1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Duot e suksesshme gjermano- franceze

Daphne Grathwohl/ Aida Cama15 Maj 2012

Pas duos së mësuar Merkel-Sarkozy kancelarja konservatore gjermane ndodhet përballë socialistit Hollande. Kjo s`ka pse të jetë disavantazh. Më parë kryetarë shtetesh me ngjyra të ndryshme politike kanë bashkëpunuar mirë.

https://p.dw.com/p/14vWP
Kryetarët e shteteve të Gjermanisë dhe Francës kanë bashkëpunuar shpesh mirë
Kryetarët e shteteve të Gjermanisë dhe Francës kanë bashkëpunuar shpesh mirëFotografi: picture-alliance/dpa/dapd/DW

Shëtitje në plazhin e Deauville-s, takime dhe telefonata konspirative, vështrime plot kuptim në konferencat e shtypit, të gjitha këto imazhe kujtohen kur flitet për "Merkozy"-në pra duon gjermano- franceze të Kancelares gjermane Angela Merkel dhe Presidentit francez, Nicolas Sarkozy. Po ashtu do të kujtohet se si kalonin takimet që zgjasnin deri natën në përpjekje për të zgjidhur krizën e euros.

"Merkozy" është histori

Por këto kohë kanë kaluar. Sarkozy-ja konservator nuk u zgjodh më, në vend të tij erdhi socialisti, Francois Hollande. Tani do shihet nëse "Merkozy"-ja mund të kthehet në "Merkollande". Kombinime të tilla emrash nuk janë gjë e re. Kur socialisti François Mitterand përshembull përkrahu kancelarin socialdemokrat gjerman Helmut Schmidt në politikën e tij për NATO-n, shtypi e quajti duon politike "Schmitterand".

De Gaulle tek Adenauer në Bon
De Gaulle tek Adenauer në BonFotografi: picture-alliance/dpa

Por edhe më ngushtë kanë bashkëpunuar kryetarët e qeverive të të dy vendeve, kur ata nuk i përkisni të njëjtit drejtim politik, dhe kjo ka të bëjë me atë se ndryshimet midis Gjermanisë dhe Francës janë pozitive për bashkëpunimin evropian, shpjegon Claire Demesmay, nga Shoqata gjermane për politikën e jashtme, përgjegjëse për marrëdhëniet gjermano- franceze: "Ne punojmë mirë së bashku sepse ne përfaqësojmë pozicione të ndryshme dhe në këtë mënyrë mund të pasqyrojmë gjithë Bashkimin Evropian."

Iluzioni i afërsisë

E rëndësishme është aftësia për të bërë kompromise, mendon studiuesja. Përveç kësaj, konservatorët gjermanë dhe francezë janë shumë pak të ngjashëm, po ashtu siç janë pak të ngjashëm socialdemokratët gjermanë dhe ata francezë, respektivisht socialistët francezë. "Në bashkëpunimin midis qeverive të të njëjtës ngjyrë ekziston rreziku që të krijohet iluzioni i afërsisë, e cila çon në keqkuptime," mendon Claire Demesmay.

Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle,1963, nënshkruan paktin Elysée-së
Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle,1963, nënshkruan paktin Elysée-sëFotografi: AP

Kështu për shembull socialistët francezë kanë mendim krejt të ndryshëm nga socialdemokratët gjermanë sa i përket rolit të Bankës Qendrore Evropiane. Të parët kërkojnë që Banka t`i paguajë para edhe shteteve, kurse të dytët mendojnë se kjo është e paimagjinueshme.

Miqësia gjermano- franceze është baza e integrimit evropian, siç deklaronte më 1950 ministri i Jashtëm francez dhe më vonë presidenti i parë i Parlamentit Evropian, Robert Schuman: "Bashkimi i kombeve evropiane kërkon që konfliktet qindravjeçare midis Gjermanisë dhe Francës të shuhen. Puna e filluar duhet të përfshijë në radhë të parë Gjermaninë dhe Francën."

