1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dy gjuhë, një studim

S. Damascke/Eliana Xhani12 Gusht 2013

Miqësia gjermano-franceze është përditshmëri në jetën akademike të Universitetit të Zarës. Afërsia me Francëm lehtëson studimin dhe kërkimin përtej kufijve.

https://p.dw.com/p/19O5d
Fotografi: Michael Ehrhart

Për një profesor me një dozë të mirë humori, ai ka emrin e përshtatshëm: Claude Witz (shaka sh.red.). "Humori im francez megjithatë nuk kuptohet mirë në Gjermani", shpreh keqardhje profesori i juridikut. "Anasjelltas, si francez nuk habitem më aq shumë për seriozitetin dhe saktësinë e gjermanëve."

Profesori për të drejtë civile franceze, i njeh shumë mirë të dy kulturat; ai punon prej 30 vjetësh në Universitetin e landit të Zarës. "Këtu është një mrekulli pasi në Saarbrücken profesorë francezë dhe gjermanë japin së bashku mësim në një fakultet të vogël francez. Kjo është unike në Gjermani", thotë ai. Vërtet ndërkohë ka programe të ngjashme dykombëshe në Köln, Berlin, Mynih dhe Paris, por Universiteti i landit të Zarës ka pasur që prej themelimit të tij në 1948, dy katedra franceze për lëndët juridike.

Shanse të mira për karrierë

Kush mbaron këtu me sukses diplomën e dyfishtë në të drejtë gjermane dhe franceze, mund ta zgjedhë vetë punën më vonë. Zyrat e mëdha avokatore, organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet e BE-së e marrin vazhdimisht në telefon Claude Witz, për të pyetur për studentë të aftë në prag të mbarimit. "Kam përshtypjen se ne jemi më të mirët", thotë profesori pa thjeshtësi të rreme, "pasi tek ne studentët rriten si fëmijë me dy gjuhë".

150 studentë ka në kujdestari profesori aktualisht në "Centre juridique franco-allemand", në Universitetin e Zarës, 40 prej tyre kryejnë studimin dykombëtar. Për këtë ata nuk shkojnë thjesht për dy semestra në Francë por studiojnë paralelisht në Saarbrücken dhe Saarguemines, një degë e Universitetit të Metz-it. Një jetë e lodhshme studentore pasi iu duhet të lëvizin vazhdimisht nga një qytet në tjetrin dhe kështu java e punës bëhet shpejt 60 orëshe. "Është vërtet e vështirë", thotë juristi i ardhshëm Paul Sammel. "Na mbetet shumë pak kohë e lirë."

Studimi ndërkufitar është i mundur në 22 degë të ndryshme në Universitetin e Zarës. Universiteti mban me të drejtë emrin "universitet i rajonit të madh", pasi 18.000 studentët mund të ndjekin leksione dhe seminare në universitete në Luksemburg, Belgjikë dhe Francë. "Studentët tanë shkojnë me dëshirë përtej kufirit për të mësuar, bërë blerje apo për të takuar shoqërinë", thotë Uve Hartmann, zv/president për çështje evropiane dhe ndërkombëtare.

Para së gjithash kështu ata mund të vazhdojnë miqësitë e lindura gjatë studimit dykombëtar. Doreen Kempf p.sh. takohet më shpesh në fundjavë me miq nga Nancy. Atje ajo ka studiuar tre semestra në degë teknike. "Në radhë të parë më pëlqeu që në Francë ka më shumë femra që ndjekin shkencat ekzakte", thotë studentja 21-vjeçare. Ndërkohë e merr malli edhe për kuzhinën e shijshme franceze në mencë.

Universität des Saarlandes
Doreen Kempf studente në Universitetin e ZarësFotografi: DW/Sabine Damaschke

Diskutime apo mbajtje shënimesh

Sidoqoftë Doreen Kempf-it dhe shokëve e shoqeve të saj gjermanë iu desh të mësoheshin fillimisht me orët e ngjeshura të leksioneve në Francë. "Studimi atje ngjan shumë me shkollën", tregon ajo. Studenti i juridikut Paul Sammel e konfirmon këtë: "Në leksione dhe kurse nuk diskutohen raste juridike, por mbahen shënime nga ajo që referon profesori", thotë ai.

Studentja e biologjisë Mylene Lanter është e mësuar me këtë lloj studimi pasi është rritur në Alsase - Lorenë. Por sistemi gjerman i mësimdhënies i pëlqen më shumë. "Profesorët dhe studentët janë më pranë njëri-tjetrit pasi diskutojnë më shumë bashkë", thotë studentja 21-vjeçare. Dy vjet ka studiuar ajo në Strasburg. Për vitin e fundit të studimeve ajo ka ardhur në Saarbrücken për të përfunduar.

Universität des Saarlandes
Mylene Lanter, studente në Universitetin e ZarësFotografi: DW/Sabine Damaschke

Mylene Lanter nuk e di se ku dëshëron të punojë më vonë. Por studentja është e hapur për Francën dhe Gjermaninë, në të dy vendet ndihet në shtëpi. Kështu mendojnë edhe shumë studentë dhe studiues në Universitetin e Zarës. "Katër ditë në javë unë jetoj në Saarbrücken, tri ditë në Francë", tregon profesori i juridikut Claude Witz. "Për mua kufiri nuk ekziston."