1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duartrokitje dhe refuzim për Orbanin

9 Prill 2018

Suksesi në zgjedhje i nacionalkonservatorëve hungarezë ka shkaktuar frikëra në BE. Si do të vazhdojë puna në BE me një kryeministër Orban më të fortë?

https://p.dw.com/p/2vjiV
Ungarn Wahlen Viktor Orban Wahlsieg Jubel
Fotografi: Reuters/B. Szabo

Suksesi në zgjedhje i nacionalkonservatorëve hungarezë ka shkaktuar frikëra në BE. Politikanë kryesorë të BE i përcollën urimet pasi u bë e qartë se Viktor Orbani në fitoren e tij të katërt në zgjedhje pati arritur rezultate më të mira se kurrë më parë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ka nisur procedura të ndryshme ligjore kundër Orbanit do të telefonojë të martën me kryeministrin e ri dhe të vjetër në Budapest.

"BE është një bashkim i demokracisë dhe i vlerave", e lexoi zëdhënësi i Junckerit, Margaritis Schinas në Bruksel deklaratën e përgatitur. "Presidenti Juncker dhe Komisioni i BE besojnë se mbrojtja e këtyre parimeve dhe mbrojtja e këtyre vlerave është detyrë e përbashkët e të gjitha shteteve anëtare, dhe kjo pa përjashtim." Orbani nacionalkonservator e pati sulmuar ashpër në fushatën elektorale BE dhe Komisionin dhe e akuzoi se po shkakton një "invazion migrantësh" dhe një "dominim të elementit të huaj islamik". Të gjitha këto do të diskutohen të martën në telefonatën midis Junckerit dhe Orbanit, bëri të ditur zëdhënësi i Komisionit Schinas.

Merkeli sheh pikëpamje të kundërta

I ftohtë qe urimi i Kancelares gjermane Angela Merkel (CDU). Ajo kujtoi ato që i lidhin të dyja vendet, por është shumë e dukshme që në bashkëpunim ka "pikëpamje të kundërta", tha zëdhënësi i Merkelit, Steffen Seibert në Berlin.

BE e ka paditur Hungarinë, Poloninë dhe Republikën Çeke sepse megjithë vendimin e gjykatave më të larta refuzojnë të pranojnë refugjatë nga Greqia ose Italia. Aktualisht, 28 shtetet anëtare të BE negociojnë për një sistem të ardhshëm shpërndarjeje dhe një procedurë evropiane azili. Nga pikëpamja e Brukselit, Hungaria dhe Polonia bllokojnë këtu çdo kompromis. "Negociatat sigurisht që nuk do të bëhen më të thjeshta", thotë Stefan Lehne nga Qëndra Kërkimore "Carnegie" në Bruksel. Viktor Orbani me besim në vetvete dhe i fuqizuar edhe njëherë do të jetë "njëri nga partnerët më të vështirë të negociatave". Por "një dakordim nuk përjashtohet".

Në fund të fundit, BE dhe përfaqësuesja e kontribueses më të madhe neto në BE, Gjermanisë, Angela Merkel ka në duar një mjet vendimtar presioni: paratë. Hungaria është e varur nga mjetet financuese të BE, për të nxitur rritjen ekonomike. Këto ditë do të nisin negociatat për buxhetin e viteve 2021-2027.

Duartrokitjet nuk mungojnë

Partneri i koalicionit të Angela Merkelit, ministri i Brendshëm dhe i Territorit Horst Seehofer (CSU) ishte në dallim nga Kancelarja shumë i entuziazmuar nga suksesi i Orbanit. "Unë gëzohem për fitoren në zgjedhje. Sërish është një fitore shumë e qartë elektorale". Partneriteti i konservatorëve bavarezë me partinë Fidesz të Orbanit do të vazhdojë.

Shefi i konservatorëve, i Grupit Parlamentar të Partive Popullore Evropiane, PPE, Manfred Weber (CSU) e përshëndeti Orbanin. Ai tha se gëzohet "që do të vazhdojë edhe më tej bashkëpunimin". Kurse ministri i Jashtëm i Luksemburgut, socialdemokrati Jean Asselborn e kritikoi ashpër fitoren e Orbanit. "Para së gjithash është në dorën e Gjermanisë dhe të Francës, të cilat nuk sillen në mënyrë indiferente, që të ndërhyjnë shpejt dhe qartë mbi bazën e marrëveshjeve bazë evropiane, për ta neutralizuar këtë tumor vlerash", i tha Asselborn gazetës "Die Welt".

 

 

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE