1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duisburgu i jep lamtumirën viktimave të Loveparade

31 Korrik 2010

Një javë pas tragjedisë së Loveparade, në Duisburg u mbajt një ceremoni e përzishme për 21 viktimat. Krahas familjarëve dhe forcave të shpëtimit morën pjesë shumë personalitete të larta shtetërore.

https://p.dw.com/p/OYq6
Kurora për viktimat e tragjedisë së Loveparade-it.
Kurora për viktimat e tragjedisë së Loveparade-it.Fotografi: AP

Dhjetëra mijëra i dhanë këtë të shtunë (31.7.) në Duisburg lamtumirën 21 viktimave të panikut masiv në Loveparade. Meqenëse në kishën Salvator ku u mbajt mesha ekumenike kishte vend vetëm për 550 vetë, organizatorët kishin planifikuar përcjelljen e pamjeve në stadiumin dhe 12 kisha të qytetit. Në marshin mortor pas meshës në orët e pasdites sipas të dhënave të policisë priten mijëra pjesëmarrës. Situata vlerësohet e tensionuar pasi pas katastrofës pati shumë kritika ndaj organizatorëve dhe autoriteteve vendimmarrëse të qytetit Duisburg.

Në meshë të afërm të viktimave dhe të lënduar

Në kishën Salvator janë të pranishëm para së gjithash familjarë të viktimave, të lënduar gjatë katastrofës së Loveparade-it dhe forca të ekipeve të shpëtimit. Krahas presidentit federal Christian Wulff, kancelares Angela Merkel, Ministrit të Jashtëm gjerman Guido Westerwelle dhe kryeministres së landit Rini Verior Vestfalia, Hannelore Kraft, morën pjesë edhe të ftuar të tjerë nga politika, kisha dhe shoqëria.

Kryetari i bashkisë së Duisburgut, Adolf Sauerland,i cili konsiderohet përgjegjësi kryesor politik për tragjedinë nuk mori pjesë në aktivitetin përkujtimor. Ai e argumento vendimin me respektin për ndjenjat e familjarëve të viktimave dhe të lënduarve.

Kryeministrja premton zbardhje të plotë

Kryeministrja e landit Rini Verior Vestfalia, Hannelore Kraft (SPD) i siguroi familjarët e viktimave se do të bëhet zbardhje e plotë e ngjarjes. Viktimat dhe të afërmit kanë të drejtën të mësojnë të vërtetën. "Si mundi të ndodhte, kush është fajtor, kush është pëgjegjës? Këto pyetje duhet dhe do të sqarohen", tha Kraft, me zërin që i dridhej nga emocioni. Në të njëjtën kohë ajo falenderoi forcat e shpëtimit për punën e bërë.

Qirinj në kujtim të viktimave të Loveparade-it.
Fotografi: AP

Thirrje për dorëheqje për kryetarin e bashkisë së Duisburgut

Ndërkohë po shtohet trysnia ndaj kryetarit të bashkisë Adolf Sauerland (CDU) për të pranuar pasojat e vendimeve të gabuara në disa sfera vendimmarrëse dhe për të dhënë dorëheqjen. Pas kërkesave të forta përkatëse nga qytetarët dhe nga kryeministrja e re e landit Hannelore Kraft, po shtohen thirrjet për dorëheqje edhe nga radhët e Unionit CDU-CSU.

Kështu janë shprehur Wolfgang Bosbach (CDU), kryetari i komisionit për rendin në Bundestag si dhe Stefan Müller, drejtuesi i punës së grupit parlamentar të Unionit Kristiansocial.

Kryetari i bashkisë së Duisburgut, Adolf Sauerland.
Në shënjestër të kritikave - kryetari i bashkisë së Duisburgut, Adolf Sauerland.Fotografi: AP

A ngurron kryetari i bashkisë për shkak të pensionit?

Një zëdhënës i qyetit të Duisburgut deklaroi se Sauerland-i nuk do të japë dorëheqjen. Sipas medieve këmbëngulja e kryetarit të bashkisë së Duisburgut për të mos dhënë dorëheqjen mund të ketë edhe arsye financiare. Në rast dorëheqjeje ai mund të humbasë të gjitha të drejtat për pension.

Kush e mban përgjegjësinë?

Ndërkohë që hetimet vazhdojnë, persona të tjerë të cilët kanë pasur kompetenca vendimmarrëse për aktivitetin Loveparade, kanë refuzuar përgjegjësinë për katastrofën. Kështu drejtori i departamentit të ndërtimeve në qytetin e Duisburgut, Jürgen Dressler, ashtu si më parë organizatori i Loveparade-it Rainer Schaller, ka fajësuar policinë. Sipas Dressler-it zona e tunelit, ku ndodhi tragjedia, është pjesë e territorit publik jashtë zonës ku zhvillohej aktiviteti. Për sigurinë në ambientet publike është përgjegjëse policia, tha Dressler, duke shtuar se policia ishte fajtore edhe për bllokimin e shumë daljeve të emergjencës. Departamenti i Dressler-it kishte dhënë lejen për zhvillimin e Loveparade-it në ish-stacionin e trenave të mallrave në Duisburg.

Autor: epd, apn, dpa/peckmann/xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj