ai tha se do të zhvillojë bisedime të përgjegjshme dhe pastaj do të shihet. Por pritet që qeveria të prezantohet brenda kësaj jave.

Mario Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisë
Mario Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisëFotografi: picture alliance/dpa

Lidhur me detyrat e tij, kryeministri i ardhshëm tha: "Përpjekjet tona do të shkojnë për rimëkëmbjen e financave. Ne duam të hyjmë sërish në rrugën e rritjes ekonomike, duke i kushtuar një vëmendje të madhe ekuilibrave socialë. Këtë duhet ta bëjmë për fëmijët tanë. Atyre duhet t'u japim një të ardhme të qendrueshme me dinjitet dhe shpresë."

Kjo do të thotë që për italianët do të vijnë kohë të vështira: pritet të rivendoset taksa për truallin, taksa për pasurinë, do të ashpërsohet përsëri rregulli për pensionet dhe mund të ketë ndryshime edhe në ligjin për mbrojtjen e punësimit. Të gjitha këto do të thonë që në Itali pritet një periudhë pasigurie, ku nuk do të mungojnë edhe grevat. Presidenti Napolitano, i cili u dëshmua javët e fundit si një burrë shteti shumë kompetent dhe i përgjegjshëm, shpjegoi qartë se përse refuzon në këtë moment zgjedhjet e parakohshme dhe përse do të ngrejë një qeveri kalimtare:  "Tani nuk është koha për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të 2008-s, për të kritikuar demokracinë tonë alternuese apo për të hequr konkurrencën e lirë në zgjedhje. Tani, tre vjet e gjysmë pas fillimit të periudhës legjislative, duhet ngritur një qeveri e cila të bashkojë forcat e ndryshme politike, pasi këtë kërkon gjendja aktuale emergjente financiare dhe ekonomike."

Për të eliminuar të gjitha dyshimet, Napolitani rikujtoi të dielën në mbrëmje (13.11.) se gjatë pesë muajve të ardhshëm Italisë, do t'i duhet të rifinancojë në tregje rreth 200 miliardë euro borxhe shtetërore. Për këtë arsye ishte e nevojshme të shmangej një vakuum pushteti.

IMario Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisë
Mario Monti ngarkohet me drejtimin e qeverisëFotografi: dapd

Kryeministri i larguar Berlusconi, iu drejtua të dielën në mbrëmje italianëve me një mesazh video melodramatik. Në të ai e cilëson dorëheqjen e tij si një veprim të përgjegjshëm dhe zemërgjerë, theksoi dashurinë e tij për Italinë dhe foli sërish për reformat e mëdha që planifikon. Por ai nuk pranoi asnjë gabim dhe nuk mori asnjë lloj përgjegjësie për situatën aktuale, në të cilën ka përfunduar vendi nën qeverisjen e tij. Në vend të kësaj Berlusconi theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga skena politike.

Ndërkohë që Mario Monti, fillon këtë të hënë (14.11.) me krijimin e qeverisë dhe vazhdon negociatat me të gjitha partitë, Italia është në pritje të reagimit të tregjeve financiare: a do ta marrin ato sinjalin nga Roma ashtu si shpresohet?

Autor: Stefan Troendl/ Eliana Xhani

Redaktoi: Aida Cama