Konrad Adenauer dhe Charles de Gaulle
Konrad Adenauer dhe Charles de GaulleFotografi: AP

Kancelari gjerman Konrad Adenauer pati përballë në nivel qeverie me René Coty-në dhe Vincent Auriol-in dy partnerë jopartiakë. Më pas erdhi Charles de Gaulle. "Adenauer dhe de Gaulle bënë pajtimin midis dy vendeve dhe bazën për marrëdhëniet gjermano- franceze dhe të Evropës," thotë Claire Demesmay. Në fillim të vitit 1963 të dy burrat e shtetit nënshkruan paktin Elysée-së, që hodhi bazën për bashkëpunimin gjermano- francez, sidomos në politiën e jashtmë dhe atë të sigurisë si dhe të politikës evropiane.

Marrëdhëniet midis Charles de Gaulle dhe kolegëve gjermanë Kurt Georg Kiesinger dhe Ludwig Erhardt, nuk kanë qenë shumë intensive, megjithë orientimin konservator. Edhe kancelari socialdemokrat Willy Brandt nuk pati linjë të njëjtë me presidentin konservator francez, Georges Pompidou.

Francois Mitterrand dhe Helmut Kohl në Verdun
Francois Mitterrand dhe Helmut Kohl në VerdunFotografi: picture-alliance/ dpa

Thelbi evropian dhe bisedat pranë oxhakut

Një epokë e re e marrëdhënieve filloi në vitin 1974, kur Helmut Schmidt i cili u zgjodh kancelar nga socialdemokratët u takua me presidentin francez, Valéry Giscard d'Estaing nga Unioni i qytetarëve liberalë pour la démocratie française (UDF). Të dy politikanët luftonin kundër krizës së naftës dhe pasojave të saj, dhe megjithë karakteristikat e ndryshme politike, kishin strategji të njëjtë në politikën ekonomike. Kjo ishte edhe një nga arsyet pse ata krijuan përvojën e bisedimeve jozyrtarë të G7 në Kështjellën e Rambouillet. Ndër të tjera ata vunë themelin e sistemit monetar evropian, i cili çoi në fund tek monedha e përbashkët, euro.

Jaques Chirac dhe Gerhard Schröder
Jaques Chirac dhe Gerhard SchröderFotografi: AP

Bashkëpunim më të ngushtë midis dy shteteve pati nën Helmut Kohlin dhe François Mitterand, të cilët po ashtu bënin pjesë në rryma të ndryshme politike. Nën kujdesin e tyre u krijuan organizmat dhe instrumentat evropianë: më 1986 u krijua tregu i brendshëm evropian me vënien në jetë të lirive themelore ekonomike, qarkullimin e lirë të mallrave dhe shërbimeve, lëvizjen e lirë të personave dhe qarkullimin e lirë të kapitalit dhe pagesave. Ai është deri më sot baza ekonomike e Bashkimit Evropian.

Pajtim, kooperim dhe miqësi

Bashkimi Evropian u krijua me Paktin e Maastricht-it të 1992, po ashtu në epokën e Kohl-Mitterrand-it. Që prej vitit 1988 Këshilli gjermano- francez për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes mblidhej çdo gjashtë muaj, me pjesëmarrjen e ministrave të jashtëm dhe të mbrotjes, shefave të shtabit të ushtrisë dhe inspektorit të përgjithshëm të ushtrisë gjermane. Po ashtu u krijua Këshilli Ekonomik dhe financiar.

Francois Hollande dhe Angela Merkel
Francois Hollande dhe Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

Në kohën kur në nivel qeveritar bashkëpunonin francezi Jacques Chirac dhe gjermani Gerhard Schröder, bashkëpunimi u institucionalizua edhe më shumë. Të ashtuquajturat takime të Blaesheim-it midis dy kryetarëve të shteteve mbahen çdo tetë javë, që nga viti 2001 deri më sot. Por ata të dy nuk kanë qenë dakord për Paktin e Nicës dhe reformimin e institucioneve evropiane.

Merkel dhe Sarkozy
Merkel dhe SarkozyFotografi: Reuters

Ekspertja e Francës Claire Demesmay, mendon se shumica e kryetarëve të shtetit gjerman dhe atij francez kanë patur marrëdhënie miqësore, megjithëse kjo nuk është patjetër e domosdoshme për të patur marrëdhënie të mira.