1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duel mes Ministrit të Jashtëm dhe Prokurores së Republikës

Ani Ruci / Tiranë 28 Nëntor 2008

Lulzim Basha refuzon të paraqitet në Prokurori si i pandehur dhe ngre padi ne Gjykatë për Ina Ramën, për shkelje proceduriale.

https://p.dw.com/p/G5NH

Zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme, Olta Zhiti tha sot për DW se "gjithshka është bërë e ditur në momentin e fundit, kur pritej që Ministri i Jashtëm, deputeti i PD-së me imunitet të hequr, Lulzim Basha, i sapokthyer nga Brukseli të paraqitej si i pandehur ne organin e akuzës. " Ajo tha se "kur akrepat e orës ju afruan të enjten, më 27 nëntor, kohës së caktuar nga Prokuroria, në dyert e saj është paraqitur vetëm avokati i Zotit Basha, Zef Nikaj me një prokurë përfaqësimi nga klienti i tij. Ndonëse dy ditë më parë kishte qenë vetë avokati që u pat deklaruar mediave të Tiranës, se klienti i tij "do të paraqitej në Prokurori, në respekt të institucioneve kushtetuese," ai i solli dje organit të akuzës kundërshtimin e Lulzim Bashës, ndaj thirrjes së Prokurorisë, për ta marrë atë si të pandehur. Avokati Zef Nikaj bëri me dije gjithashtu se Ministri i Jashtëm Basha, ka ngritur padi ndaj Prokurores së Republikës Ina Rama në Gjykatën e Tiranës."

Pas këtij njoftimi, në organin qëndror të akuzës, avokati Nikaj, në një konferencë shtypi të improvizuar para godinës së Prokurorisë, ai e cilësoi kërkesën e Prokurorise për ta marrë Bashën në pyetje si i pandehur "nje shkelje ligjore flagrante." Duke iu referuar nje vendimi të Gjykatës së Tiranës, të 10 ditëve më parë, 18 nëntorit 2008, ai tha se "kryerja e veprimeve hetimore i ndalohet Prokurorisë."

"Kam kërkuar pavleftshmërinë e akteve proceduariale dhe përpara Gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Nuk ka asnjë akt ligjor që t`i ketë atribuar Zotit Basha të qënit i pandehur, në bazë të nenit 34, pika 1, të Kodit të procedurës penale," tha Zef Nikaj, avokat i Lulzim Bashës.

Thirrja për të shkuar në organin e akuzës si i pandehur i është dërguar Ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha me anë të postës. Ai akuzohet për shpërdorim detyre dhe abuzime me fondet publike në ndërtimin e autostradës Durrës - Kukës, konkretisht të segmentit rrugor Rrëshen -Kalimash. Ekspertët e sektorit të krimit ekonomiko- financiar në Prokurorinë e Përgjithshme kanë publikuar shifrën prej 232 milion eurosh, që Basha i ka shkaktuar, sipas tyre, buxhetit të shtetit. Afati i fundit ligjor brenda të cilit Prokuroria e Përgjithshme duhet të çojë dosjen Basha në Gjykatë është 6 dhjetor 2008. Në mjediset e organit të akuzës ngritja e padisë ndaj Prokurores së Republikës, Ina Rama, për shkelje proceduriale shihet si një manovër e Lulzim Bashës dhe avokatit të tij për të fituar kohë në përballjen me Gjykatën.

Legjislacioni i Shqipërisë nuk lejon marrjen me forcë të të pandehurit për t´u paraqitur në Prokurori. Procedura që ndjek Prokuroria është njoftimi nga Sektori i saj i krimit ekonomiko financiar, me anë të postës për akuzat që rëndojnë mbi të dhe qënien i pandehur. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë sot për DW se reagimi i Prokurores së Republikës, Ina Rama ndaj padisë së ngritur për të qenë teper lakonik kur ka thënë: "Zoti Basha, shihemi në gjykatë."